Vesel Makolli: Inatet politike po rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

Politika

Vesel Makolli: Inatet politike po rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

Nga: H.O. Më: 12 qershor 2025 Në ora: 00:25
Vesel Makolli

Analisti politik Vesel Makolli ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si më shumë sesa një ngërç politik – si një rrezik serioz për vetë shtetësinë e vendit.

Sipas tij, trashëgimia e inateve politike në Kosovë është po aq e vjetër sa odat, kanuni dhe çiftelia, të cilat, siç thotë ai, kanë qenë gjithmonë pengesë për zhvillimin kulturor, politik e diplomatik të shqiptarëve.

“Çfarë po ndodh sot në Kuvend është më shumë sesa një krizë e zakonshme politike – është rrezikim i shtetësisë sonë. E sidomos shqetësuese është heshtja dhe mospërfshirja e Ambasadës së SHBA-së në këtë proces, për dallim nga situatat e ngjashme në të kaluarën kur kanë ndihmuar në tejkalimin e krizave”, deklaron Makolli.

Ai thekson se aktualisht, përveç institucionit të Presidentes, Kosova nuk ka institucione funksionale as në nivelin ekzekutiv e as në atë legjislativ. Një situatë e tillë, në rrethana kur zhvillimet ndërkombëtare janë të shpejta dhe kur çdo orë ka peshë, e lë vendin në një pozitë të rrezikshme.

“Të mbetet vendi pa institucione për shkak të inateve dhe interesave personale apo partiake është më shumë sesa absurd – është një veprim që mund të konsiderohet edhe antishtetëror”, vlerëson Makolli.

Ai e cilëson si “cirk të pafund” atë që po ndodh në Kuvendin e Kosovës, ku krijimi i institucioneve po vonohet nga partia fituese e zgjedhjeve, e cila, sipas tij, e di që do të duhet të marrë vendime të vështira – sidomos për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – gjë që bie ndesh me premtimet populiste të dhëna elektoratit.

Makolli kujton se kjo qeveri ka humbur besimin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-së dhe BE-së, për shkak të veprimeve të pamatura e të pakoordinuara në veri të vendit.

“Tash këto gabime po na kthehen si bumerang”, shton ai.

Sipas tij, as opozita nuk është homogjene dhe nuk ka siguri në numrat e nevojshëm, prandaj edhe po heziton të marrë hapa konkretë, siç do të ishte votimi i kryetarit të Kuvendit për të hapur rrugën e formimit të institucioneve.

“Është urgjente që forcat politike të vënë interesin e shtetit mbi interesat personale dhe partiake. Sa më shpejt që të krijohen institucionet, aq më shpejt do të mund të ecim drejt përmbylljes së shtetësisë sonë”, përfundon deklaratën e tij analisti Vesel Makolli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat