Arrestimi i pesë spiunëve/ Ekspertët e sigurisë vlerësojnë rolin e AKI-së më këtë çështje

Politika

Arrestimi i pesë spiunëve/ Ekspertët e sigurisë vlerësojnë rolin e AKI-së më këtë çështje

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 qershor 2025 Në ora: 07:55
Foto ilustrim

 

Pesë persona – tre shqiptarë dhe dy serbë – janë arrestuar nën dyshimin për bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA. Arrestimet janë rezultat i një operacioni të përbashkët të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë dhe Prokurorisë.

Së fundi, Aleksander Vllajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit dhe atë të armëmbajtjes pa leje, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të lidhur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se “arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.

Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”.

Shala: Kjo është dëshmi se AKI ka filluar të ndërtojë një model kombëtar të sigurisë proaktive, që identifikon dhe ndalon kërcënimet para se të konkretizohen

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se arrestimi i pesë të dyshuarve për lidhje me BIA-n serbe dëshmon se kapacitetet e kundërzbulimit të Kosovës po funksionojnë, rreziku nga inteligjenca e huaj është i pranishëm, dhe se institucionet e sigurisë po veprojnë të koordinuara – duke forcuar besimin publik dhe legjitimitetin ndërkombëtar.

Image
Drizan Shala

“Arrestimi i pesë individëve të dyshuar për bashkëpunim me BIA-n serbe përçon një mesazh të fuqishëm në tri drejtime:

a. Së pari, se kapacitetet e kundërzbulimit të Kosovës janë funksionale dhe në rritje;

b. Së dyti, se rreziku nga shërbimet e huaja inteligjente mbetet real dhe i pranishëm, veçanërisht në kontekstin e përpjekjeve hibride serbe për të destabilizuar veriun dhe për të minuar sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës; dhe

c. Së treti, se institucionet e sigurisë janë të koordinuara në reagim, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit publik dhe legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit”, thotë ai.

Tutje, ai thekson se roli i AKI-së në zbulimin e rrjeteve të inteligjencës serbe tregon kalimin e saj nga një agjenci thjesht informuese në një aktor operativ aktiv në kundërzbulim.

Po ashtu, ai shprehet se koordinimi me Policinë dhe Prokurorinë dëshmon rritje të kapaciteteve për sinjale të hershme, analiza operative dhe ndjekje penale. Hetimet pritet të thellohen, pasi rrjetet janë zakonisht të lidhura me struktura më të gjera politike, kriminale apo fetare. Ky zhvillim përforcon modelin e sigurisë proaktive dhe kërkon mbështetje të fuqishme politike mbi bazën e interesit kombëtar.

“Roli i AKI-së në zbulimin e rrjeteve të inteligjencës serbe e konfirmon se AKI po evoluon nga një agjenci me rol informues në një aktor operativ aktiv në fushën e kundërzbulimit.

Koordinimi me Policinë dhe Prokurorinë për çmontimin e rrjeteve të infiltrimit tregon rritje të aftësive të mbledhjes së sinjaleve të hershme (early ëarning), analizës së thelluar operative dhe ndërtimit të dosjeve të qëndrueshme për ndjekje penale.

Kjo është dëshmi se AKI ka filluar të ndërtojë një model kombëtar të sigurisë proaktive, që identifikon dhe ndalon kërcënimet para se të konkretizohen.

Hetime të mëtejshme dhe arrestime të mundshme i bazuar në natyrën e operacioneve të shërbimeve sekrete dhe rrjetëzimin e agjentëve me strukturat lokale (qoftë politike, kriminale apo fetare), është logjike të priten hetime të mëtejshme dhe ndoshta arrestime shtesë në javët dhe muajt në vijim.

Arrestimet e para shpesh përbëjnë fazën fillestare të “dekonspirimit të zinxhirit operacional” të një rrjeti më të gjerë – pra, rrjeti nuk është i izoluar, por pjesë e një strukture më të madhe të influencës dhe penetrimit serb në Kosovë.

AKI dhe partnerët e saj sipas doktrinës inteligjencës priten të zbatojnë modelin e ndërhyrjes në thellësi, që përfshin monitorim të komunikimeve, ndjekje të parave (financial trails), dhe analiza të lidhjeve me segmente të caktuara në veri, media apo OJQ etj.

Pra meritokracia e suksesit duhet ti atribohen vetem institucioneve dhe që niveli politik duhet ti mbështet ato në format me proaktive në baz të direktivave dhe interesit kombëtar”, shpejgon Shala.

Blakaj: Roli i AKI-së në këtë proces është qenësor

Eksperti tjetër i sigurisë, Korab Blakaj, thotë se deklarata e Kryeministrit Kurti vlerësohet si shembull institucional i matur dhe me ton shtetëror, që informon drejt publikun për sukseset në fushën e sigurisë, thekson kërcënimin nga Serbia dhe përforcon legjitimitetin e institucioneve.

