Pas dështimit për të disatën herë të Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka drejtuar kritika ndaj partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Berisha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “nëse Zoti nuk dërgon një pejgamber, atëherë gjakderdhja është e pashmangshme”.
E ky mesazh i Berishës nxiti reagime të shumta në opinionin publik.
E në lidhje me këtë deklaratë të deputetit në fjalë, ka folur veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi.
Fillimisht, ai tha se një deklaratë e tillë është shumë ngutshme dhe nuk e kupton se pse deputeti nga radhët e AAK-së, shpërtheu në këtë mënyrë.
“Megjithëse kam respekt për Bekë Berishën, deklarata e tij është e ngutshme dhe nuk mund ta dimë arsyen pse Berisha shpërtheu në këtë formë dhe çka e shtyu të reagoj në mënyrë alarmuese. A është arsyeja mos konstituimi i parlamentit, që dorën në zemër opozita i shkel të drejtat legjitime të fituesit që të propozoj në këtë rast kandidaten e vet, por kjo gjithashtu nuk do të thotë që për shkak të inatit dhe planeve të opozitës mos të gjendet një modus tjetër”, deklaroi veprimtari nga SHBA.
Gjithashtu, Bekteshi e vlerësoi absurd faktin që përmendet ‘gjakderdhja’, madje tha se mendësia e politikanëve është shumë tendencioze, kur në pyetje vjen pushteti.
“Aludimi i Bekës është absurd kur përmendet ‘gjakderdhja’, sepse s’besoj se shqiptarët janë aq të marrë, sa që pas aq shumë sakrificave shekullore dhe pas suksesit historik të çlirimit të vendit dhe krijimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, që tu ndodhi një marrëzi e tillë, andaj e shoh të paarsyeshme që të humbet kohë me deklarata të tilla emocionale e të çastit. Mendësia dhe sentimenti euforik i të zgjedhurve shqiptarë, respektivisht, i politikanëve tanë pa përvojë, është fort tendencioz dhe të paskrupullte, kur është në pyetje pushteti. Çështja është pse politikanët tanë i lënë anash çështjet dhe interesat kombëtare”.
Tutje, veprimtari nga SHBA, ptencoi se për ‘pejgamberin’ që aludon Berisha, mund të jenë vetëm amerianë dhe evropinanë, por që shpreson që situata të mos vije deri në atë pikë, pasi do ishte keq për Kosovën.
“Nëse Beka aludon në një ‘pejgamber’, ata do të ishin amerikanët por dhe evropianët që do të shfaqeshin në momente krizash kur të vërtetonin se shqiptarët nuk janë të aftë të menaxhojnë proceset demokratike që i nevojiten një shteti. Ata patjetër se do të vepronin, por jo në mënyrën që ne do të dëshironim, dhe klasa politike do të duhej t’i shmangej një situate të tillë. Për momentin, ata s’janë përzier në punët tona në lidhje me konstituimin e parlamentit, si duket, ata ende s’e shohin si situate alarmante por në kuadër të testit demokratik. Shpresoj të mos vij deri te intervenimi i ndërkombëtarëve sepse kjo do t’i vente Kosovës një hije të zezë”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, Bekteshi shtoi se kriza e ka kapluar skenën politike të Kosovës, kjo si pasojë e inateve mes partive politike.
Sipas tij, kjo është një situatë e patolerueshme dhe veprimet e politikanëve mund t’i shkaktojnë dëme të mëdha shtetit.
“Kriza po thellohet dhe kjo assesi nuk duhet injoruar, derisa, inatet dhe irracionaliteti i kanë tejkaluar kufijtë e politikës konvencionale. Të thuash, se partia jonë nuk do të bashkëpunoj me fituesin në asnjë mënyrë edhe pse i obligon kushtetuta, kjo i bie se shteti është në pozitë të palakmueshme, derisa partitë fokusohen në interesin personal e partiak dhe vendimet e pazaret i sjellin bazuar në aspiratat e dëshirat partiake, duke ia mohuar shtetit funksionimin normal e demokratik. Kjo situatë e patolerueshme me përçarje të pa imagjinueshme kërkon vëmendje të lartë kombëtare, kërkon tolerancë dhe kompromis që partitë të krijojnë aleanca me numra të qëndrueshëm që shteti të vazhdojë rrugën normale të funksionimit. Këto veprime të partive politike, ashtu si që janë mund t’i shkaktojnë dëme shtetit, derisa qytetari duke qenë i pakënaqur me partitë politike ne zgjedhjet e ardhme mund dhe të rrallohet, kështu duke i shkaktuar shtetit dëm të dyfishtë, njëri që i vjen nga partitë politike dhe tjetri, nga qytetari i zhgënjyer nga politikanët”, përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.