Shkeli marrëveshjen për sulmin në ‘Ibër Lepenc’, ekspertët e sigurisë tregojnë se si duhet të ndëshkohet Serbia nga BE-ja

Politika

Shkeli marrëveshjen për sulmin në ‘Ibër Lepenc’, ekspertët e sigurisë tregojnë se si duhet të ndëshkohet Serbia nga BE-ja

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 11 qershor 2025 Në ora: 08:07
Ibër-Lepenc

Serbia vazhdoi me avazin e vjetër, duke shkelur edhe një marrëveshje. Ajo nuk e mbajti premtimin për bashkëpunim në zbardhjen e sulmit në “Ibër-Lepenc”.

Megjithëqë presidenti i Serbisë kishte premtuar në disa raste se autoritetet e shtetit serb do të bashkëpunojnë për këtë çështje edhe me Policinë në Kosovë. Mirëpo, ata nuk i janë përgjigjur kërkesës së Kosovës për bashkëpunim në hetimin e sulmit terrorist të vitit të shkuar në kanalin e ujit në “Ibër-Lepenc”.

Duke qenë se sërish Serbia po vazhdon me veprime të njëjta, a duhet dënuar dhe marrë masa ndaj saj për sjelljet e njëjta konfrom Kosovës?

Lidhur me këtë çështje, ‘Bota sot’ ka kontaktuar ekspertët e sigurisë.

Kështu, Hysen Gecaj ka thënë se, nëse Serbia ka shkelur një premtim për bashkëpunim në zbardhjen e sulmit ndaj ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, kjo përbën një shkelje serioze të marrëveshjeve dhe e dëmton klimën e sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal.

Në një kontekst si ky, ku ndjeshmëria ndëretnike dhe çështjet e sigurisë janë delikate, mosbashkëpunimi për raste që përfshijnë sigurinë publike dhe infrastrukturën jetike është veçanërisht i rëndë.

Implikime të rënda për sigurinë në Kosovë dhe rajon

Image
Hysen Gecaj

Shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rajonale: Mosrespektimi i angazhimeve të marra në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së apo të marrëveshjeve për bashkëpunim ndërshtetëror minon besimin dhe procesin e normalizimit; Pengesë për zbardhjen e një akti të mundshëm terrorist: Kjo ka implikime të rënda për sigurinë në Kosovë dhe rajon; Parandalimi i precedentëve të rrezikshëm: Nëse Serbia nuk përballet me pasoja për mungesën e bashkëpunimit, mund të inkurajohen veprime të ngjashme në të ardhmen”, thekson Gecaj.

Eksperti i sigurisë përmend se edhe çfarë masash mund të merren.

Diplomaci aktive me partnerët ndërkombëtarë (SHBA, BE); Kosova duhet të kërkojë që BE-ja dhe SHBA-ja të kërkojnë publikisht llogari nga Serbia për këtë shkelje; Duhet të insistojë që mosbashkëpunimi në raste të tilla të konsiderohet pengesë për progresin e Serbisë drejt BE-së.

Kushtëzim i dialogut: Kosova mund të kërkojë që çdo raund i ri dialogu të kushtëzohet me bashkëpunimin për raste konkrete si ky i “Ibër-Lepenc”; Denoncim në forume ndërkombëtare: Denoncimi i Serbisë në organizata si Këshilli i Evropës, OSBE, dhe Kombet e Bashkuara mund të jetë një hap simbolik dhe politik për t’i rritur kostot e mosveprimit; Sanksione diplomatike bilaterale: Kosova mund të ndërmarrë hapa si ngrirja e kontakteve dypalëshe ose kërkesa për ndalimin e përfaqësimit serb në takime rajonale, përkohësisht, derisa të respektohen marrëveshjet”, vlerëson ai.

Po ashtu, Gecaj përmend edhe disa mënyra se si mund të bindet Serbia që t’u përmbahet marrëveshjeve.

Presion ndërkombëtar i koordinuar: Vetëm me presion të njëzëshëm nga BE dhe SHBA, Serbia ndjen detyrimin të veprojë. Këto fuqi duhet të bëjnë të qartë se përparimi në integrimet evropiane kushtëzohet me veprimet konkrete; Ekspozim publik i shkeljeve: Të dokumentohen rastet e shkeljeve dhe të paraqiten me fakte në publik, për ta goditur narrativen serbe ndërkombëtare se është “palë konstruktive”. Rritje e bashkëpunimit të Kosovës me mekanizmat e sigurisë euroatlantike: Një Kosovë më e lidhur me NATO-n dhe me shërbimet partnere ndërkombëtare e zvogëlon varësinë nga bashkëpunimi me Serbinë dhe rrit presionin ndaj saj”, tha ai.

Eksperti Gecaj thotë se në thelb, Serbia duhet ta kuptojë se bashkëpunimi në siguri nuk është çështje vullneti politik por detyrim ndërkombëtar dhe se mosbashkëpunimi ka pasoja reale për të ardhmen e saj evropiane.

Berisha: Klasa politike serbe vazhdon me avazin e vjetër

Image
Fidair Berisha

Ndërkaq, eksperti tjetër i sigurisë, Fidair Berisha thotë se jemi dëshmitarë se autoritetet në Serbi nuk i përfillin marrëveshjet që kanë të bëjnë mes Kosovës dhe Serbisë, andaj asnjëherë nuk ka besuar se këto autoritete do të bashkëpunojnë me organet e sigurisë së Kosovës, e veçanërisht në lidhje me zbardhjen e rastit dhe autorëve të aktit terrorist të ndodhur në kanalin “Ibër-Lepenc”.

Madje shtrohet pyetja se cila është logjika që autoritetet e Serbisë të bashkëpunojnë në zbardhjen e këtij sulmi terrorist në rast se janë të sigurt se sulmi ka qenë i organizuar dhe kryer nga vetë autoritetet serbe. Mbaj mend kur, në një konferencë për shtyp më 1 dhjetor 2024, pas ndodhjes së aktit, Vuçiq pati deklaruar se do të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit në kanalin e ujit “Ibër-Lepenc”. Madje Vuçiq pati thënë: “Në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, jemi të gatshëm ta hapim bashkëpunimin edhe në pjesën profesionale, jo vetëm me EULEX-in, por edhe përmes EULEX-it me Policinë e Prishtinës, që ta dimë të vërtetën. Jemi krejtësisht të hapur për bashkëpunim të plotë me KFOR-in, me të gjithë, për cilëndo çështje. Të gjitha të dhënat tona, gjithçka që kërkojnë mund t’i marrin, madje edhe Prishtina”, pati thënë Vuçiqi”, thotë Berisha.

Eksperti thotë tutje se, prokurori i rastit, vetëm disa ditë pas aktit terrorist, u ka dërguar kërkesë autoriteteve të Serbisë përmes Ndihmës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, siç është Zyra e BE-së, me qëllim të bashkëpunimit për ndriçimin e këtij rasti terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës.

Mirëpo Serbia, përballë kësaj kërkese, ende vetëm hesht; madje deri më tani as nuk iu është përgjigjur fare autoriteteve kosovare. Klasa politike serbe vazhdon me avazin e vjetër, gjithmonë duke tentuar ta dëmtojë Kosovën si brenda saj, po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, vlerëson ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat