Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Sot ishte hera e 31-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të dielën e 15 qershorit.
E në lidhje me këtë situatë të krijuar në Kosovë ka folur edhe ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, duke e ndërlidhur situatën e Kuvendit me dialogun me Serbinë.
Dvorak tha se udhëheqësit në Kosovë, ndonjëherë, kanë nevojë për më shumë vullnet të mirë për të ndërmarrë hapa pozitivë, për të bërë kompromis.
“Ky është vetëm një votim në Kuvend. Dikush duhet ta bëjë. Dhe ata ende nuk janë në gjendje. Tridhjetë përpjekje për ta zgjedhur udhëheqësinë e Kuvendit!
Kjo është një provë e fuqishme për atë se çfarë mund të jetë problemi - mungesa e gatishmërisë për të bërë një kompromis, i cili mund të jetë i dhimbshëm, por është i domosdoshëm në politikë.
Mendoj se situata në Kuvendin e Kosovës reflekton drejtpërdrejt edhe problemin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi: mungesë vullneti për kompromis. Dhe, kompromisi është i domosdoshëm”, u shpreh ai.
Duke u bazuar në këtë deklaratë a ekziston rreziku që, në emër të kompromisit, të preken interesat shtetërore të Kosovës?
Voca: Deklarata e Dvorak është zhgënjyese

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Ai thotë se deklarata e ministrit çek është e padrejtë dhe nuk pasqyron realitetin në Kosovë.
Gjithashtu, Voca argumenton se Kosova ka bërë shumë kompromise dhe përpjekje për paqe, ndërsa Serbia vazhdon të jetë pengesa kryesore për normalizimin e marrëdhënieve.
Po ashtu, theksoi se Kosova ka një sistem më demokratik dhe më të zhvilluar politik krahasuar me vendet tjera të rajonit.
“Në përvjetorin e 26-të të çlirimit të Kosovës, deklarata e ministrit çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, se Kosova mbetet peng i “mendësisë së pasluftës” dhe mungesës së kompromisit, është jo vetëm zhgënjyese, por edhe e gabuar në adresim dhe në përmbajtje.
Kosova ka bërë jo vetëm kompromise të dhimbshme, por edhe hapa të shumtë konstruktivë drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, shumë më tepër se sa kërkohet nga një palë që ka dalë nga një konflikt si viktimë e agresionit. Është Serbia ajo që vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve, që shkakton tensione në veri, dhe që mbështet struktura ilegale në territorin e Kosovës, përfshirë edhe sulmin e armatosur në Banjskë dhe veprime që përbëjnë sulme hibride ndaj infrastrukturës jetike në vend.
Mendësia politike në Kosovë është shumë më demokratike dhe progresive sesa në shtetet e tjera të rajonit që ende nuk janë pjesë e BE-së. Pushteti në Kosovë ndërrohet përmes votës së lirë, liria e shprehjes dhe e shtypit është shumë më e zhvilluar, dhe shoqëria civile ka një rol aktiv”, u shpreh ai.
Kjo vazhdimësi politike formëson qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, rajonit dhe Perëndimit
Duke vazhduar bisedën, ligjëruesi kritikon ministrin çek për mosadresimin e mendësisë së vjetër politike serbe, e cila ende ndikon negativisht në raportet me Kosovën dhe rajonin.
Ai thekson se Serbia vazhdon të refuzojë realitetin e ri dhe mungesa e vullnetit politik nga ana e saj është burimi kryesor i tensioneve.
Sipas tij, Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise dhe nuk duhet të vihet nën presion të pabarabartë, pasi kompromisi duhet të jetë i drejtë dhe i ndershëm për të dyja palët.
“Pastaj, ajo që mungon në analizën e ministrit çek është përballja me mendësinë politike të Serbisë, e cila nuk ka ndryshuar në thelb që nga periudha e Millosheviqit. Për gati gjysmë shekulli, figurat që kanë qenë pjesë e elitës së atij regjimi ose që trashëgojnë frymën e tij vazhdojnë të udhëheqin institucionet më të larta të shtetit serb. Kjo vazhdimësi ideologjike dhe politike ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si Serbia e trajton Kosovën, rajonin dhe marrëdhëniet me Perëndimin. Nëse deklarata e ministrit çek do të kishte folur për këtë mendësi të pandryshuar, atëherë do të kishte një bazë të vlefshme. Por, për aq kohë sa adresimi është i shtrembëruar, deklarata nuk mund të konsiderohet valide.
Ministri Dvorak, në vend që të vendosë barazi të rreme mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të adresojë burimin e vërtetë të problemit: mungesën e vullnetit politik të Serbisë për të pranuar realitetin e ri në Ballkan dhe për të ecur përpara drejt një paqeje të qëndrueshme.
Kosova nuk ka më çfarë të japë, ka dhënë gjithçka që mund të jepet pa cenuar sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Kompromisi nuk duhet të jetë sinonim i presionit ndaj më të dobëtit, por një proces i ndershëm dhe simetrik ku përgjegjësitë shpërndahen drejt dhe paanshmërisht”, theksoi Voca.
Evropa duhet të flasë me zë të drejtë
Tutje, Voca tha se BE-ja duhet të jetë e drejtë dhe e paanshme në trajtimin e çështjes Kosovë–Serbi.
Ai kritikoi deklaratën e ministrit çek si të njëanshme dhe paralajmëron se barazia e rreme mes palëve e dëmton dialogun.
Në fund, bëri thirrje për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave si vlera universale.
“Si ligjërues i gjeopolitikës, besoj se zëri i Bashkimit Evropian duhet të jetë i informuar, objektiv dhe i përgjegjshëm. Këto komente të Ministrit çek, në këtë ditë simbolike për Kosovën, janë fatkeqësisht në kah të kundërt të asaj që përfaqëson Evropa demokratike.
Për më tepër, me deklarata të tilla si ajo e ministrit çek, Bashkimi Evropian nuk mund të pretendojë se ka një vizion të qartë për zgjidhjen e çështjes Kosovë–Serbi. Një vizion i qartë lind vetëm kur problemi shihet drejt, thjeshtë dhe pa anashkalime të qëllimshme. Për aq kohë sa adresa e problemit nuk përcaktohet drejt dhe barazia midis palëve përdoret si justifikim për mungesë guximi politik, çdo proces dialogu do të mbetet i deformuar. Evropa nuk ka luksin të qëndrojë e paqartë në një rajon ku qartësia është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm.
Në këtë ditë të veçantë për popullin e Kosovës, le të përkujtojmë me mirënjohje çlirimin nga okupatori dhe të urojmë paqe të qëndrueshme për të gjitha gjeneratat që vijnë. Le të dënojmë me vendosmëri çdo formë okupimi që cenon të drejtat themelore të njeriut, kudo në botë. Liria nuk është dhuratë, por e drejtë themelore dhe është detyrë e përbashkët ta mbrojmë atë”, përfundoi doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca për “Bota sot”.
Shabani: Rreziku i kompromist ekziston

Ndërsa, njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që ndonëse deklarata e ministrit çek ka një bazë, nuk pasqyron plotësisht realitetin.
Sipas tij, kompromiset e Kosovës shpërfillen për shkak të paqëndrueshmërisë së vetë BE-së, e cila po përballet me sfida të mëdha politike dhe diplomatike.
“Pjesërisht, deklarata e kryediplomatit çek është e vërtetë, mirëpo duhet kujtuar se kompromisi i bërë, fillimisht i dakorduar mes Kosovës dhe BE-së duket vazhdimisht i mangët dhe i cunguar, për faktin se kohët e fundit jemi dëshmitarë që si pasojë e zhvillimeve të ndryshme gjeopolitike në botë, vet BE-ja nuk ia di hallin vetes dhe po i rëndohet statusi politik e diplomatik”, thotë ai.
Ndër të tjera, njohësi tha se rreziku i dështimit të kompromisit ekziston sepse BE-ja nuk ka një qëndrim të qartë ndaj Serbisë, veçanërisht krahas lidhjeve të saj me Rusinë dhe Kinën.
Ai shtoi se planet e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi kanë zgjatur shumë, por pa rezultate për shkak të krizës gjeostrategjike dhe mungesës së vendosmërisë ndaj Serbisë.
“Rreziku i kompromist ekziston, flas në parim me dialogun Kosovë-Serbi, kur BE-ja akoma nuk e definon qëndrimin e saj të qartë ndaj Serbisë, ashtu siç kjo e fundit është pozicionuar me Rusinë dhe Kinën.
Planet e BE-së sa i përket progresit të dialogut Kosovë-Serbi janë me dekada, por pa ndonjë rezultat konkret dhe kjo për arsye se BE-ja ka hasur në krizë gjeostrategjike dhe mosdefinimit e qartë kundrejt Serbisë”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.