Siaps tij, retorika e kurtit ndihmon në ndërtimin e unitetit kombëtar dhe motivon punonjësit e sigurisë përmes vlerësimit publik.

“Kryeministri Albin Kurti ka shkruar sot një deklaratë politike institucionale të një rëndësie të posaçme, që prek një plagë nevralgjike të shtetit tonë.

Image
Korab Blakaj

Brenda kësaj deklarate të veçantë kemi: informim të drejtë të publikut për arrestimet dhe sukseset në fushën e Sigurisë Kombëtare, theksim i kërcënimit të vazhdueshem nga Serbia përmes aktiviteteve të sherbimit sekret serb, përforcon legjitimitetin dhe efektivitetin e organeve tona të sigurisë, dhe shërben për të ndërtuar narrativën e qëndrueshmërisë së domosdoshme shtetërore dhe mobilizimin qytetar në mbrojtje të sovranitetit tonë!

Deklaratë tipike, e matur me ton institucional dhe shtetëror, ashtu siç duhet të jenë deklaratat që prekin sferen e ndjeshme të sigurisë!

Retorika ndërtuese e unitetit kombëtar, që është thelbësore për të ndërtuar dhe mbrojtur kohezoionin shoqëror duhët të mbështetet dhe të përkrahet masivisht!

Po ashtu, fjalët e vërteta që kanë në fokus efektivitetin dhe profesionalizmin e institucioneve të sigurisë, kur vijnë nga krerët politik të vendit, janë edhe mirënjohje dhe kurajo morale për të gjithë punonjësit e tyre!”, vlerëson ai.

Sa i përket arrestimit, Blakaj deklaron se arrestimi i pesë të dyshuarve për bashkëpunim me BIA-n serbe konfirmon se kërcënimi nga Serbia është real dhe i vazhdueshëm.

Sipas tij, operacioni dëshmon profesionalizmin e AKI-së dhe bashkëpunimin efektiv me Policinë e Prokurorinë, ndërsa dërgon një mesazh të qartë se Kosova nuk do të tolerojë veprime kundër sigurisë kombëtare.

“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA) është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Ky rast dërgon disa mesazhe të qarta:

1. Së pari, ai dëshmon se kërcënimi nga Serbia nuk është abstrakt apo historik, por është një realitet i përditshëm dhe i organizuar në forma moderne të luftës hibride, ku spiunazhi, dezinformimi, infiltrimi dhe rrëfimi i rremë historik janë instrumente aktive.

2. Së dyti, ky operacion tregon se institucionet e Kosovës, sidomos Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), janë duke funksionuar me profesionalizëm dhe vendosmëri, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë, duke reflektuar një kapacitet operativ dhe analitik të rritur në fushën e kundërzbulimit.

3. Së treti, këto arrestime duhet të shërbejnë si paralajmërim për çdo individ apo rrjet që vepron kundër interesit të sigurisë kombëtare, dhe si sinjal i qartë se Kosova nuk është më terren i lirë për ndikim të huaj apo lojëra destabilizuese”, thekson ai.

Kurse, në fund eksperti shton se rasti i fundit konfirmon rolin thelbësor të AKI-së si agjenci funksionale dhe efektive në kundërzbulim. Zbulimi i një rrjeti të ndërlikuar kërkon profesionalizëm të lartë dhe koordinim institucional.

Ai thotë, se arrestimet janë vetëm faza fillestare; hetimet pritet të thellohen dhe mund të pasohen me zhvillime të reja. Mbi të gjitha, ky rast është një thirrje për vetëdijësim kombëtar – siguria është përgjegjësi e të gjithëve.

“Roli i AKI-së në këtë proces është qenësor. Nga vetë natyra e punës së saj, e padukshme dhe diskrete, nuk e shohim shpesh në publik, por ky rast është provë se ajo është funksionale dhe efektive. Aftësia për të zbuluar një rrjet me komponentë të ndryshëm (përfshirë shqiptarë dhe serbë) dhe për të dokumentuar bashkëpunimin e tyre me një shërbim të huaj inteligjent, kërkon një nivel të lartë të punës profesionale dhe bashkërendimi institucional.

Sa i përket hetimeve të mëtejshme, po, me gjasë do të ketë. Arrestimi i pesë personave rrallëherë përfaqëson të gjithë strukturën e një rrjeti spiunazhi. Hetimet e tilla zakonisht shtrihen më tej, duke analizuar komunikimet, lidhjet ndërkombëtare, dhe burimet e financimit apo komandimit të tyre. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që në javët apo muajt në vijim të kemi edhe arrestime të tjera ose hetime që prekin sektorë të ndjeshëm të shoqërisë dhe institucioneve.

Në fund, kjo është një thirrje për vetëdijësim kombëtar: siguria nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por është përgjegjësi e përbashkët e çdo qytetari”, përfundon Blakaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat