Rreziku i arrestimeve në Serbi/ Komentohet rasti i Arbnor Spahiut - kërkohet reagim më i fortë ndërkombëtar!

Politika

Rreziku i arrestimeve në Serbi/ Komentohet rasti i Arbnor Spahiut - kërkohet reagim më i fortë ndërkombëtar!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 qershor 2025 Në ora: 18:32
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu

Dita e marte u karakterizua me një ngjarje jo të drejtë dhe aspak të këndshme për vendin tonë.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është një prej disa policësh ose ish-policësh që e kanë gjetur veten prapa hekurave në Serbi.

Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi.

Autoritetet e drejtësisë atje i shqiptuan masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”.

Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë - ai “ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”.

Para tij, në Serbi u arrestuan edhe disa policë ose ish-policë të Kosovës me etni shqiptare dhe serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Fatmir Spahiu, më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

"MPJD ka informuar për rastin të gjitha misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe trupin diplomatik në Kosovë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Gjermanisë, për shkak të qëndrimit të rregullt të Spahiu në këtë shtet", thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Mirëpo, a do të duhej që qytetarët e Kosovës, për të shmangur arrestimet dhe trajtimin denigrues nga Serbia, të evitonin kalimin përmes territorit serb dhe a është e nevojshme të ndërmerret një fushatë sensibilizuese që të përdoren rrugë alternative tranziti nga shtetasit dhe diaspora?

Bajraktari: Qytetarët të shmangin rrugën për në Serbi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari.

Avokati, përmes kësaj deklarate, dëshiron të theksojë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe pasqyrojnë mentalitetin e pandryshuar të Serbisë, e cila nuk po arrin të shkëputet nga e kaluara e saj.

Ai sugjeron se, për sa kohë që në pushtet është një udhëheqës me lidhje me regjimin gjenocidal të së kaluarës, nuk ka gjasa të ketë ndryshim në sjelljen ose qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

 “Ndaljet e tilla dhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga ana e autoriteteve serbe shpërfaqin mendësinë që vazhdon ta karakterizoi këtë vend, i cili asesi nuk po mundet të distancihet nga e kaluara, dhe për aq kohë sa në krye të këtij vendi ndodhet një person i cili me prapagantë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal, vështirë të pritet ndryshim i qasjes”, u shpreh ai.

Më tej, avokati thekson që për shkak të qëndrimit armiqësor të autoriteteve serbe, qytetarët e Kosovës duhet ta shmangin kalimin nëpër Serbi për të mos rrezikuar ndalime apo arrestime.

 “Për aq kohë sa kemi një mendësi të tillë, dhe me qëllim që të shmangen arrestimet, ndalimet e edhe burgosjet është e rekomanduar që qytetarët tanë ta shmangin këtë shtet, ndryshe mund të jenë cak i veprimeve të tilla nga ana e autoriteteve serbe”, foli Bajraktari për “Bota sot”.

Hoxha: Organet tona duhet të ushtrojnë presion diplomatik përmes BE-së dhe aleatëve kryesorë

Ndërsa ish-ushtaraki Hafir Hoxha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, kërkon që Kosova të ndërmarrë një qasje të koordinuar dhe diplomatike ndaj arrestimeve të qytetarëve të saj nga Serbia, sidomos ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ai kritikon pasivitetin e institucioneve dhe thekson nevojën për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë, duke e lidhur këtë çështje me procesin e saj të integrimit në BE. Po ashtu, propozon krijimin e një mekanizmi mbrojtës brenda dialogut në Bruksel.

Image
Hafir Hoxha

 “Qasja e Kosovës ndaj arrestimeve të qytetarëve të saj – veçanërisht ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të Policisë së Kosovës – nga autoritetet serbe, duhet të jetë e koordinuar, institucionale, e fuqishme në planin diplomatik dhe e vazhdueshme në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) dhe aleatët perëndimorë. Këtu janë disa hapa konkretë që Kosova mund dhe duhet t’i ndjekë. Mirëpo, me sa i njoh unë personat, ministrat, ministritë përkatëse për këto çështje, jam i sigurt se nuk dinë t’i ndërmarrin këto veprime që do t’i numëroj tani.

Organet tona duhet të ushtrojnë presion diplomatik përmes BE-së dhe aleatëve kryesorë (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania).

Kosova duhet të kërkojë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të ndalë arrestimet arbitrare e selektive, të motivuara politikisht, pasi komunikimi direkt me Serbinë është i pamundur, për shkak se ajo nuk na njeh as si shtet, as si organe legjitime.

Ne duhet të kërkojmë që këto shtete ta trajtojnë këtë si kusht për vazhdimin e procesit të integrimit të Serbisë në BE, duke theksuar se këto veprime bien ndesh me frymën e normalizimit dhe marrëveshjes së Ohrit.

Duhet të bëjmë kërkesë për mekanizëm mbrojtës në kuadër të dialogut në Bruksel”, thotë ai.

Kërkohet mbikëqyrje ndërkombëtare dhe mbrojtje ligjore

Hoxha shton që Kosova duhet të kërkojë krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar verifikues për monitorimin e arrestimeve të qytetarëve të saj në Serbi, duke kërkuar që çdo hetim për krime lufte të bëhet nga institucionet ndërkombëtare, jo nga drejtësia serbe.

