Dy dekada angazhim politik, flet deputeti i Vetëvendosjes, tregon momente kyçe gjatë rrugëtimit

Politika

Dy dekada angazhim politik, flet deputeti i Vetëvendosjes, tregon momente kyçe gjatë rrugëtimit

Nga: A.SH Më: 12 qershor 2025 Në ora: 13:56
Albin Kurti

Më 12 qershor 2025, Lëvizja VETËVENDOSJE! shënon 20-vjetorin e themelimit të saj – një moment historik që përmbledh dy dekada të angazhimit politik, qytetar dhe institucional në shërbim të Republikës së Kosovës. E themeluar më 12 qershor 2005 nga një grup aktivistësh dhe intelektualësh të rinj, Lëvizja nisi si një organizatë që kundërshtonte kompromiset për sovranitetin e vendit dhe ndërhyrjet ndërkombëtare që cenonin të drejtën e qytetarëve për vetëvendosje.

Në këto 20 vjet, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kaluar përmes disa fazave kyçe – nga aktivizmi qytetar, te organizimi politik, opozita konstruktive dhe më pas marrja e përgjegjësisë për qeverisjen e vendit. Vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje u konsiderua si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në vendimmarrje dhe ndërtimit të institucioneve në përputhje me parimet që përfaqëson.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha thekson se momenti më i rëndësishëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! ka qenë vendimi për të hyrë në zgjedhje.

Sipas tij, kjo ka sjellë dy përfitime kryesore: një opozitë të fuqishme dhe konstruktive, dhe një rritje të madhe të besueshmërisë që çoi në fitore historike. A

Ai nënvizon se VV ka vendosur standarde të reja si në opozitë ashtu edhe në qeverisje, duke sjellë zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe forcim të sovranitetit.

“Mendoj se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka pasur momente të ndryshme kyçe gjatë rrugëtimit të saj, por vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje ka qenë pa dyshim momenti më i rëndësishëm, dhe kjo për dy arsye.

Së pari, Lëvizja ka qenë emancipuese dhe ka shërbyer si model i një opozite produktive, si në kontributin e saj në legjislacion, ashtu edhe në kundërshtimin e politikave dhe marrëveshjeve të dëmshme për vendin. Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje çoi në rritjen e besueshmërisë, duke e bërë që për më pak se një dekadë të fitojë më shumë vota se çdo subjekt tjetër në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Më pas, kjo u përkthye në një qeverisje që solli rekord të zhvillimit ekonomik, rritje të mirëqenies, luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe shtrirje të sovranitetit më shumë se kurrë më parë.

Pra, me fjalë të tjera, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka vendosur standarde të reja si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje, duke u bërë shembull jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, deklaron ai.

Sa i përket ideologjisë veprimi politik i VV-së, deputeti Basha, shprehet se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka ndryshuar ideologji, duke theksuar se ajo vazhdon të mbetet në linjën social-demokrate.

Si dëshmi, ai përmend politikat e zbatuara gjatë mandatit të fundit: mbështetje për lehonat dhe fëmijët, shkollim falas, bursa për studentët, përkrahje për prodhimin vendor e bujqësinë, si dhe investime në siguri përmes forcimit të ushtrisë dhe policisë. Këto, sipas tij, tregojnë se fryma social-demokrate mbetet thelbësore në veprimtarinë e Lëvizjes.

"Nuk besoj se Lëvizja ka ndryshuar ideologji, dhe këtë e dëshmojnë politikat social-demokrate të zbatuara gjatë mandatit të fundit. Këto përfshijnë mbështetjen për lehonat, shtesat për fëmijë, shkollimin falas, investimet në studentë përmes bursave, përkrahjen e prodhimit vendor, shtimin e granteve për bujqit, si dhe fuqizimin e ushtrisë dhe të policisë, e shumë të tjera.

Pra, politikat e Lëvizjes vazhdojnë të jenë në frymën e social-demokracisë”, thotë ai.

Në fund, Basha vlerëson se performanca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qeverisje ka qenë më e mira në historinë e vendit.

Ai thekson se për herë të parë Kosova ka pasur një qeveri stabile katërvjeçare, me fokus te ushtria, sovraniteti, siguria, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale. Sipas tij, lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka qenë e vazhdueshme, ndërsa stabiliteti financiar është më i mirë se në çdo vend tjetër të rajonit.

Basha e sheh mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve si dëshmi të kësaj performance, duke përmendur faktin se VV vazhdon të jetë partia më e votuar, me rezultat rekord për kryeministrin.

“Besoj se performanca e Lëvizjes në qeverisje ka qenë e pakrahasueshme më e mire se me cilëndo qeveri të mëparshme. Për herë të parë në historinë e vendit kemi pasur një qeveri stabile për katër vjet, duke vendosur prioritet te ushtria, integriteti, sovraniteti, siguria, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e lehonave dhe e fëmijëve. Të gjitha këto janë shoqëruar me luftë të vazhdueshme kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me zhvillim ekonomik e stabilitet financiar më të mirë se çdo vend tjetër në rajon.

Një tjetër dëshmi e qartë e kësaj performance është fakti që Lëvizja vazhdon të mbetet partia më e votuar në vend edhe pas 4 viteve në pushtet - duke marrë më shumë vota se partia e dytë dhe e tretë së bashku – dhe kjo tregon se mbështetja e madhe e qytetarëve është rezultat i kësaj performance dhe i besimit që qytetarët kanë në një kryeministër që ka marrë më shumë vota se cilido kandidat tjetër në historinë e zgjedhjeve në Kosovë”, - përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat