Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të 30-të me radhë kanë hyrë dhe dalë nga Kuvendi pa zhvilluar asnjë seancë të rregullt, duke shkaktuar shqetësim në opinion dhe duke vënë në pikëpyetje funksionimin e këtij institucioni. Megjithatë, ata vazhdojnë të marrin pagat e tyre, si dhe pagat e asistentëve të angazhuar pranë tyre.
Kështu është raportuar nga mediat, që kanë dokumentuar se nga 120 deputetë, 74 prej tyre kanë punësuar edhe zyrtarë personalë të lartë.
Sipas këtyre dokumenteve, ata marrin pagë 638 euro bruto në muaj.
Përkundër faktit që qytetarët e Kosovës ndodhen në një gjendje të rëndë ekonomike, politikanët duket se po vazhdojnë të pasurohen pa bërë asnjë përpjekje për konstituimin e institucioneve.
Njohësit e çështjeve politike kanë shprehur shqetësim të thellë për këtë mungesë përgjegjshmërie, duke paralajmëruar rrezikun e humbjes së fondeve nga Bashkimi Evropian për shkak të ngecjes në krijimin e institucioneve të reja.
Ata kritikojnë ashpër deputetët për mosfunksionimin e Kuvendit dhe për dështimin në detyrën e tyre ndaj qytetarëve dhe vendit.
Mehmeti kritikon deputetët
Opinionisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota Sot”, ka kritikuar deputetët e legjislaturës aktuale për mos përgjegjshmëri dhe inate që kanë bllokuar formimin e Kuvendit, duke mos lejuar zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve edhe pas 29 përpjekjeve.
Sipas tij, kjo tregon qartë se zgjedhësit duhet të refuzojnë t’i votojnë më këta deputetë në të ardhmen.
“Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është dashur të ketë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie te të gjithë ata që punojnë në sektorin publik e aq më shumë ata që janë në krye të shtetit.
Pikërisht, krejt te mos përgjegjësia lidhin të gjitha. Deputetët e kësaj legjislature qëlluan të pandërgjegjshëm, prandaj jo e 29-ta herë që mblidhet Kuvendi për të formuar Kuvendin e zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, por nga mos përgjegjësia dhe nga inatet e nga se dëshiron secili të jetë në postin e kryeministrit, ata bllokuan veten dhe nuk e formuan Kuvendin e tyre, të cilin, vërtet, janë të gjithë përgjegjës pse nuk u bë deri tani.
Me këtë rast, u pa se kë kanë votuar zgjedhësit dhe është mirë të mos i votojnë më kurrë të njëjtit deputetë të kësaj legjislature”, ka thënë ai.

Sipas tij, deputetët dhe kryetarët e partive, të cilët përpiqen të paraqiten si të përkushtuar ndaj shtetit, në realitet janë të interesuar vetëm për pushtet, duke e shfrytëzuar dhe plaçkitur shtetin sa më shumë që mundin, siç është vënë re në të kaluarën.
“Kryetarët e partive politike u treguan shumë inatçorë, sa janë në gjendje të shkatërrojnë edhe shtetin e Kosovës, vetëm për ta shkatërruar njëri-tjetrin. Kjo nuk do të guxonte të ndodhte në asnjë mënyrë. Të zgjedhurit nuk janë për të lidhur inat me njëri-tjetrin. Ata mund të mos flasin njëri me tjetrin, por punët duhet t’i kryejnë.
Edhe deputetët, bashkë me kryetarët e partive që sot na shiten si shumë të “dashur” për shtetin, shihet se nuk e kanë problemin e shtetit por të pushtetit për ta zhvatur, vjedhur e plaçkitur atë deri aq sa mundin. Kjo është parë në të kaluarën”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Mehmeti ka theksuar se deputetët që nuk kanë konstituuar Kuvendin nuk meritojnë të marrin pagë, pasi nuk kanë përmbushur detyrën ndaj votuesve.
Ai ka kritikuar edhe ekzistencën e asistentëve të tyre, duke thënë se nëse një deputet nuk mund t’i përmbushë detyrat, nuk duhet të jetë deputet fare.
“Deri sa nuk kanë konstituuar Kuvendin, ata as pagë nuk meritojnë të marrin, dhe nuk do duhej të paguheshin, sepse nuk kanë çuar në vend fjalën e votuesve. Është edhe aq më e çuditshme të kenë edhe asistentë, unë nuk e kuptoj fare pse të kenë asistentë. Nëse ndonjëri nuk mund t’i dalë zot punës dhe detyrimeve të deputetit, ai nuk meritonte as të jetë deputet. Çfarë bëjnë asistentët e deputetëve, kur nuk di se kanë bërë diçka të rëndësishme as në politike e as në ministri.
Po, deputetët dhe politikanët tanë po vazhdojnë të pasurohen në kurrizin e taksapaguesëve të varfër të Kosovës. Disa prej tyre po pasurohen edhe në mënyra tjera të paligjshme, dhe do ishte mirë të merret dikush me këto”, ka nënvizuar ai.
Gjithashtu, ai e ka quajtur situatën të mjerueshme, duke paralajmëruar se pasojat do t’i vuajë populli i varfër dhe vendi.
“Të gjitha këto parregullsi bien edhe në sy të ndërkombëtarëve dhe rrezikojmë të mbetemi pa fondet e BE dhe të tjera ndërkombëtare. Kjo situatë është e mjerueshme për politikanët tanë e që do e vuajë populli dhe vendi ynë i varfër.
Po, kjo gjendje nuk ka rëndësi për politikanët tanë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Po, kjo ndodh pse nuk ka llogaridhënie në shtetin e Kosovës. Gjithherë është thënë se duhet të luftohet korrupsioni dhe pasuria e paligjshme, por asnjëherë nuk është luftuar. Në këtë janë të përfshirë të gjithë politikanët tanë, prandaj është vështirë të thyhet dhe të luftohet e keqja”, ka potencuar Mehmeti.
Qarri: Deputetët po i pengojnë ndihmat prej 880 milion eurosh nga BE-ja
Ndërkaq, në anën tjetër, analisti politik Gani Qarri i ka akuzuar deputetët se po bëjnë "hajgare" me votën e qytetarëve dhe po sabotojnë qëllimisht funksionimin demokratik të shtetit duke bllokuar Kuvendin.
Sipas tij, opozita e ka degjeneruar legjislativin duke bllokuar konstituimin e tij 30 herë, me qëllim që të pengojë dërgimin e 880 milion eurove ndihma nga BE për përmirësimin e jetës dhe ekonomisë së Kosovës.
“Duke pasur parasysh faktin tragjik se tanimë po vjen edhe seanca e 31, me gjasë për të dështuar edhe kjo njëjtë si 29, të mëparshmet, shihet hapur, se veçanërisht deputet e padinjitetshëm të partive të inkriminuara opozitare, në kooketim me deputetët goran dhe ata të të ashtuquajturës "listë serbe" , po bëjnë publikisht "hajgare" edhe me votën e qytetarëve dhe popullin e Kosovës, duke bllokuar qëllimisht funksionimin demokratik të shtetit dhe sabotuar konstituimin e Kuvendit, gjë që është vërtetë veprim i palejueshëm kundër kushtetues e akt fatzi antishtetëror dhe antikombëtar, i cili ndoshta, përfundimisht do ti vetëdijësojë edhe qytetarët e Kosovës, që partive sabotuese dhe deputetëve bllokues, në zgjedhjet të cilat po na trokasin në derë dhe ato të më pastajme, kurrë më, të mos ua besojnë votën e tyre!
Deputetët e kontaminuar politik të opozitës së kalbur përbrenda, kanë degjeneruar tërësisht edhe Legjislativin e Kosovës duke bllokuar konstituimin e tij për 29 herë me radhë, me qëllimin smirëzi që me bllokadën e organizuar në Kuvend, ta bllokojnë edhe dërgimin e 880 milion eurove ndihma dhe grante të BE-së për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbarëvajtjen ekonomike të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Më tej, Qarri ka kritikuar ashpër mbi 50 deputetë që për katër muaj bllokojnë konstituimin e Kuvendit dhe pengojnë formimin e qeverisë legjitime.
Ai ka potencuar se për vetëm 5 minuta prezencë në Kuvend, këta deputetë përfitojnë paga të majme dhe madje angazhojnë asistentë personal me paga nga 640 deri në 850 euro, duke keqpërdorur buxhetin e taksapaguesve për përfitime personale.
“Dhe , mese 50 prej deputetëve që nuk kanë kontribuuar me asgjë, madje për 4 muaj rresht po e mbajnë të bllokuar edhe konstituimin e Kuvendit dhe në vazhdimësi pengojnë formimin e qeverisë legjitime, sikur mos të mjaftonte mosvotimi i organizuar i tyre, ata për vetëm 5 minuta prezencë në Kuvend, pa asnjë nevojë dhe vetëm për ta zhvatur sa më rëndë Legjislativin të cilin për 4 muaj rresht po e mbajnë të bllokuar, si dhe gllabëruar sa më shumë para të pamerituara të taksapaguesve të Kosovës, pikërisht deputetët bllokues të partive opozitare, kanë angazhuar edhe një arsenal të tërë, asistentësh personal me paga nga 640-850 euro, sikur të mos mund t`ia dilnin as për ato 5 minuta të bllokimit të Kuvendit, për të ZHVATUR tamam "mirë dhe sa më rëndë" buxhetin e Kuvendit dhe parat e taksapaguesve të shtetit Kosovës duke u treguar publikisht dhe me fakte bindëse qytetarëve të vendit, se çfarë njerëzish ata, kanë votuar për deputet.
Përndryshe të dështojë 29 herë me radhë, konstituimi i Kuvendit për shkak të mosvotimit të orkestruar konspirativ nga deputetët oportunist opozitar, që përveçse kanë hyrë dhe dalë nga Kuvendi pa zhvilluar asnjë seancë të rregullt dhe pa asnjë brengë as lloj pendese, jo vetëm që vazhdojnë të marrin pagat e majme mujore prej 1770 eurove dhe mëditjet çdo 48 orëshe, por për ZERO-kontribut dhe vetëm 5 minuta prezencë parlamentare, për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe pamundësuar krijimin e institucioneve funksionale të shtetit, duke bllokuar edhe 880 milion euro ndihma të BE-së për mirëqenien e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës, përkundër faktit që qytetarët e Kosovës ndodhen në një gjendje tejet të rëndë ekonomike, politikanët e tillë bukshkelës, po vazhdojnë të pasurohen pa bërë asnjë përpjekje për konstituimin e Kuvendit si institucioni më i lartë legjislativ dhe institucioneve tjera funksionale të shtetit të Kosovës, duke mbajtur qëllimisht edhe mbi 4 muaj, pas zgjedhjeve parlamentare, të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe pamundësuar krijimin e institucioneve tjera legjitime shtetërore”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka shpjeguar se këta deputetë refuzojnë të përmbushin detyrën kushtetuese për të konstituar Kuvendin.
“Në fakt konstituimi i Kuvendit do duhej të ishte një procedurë e rëndomtë, por ja që kjo fatkeqësisht po pamundësohet nga mos pjesëmarrja e sinkronizuarnë në votim, e opozitës së inkriminuar në koordinim me të ashtuquajturën “listë serbe” dhe deputetë goranë, duke refuzuar të gjithë bashkë, ta kryejnë obligimin Kushtetues dhe votojnë që të konstituohet Kuvendi, madje njëjtë si deputetët goranë e ata të ashtuquajturës "listë serbe" edhe deputetët e opozitës vijnë vetëm për mëditje në parlament, edhe pse këta janë votuar nga qytetarët shqiptar që si përfaqësues të tyre, të japin votën dhe kontribuojnë për krijimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, por përkundrazi edhe deputetët shqipfolës pa fije turpi, njëjtë si deputetët goranë dhe ata të "listës serbe" vazhdojnë ti bllokojnë ato me mosvotim të asnjë mënyre, të hapur as të fshehtë”, ka vlerësuar ai.
Në fund, Qarri ka paralajmëruar se këto veprime po rrezikojnë edhe humbjen e 880 milion eurove ndihma nga BE-ja, duke shtuar se këtyre deputetëve u mungon plotësisht përgjegjësia dhe interesimi për gjendjen e rëndë të qytetarëve, një sjellje që ai e konsideron absurde dhe krejtësisht të papranueshme.
“Kështu deputetët e degjeneruar e matrapazë të kësaj legjislature turpi, të cilët janë mësuar të funksionojnë në një sistem ku mungon përgjegjësia, kanë shkuar deri në atë masë përçudnimi, sa jo vetëm ta degradojnë tërësisht legjislativin e shtetit, por të tallen edhe me popullin e Kosovës dhe ta përbuzin votën e qytetarëve, duke nënçmuar e përdhosur, në mënyrën më të ulët edhe jetesën e tyre në këtë kohë krize ekonomike e politike dhe kërcënuar me vetëdije të plotë edhe mbarëvajtjen e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, të cilët me bllokadën e qëllimshme të Kuvendit, pengimin e krijimit të institucioneve legjitime shtetërore të Republikës së Kosovës dhe lojërat meskine disa mujore, tanimë po rrezikojnë edhe humbjen e fondeve prej 880 milion eurove ndihma dhe grante për vendin tonë nga BE-ja, akt pervers që na bënë të kuptojmë përfundimisht, se gjendja e rëndë ekonomike dhe jetesa e vështirë e qytetarëve të Kosovës, atyre as që u intereson, madje po shihet qartë, se për këta deputet matrapaz, jetesa e qytetarëve nuk ka asnjë rëndësi, sjellje kjo vërtetë shumë absurde dhe për çdo kritikë nga të gjithë!”, ka përfunduar Qarri