Ai nënvizon rëndësinë e angazhimit me tribunale ndërkombëtare dhe sfidimin e ligjit serb për juridiksionin universal në gjykatat evropiane. Gjithashtu thekson që është e nevojshme që qytetarët në rrezik të identifikohen dhe të paralajmërohen për arrestimet e mundshme.

 “Kosova duhet të insistojë në krijimin e një mekanizmi të përbashkët verifikues ndërkombëtar (në kuadër të BE-së ose OSBE-së), që do të monitoronte dhe verifikonte akuzat ndaj qytetarëve kosovarë që arrestohen në Serbi.

Kërkesa duhet të jetë që çdo hetim i pretenduar për krime lufte të kalojë përmes institucioneve ndërkombëtare dhe jo përmes sistemit të drejtësisë serbe, e cila nuk është kredibile për Kosovën.

Ne duhet të angazhohemi mes tribunalit ndërkombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare, pasi ai tribunal ekziston pikërisht për këto çështje.

Kosova mund të angazhohet që përmes avokatëve dhe institucioneve të saj, të sfidojë ligjin serb për “juridiksionin universal”, që lejon Serbinë të arrestojë shtetas të huaj për krime të supozuara të kryera jashtë territorit të saj. Kjo mund të sfidohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), kur viktimat janë edhe qytetarë me shtetësi tjetër evropiane, si dhe në forume të tjera ndërkombëtare.

Ne duhet të bëjmë identifikimin dhe paralajmërimin e qytetarëve tanë me rrezik arrestimi dhe t’i njoftojmë ata për këtë rrezik”, shpjegoi ai.

Qeveria duhet të reagojë

Duke vazhduar bisedën ish-ushtaraku thotë që institucionet e Kosovës duhet të përditësojnë dhe shpërndajnë lista këshilluese për qytetarët në rrezik arrestimi në Serbi, si masë parandaluese dhe mbrojtëse.

Sipas tij, reagimi politik dhe institucional duhet të jetë i koordinuar dhe i menjëhershëm.

 “Institucionet e Kosovës duhet të përditësojnë dhe shpërndajnë lista joformale këshilluese për qytetarët që mund të jenë në rrezik arrestimi në Serbi, bazuar në informacione nga partnerët ndërkombëtarë dhe rastet e kaluara.

Kjo nuk është dorëzim ndaj Serbisë, por masë parandaluese për të mbrojtur qytetarët.

Duhet të funksionojë reagimi i koordinuar politik dhe institucional për çdo arrestim, e jo të heshtin organet tona siç veprojnë që nga viti 2000 e këndej.

Për çdo rast arrestimi, Qeveria duhet të reagojë menjëherë me:

– Deklaratë zyrtare në gjuhët ndërkombëtare (anglisht, frëngjisht).

– Duhet të bëhet angazhim diplomatik për lirimin dhe ndalimin e proceseve të tilla politike.

– Duhet të jenë organet kompetente që zyrtarisht t’u ofrojnë ndihmë juridike të arrestuarve përmes avokatëve ndërkombëtarë dhe vendorë, nëse është e mundur”, shtjelloi Hoxha.

Forcimi i Institucioneve

Në fund, ish-ushtaraku përmbyllë deklaratën duke thënë që Kosova duhet të përditësojë dhe klasifikojë dosjet për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe t’i paraqesë ato në institucione ndërkombëtare si OKB, BE dhe ICC. Kjo ndihmon në balancimin e narrativës dhe ekspozimin e hipokrizisë serbe që ndjek viktimat, jo kriminelët.

Po ashtu Hoxha thotë që nevojitet konsensus dhe unitet politik për sigurinë kombëtare, me veprime shtetërore të koordinuara dhe strategjike, përndryshe Serbia do të vazhdojë përdorimin e presionit dhe frikësimit politik ndaj qytetarëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

 “Kosova është dashur të bëjë klasifikimin dhe azhurnimin e dosjeve për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve.

Kosova duhet të forcojë institucionet si Instituti për Krime të Luftës dhe t’i paraqesë këto dosje jo vetëm në plan simbolik, por edhe në institucione ndërkombëtare (OKB, BE, ICC).

Kjo ndihmon në baraspeshimin e narrativës dhe ekspozimin e hipokrizisë së Serbisë, e cila nuk ndjek kriminelët e vet të luftës, por përndjek viktimat.

Duhet të funksionojë konsolidimi i unitetit politik në çështjet e sigurisë kombëtare, ku ne ende nuk kemi as Doktrinën e Mbrojtjes si ligj apo rregullore kryesore për sigurinë e vendit.

Kjo nuk është vetëm çështje qeverie. Nevojitet konsensus i brendshëm politik dhe institucional për çështje të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së qytetarëve në rrezik, ku qeveritë tona deri më tani ende nuk e kanë kuptuar këtë detyrë dhe obligim që kanë ndaj qytetarëve të vet.

Në raste të tilla, duhet të veprohet si shtet dhe jo si subjekt politik-partiak.

Nëse Kosova nuk vepron me vendosmëri dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, Serbia do të vazhdojë ta përdorë këtë metodë si mjet presioni, hakmarrjeje politike dhe frikësimi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe institucioneve të sigurisë. Ajo që kërkohet është veprim strategjik, institucional dhe diplomatik – jo reagim emocional dhe sporadik i familjarëve apo avokatëve private”, përfundoi ish-ushtaraku Hafir Hoxha për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat