Kosova po vazhdon të jetë në ‘kollaps’ që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën me 9 shkurt.
Këto zgjedhje, nuk nxorën një parti fituese me shumicë të votave, e që kjo më pas solli një ngërç total në vend.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as të shtunën që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28 me radhë.
Sikur edhe në seancat e kaluara parlamentare, nisur prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh.
E gjithë kjo situatë, ka ngjallur pakënaqësi dhe irritime edhe tek qytetarët, pasi ky jostabilitet po ndikon edhe në shumë fusha të tjera.
Kësisoj, së fundi është përmendur edhe mundësia për protesta masive nga qytetarët, për të ushtruar presion tek të zgjedhurit e popullit për ta konstituar Kuvendin.
Zogaj: Këta deputetë e po bëjbë vepër penale dhe përfundimisht e kanë deligjitimuar besimin e fituar në zgjedhje
E këtë bllokadë e ka kritikuar ashpër publicisti Skënder Zogaj, i cili në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se kjo është e papranueshme dhe është cenim i shtetësisë së Kosovës.
“Dështimi i 28 i seancës konstituive jo vetëm që është e mërzitshme dhe e turpshme për të gjitha partitë poëitike dhe për të gjithë deputetucët e mjerë, por është cënim flagrant i shtetësisë së Kosovës, e cila ende pa u konstitua plotësisht, po rrënohet barbarisht nga një nomenklaturë klandestinësh ordinerë që, po e dhunojnë interesin e një vendi dhe të një populli që me sakrifica të jashtëzakonshme ka arritur të çlirohet nga okupatori serb dhe, tash po rrëmbehet nga okupimi i vetvetes!” – deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj i cilësoi deputetët si të papërgjegjshëm dhe meritojnë përdorim të të gjitha mjeteve për t'i nxjerrë nga godina e Kuvendit.
“Ky ngërç është i papresedan që, nuk do t'i kishte hije as fiseve më të prapambetura të planetit! Pra, kjo garniturë deputetësh është e papërgjegjshme dhe, përfundosjt e skaduar- e ka shkelur vullnetin dhe besimin e qytetarëve, të cilët duan shtet të qeverisur, e jo skena komiko tragjike me të cilat duhet të merret drejtësia, sepse qe 4 muaj 100 deputetë në mënyrë antiligjore marrin paga pa punuar fare! Këta janë zhvatës që, meritojnë përpuzje dhe përdorim të të gjitha mjeteve për t'i nxjerrë (qoftë edhe me dhunë) nga godina e Kuvendit! Këta deputetë e po bëjbë vepër penale dhe përfundimisht e kanë deligjitimuar besimin e fituar në zgjedhje. Nëse u ka mbetur një pikë yndyrë në fytyrë, të gjithë duhet të shkojnë në shtëpi!”
Ndër të tjera, publicisti nuk përjashtoi mundësinë e protestave, pasi qytetarët janë lodhur nga kjo qasje përbuzëse e deputetëve.
Madje, tha se sa më shumë që zgjat ky ngërç aq më të mëdha do të jenë pasojat.
Sa i përket qytetarëve, tash për tash janë duke protestuar me shpirt, në heshtje, por, nuk përjashtohet mundësia që shpejt të humbet durimi dhe, i dreq e di se ku do të përfundojnë punët dhe cilat do të jenë pasojat! "Zullumi këputet prej së trashi", prandaj, sa më shumë që zgjat ky ngërç aq më të mëdha do të jenë pasojat! Dhe fajtore janë të gjitha partitë politike, që krizën e kanë krijuar qëllimshëm, për interesa meskine!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Kujtojmë se, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur faktin se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
E madje, e dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.
Hertica: Është e pamundur të presim një ndryshim substancial nga këto zgjedhje

Ndërsa, analisti politikë, Ali Hertica tha se pasojat janë të mëdha për qytetarët, ku kjo situatë ndikon në disa aspekte.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” komentoi edhe ciklin e ri që Kosova ka hyrë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Pasojat lidhen direkt me interesin e qytetarëve, pasi shumica e marrëveshjeve janë kredi për financimin e projekteve, të cilat nëse nuk zbatohen në praktikë, mund të kenë pasoja të brendshme brenda partive politike nuk do të lejojë edhe ndryshimet në shoqëri dhe rrjedhimisht, ‘zgjedhjet e 9 shkurtit nuk do të mundësojnë ndryshime thelbësore’. Kosova hyn në një cikël të ri pas zgjedheve, pas rënies së qeverisë partitë politike luajnë një rol qenësor në zhvillimin e demokracisë dhe janë një urë lidhëse në mes shtetit dhe shoqërisë”.
Në këtë rast, Hertica nuk i kurseu kritikat për partitë politike, e që sipas tij nuk kanë bërë aspak reforma dhe se janë të kapluara nga inatet politike mes vete.
Kësisoj, vlerëson se nuk mund të priten ndryshime në të mirë të vendit.
“Fatkeqësisht, ndryshimet e partive politike janë kryesisht kozmetike, edhe sa i takon programit edhe sa i përket mënyrës së organizimit edhe sa i takon qasjes, shohim ndryshime të mëdha për koalicione sepse është rritur inati i cili liderët politik nuk kanë kontroll mbi fjalorin të cilin e kan shprehur gjatë fushatës, nuk mund të priten as ndryshime të tjera substanciale në të mirë të vendi për një qeverisje parlamentare të sigurt dhe cilësore”, shpjegoi ai.
Në fund, analisti përmendi edhe gjuhën e urrejtjes që po nxisin liderët politikë, e që sipas tij ndikon që të mos arrihet një koalicion qeverisës dhe një marrëveshje politike.
“Kështu që, pothuajse është e pamundur të presim një ndryshim substancial nga këto zgjedhje nga ajo që jemi mësuar të shohim gjatë fushatës nga VV ku shan, fyen dhe bastradon gjuhën urrejtëse për subjekte tjera poltike nga inati që kanë, por problemi është në aspektin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar. Këto probleme do të mund të evitohen nëse partitë politike do i kërkonin falje njëra-tjetrës për gjuhën fyese dhe linçuese, pas përvojave të kaluara të partive politike, u ballafaquan me probleme të mëdha për formimin e Qeverisë, tani ‘ato e dinë se si do të veprojnë. Tani po i shohim të gjitha energjitë për krijimin e koalicionit dhe shumë më pak në artikulimin e kërkesave dhe ofertave të tyre në drejtim të qytetarëve. Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.