Tensionet e fundit me arrestimin e ish-policit Arbnor Saliu nga Serbia, kanë rikthyer nevojën për vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare drejt marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, mbetet thelbësore sipas autoriteteve të Kosovës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Eksperti i sigurisë thekson se tensionet e fundit janë vetëm tentativa të fabrikuara dhe jo gjendje reale.
“Tentimet për tensione të fundit matanë lumit Ibër po mbesin vetëm si tentativa, sepse tensione reale nuk ka. Është Policia e Kosovës ajo që po i parandalon me kohë çdo përpjekje për destabilizim.
Dihet se zgjedhjet lokale në Kosovë janë afër dhe disa politikanë apo parti, në këtë rast, po e paraqesin situatën sikur ka tensione matanë lumit Ibër, edhe pse faktikisht nuk ka. Ata po përpiqen ta rikthejnë Kosovën në agjendën ndërkombëtare dhe të tërheqin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare drejt marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
Faktori ndërkombëtar është i pranishëm në Kosovë – përfshirë SHBA-në, BE-në dhe NATO-n – dhe kjo, natyrisht, mbetet thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e trazuar të Ballkanit. Këtë po e bëjnë së bashku me institucionet tona të sigurisë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Dashevci thekson se lufta hibride globale, veçanërisht ndikimi i Rusisë dhe Kinës, po krijon sfida të reja për orientimin euroatlantik të Kosovës. Ai vlerëson se përkrahja ndërkombëtare nuk është humbur, por po ndodhin ripozicionime strategjike në nivel global.
Në këtë kontekst, Kosova duhet të reagojë me vigjilencë dhe të forcojë institucionet shtetërore sa më shpejt.
“Ndikimi i aktorëve si Rusia dhe Kina ka ekzistuar më herët në rajon, por tani bota po përballet me një luftë të egër hibride, e cila po krijon sfida të reja për orientimin euroatlantik të Kosovës. Prandaj, vigjilenca dhe reagimi në kohë nuk kanë alternativë.
Unë mendoj se Kosova nuk po e humb përkrahjen ndërkombëtare, por po ndodhin ripozicionime strategjike si në rajon, ashtu edhe në botë. Gjithçka po ndryshon në skenën gjeopolitike dhe po ndryshon me shpejtësi.
Kosova, sipas mendimit tim, duhet t’i krijojë institucionet sa më parë për t’u përballur me sfidat gjeopolitike që po ndodhin në botë, me një qeveri dhe parlament stabil. Pra, është urgjente të kemi një parlament dhe një qeveri funksionale”, tha ai.
Në fund eksperti përmbyllë bashkëbisedimin duke thënë që lufta në Ukrainë dhe tensionet globale po ndikojnë në sigurinë e Kosovës, ndërsa Rusia dhe Serbia përpiqen të nxisin destabilitet në Ballkan.
Përpjekjet e tyre po dështojnë falë bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë me EULEX dhe KFOR. Vigjilenca mbetet thelbësore.
“Krejt kjo po reflekton në zhvillimet gjeopolitike globale, veçanërisht në raportet Perëndim–Rusi dhe situatën në Ukrainë, me ndikim edhe në sigurinë në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit.
Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë nuk po ndalet, kriza vazhdon, dhe e gjithë Evropa – madje e gjithë bota – po merr masa preventive në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Pikërisht këtu qëndron tentativa e Rusisë, bashkë me Serbinë, 24/7, për të shfrytëzuar destabilitetin global me qëllim të nxitjes së tensioneve në Ballkan, për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e mëdha të brendshme që i kanë.
Rusia ka mbi 1 milion ushtarë të vrarë në këtë luftë me Ukrainën. Serbia, nga ana tjetër, ka probleme të brendshme me qytetarët e saj dhe po tenton të krijojë kriza të sigurisë në vendin tonë për ta zhvendosur vëmendjen – por pa sukses. Sepse reaguesi i parë, pra institucionet tona të sigurisë, janë në bashkëpunim, bashkëveprim dhe koordinim të plotë me reaguesin e dytë – EULEX-in nga BE dhe NATO-n me misionin KFOR në Kosovë.
Megjithatë, vigjilenca nuk ka alternativë përballë këtyre sfidave globale të sigurisë”, përfundoi eksperti i sigurisë Dashevci për “Bota sot”.