Kuvendi i bllokuar, dialogu Kosovë-Serbi në pikëpyetje

Politika

Kuvendi i bllokuar, dialogu Kosovë-Serbi në pikëpyetje

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 14 qershor 2025 Në ora: 18:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Kosova ende ka mbetur pa institucione të reja që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt të këtij viti. Partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë marrëveshje të përbashkët për të formuar institucionet e reja.

Kësisoj, Kosova duket se po mbetet mbrapa edhe në marrëveshje të tjera, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë.

Kosova po ngec në procesin e dialogut, derisa nuk e ka zgjidhur ende situatën e vet politike.

Analisti politik Skënder Zogaj në një prononcim për ‘Bota sot’, ka paralajmëruar për pasojat serioze që mund ta godasin Kosovën nëse nuk zgjidhet shpejt bllokada politike dhe nuk formohen institucionet e reja pas zgjedhjeve.

Zogaj: Kosova rrezikon të përballet me përjashtimin nga procesi i bisedimeve

Sipas tij, Kosova rrezikon të mbetet jashtë procesit të dialogut me Serbinë, i cili zhvillohet nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është rezultat i ndërmjetësimit ndërkombëtar,” thekson Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

“Ky zhvillohet nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, e cila ka për qëllim që palët, me bashkëbisedim, të gjejnë zgjidhje për problemet dhe të krijojnë marrëdhënie të reja fqinjësore”, thotë ai.

Ai paralajmëron se çdo lloj neglizhence është shumë e dëmshme për palën që bëhet shkaktare e ndërprerjes së dialogut.

Në këtë situatë të ngërçit institucional në Kosovë, Zogaj thotë se është e pamundur të ketë progres në dialog.

“Në gjendjen aktuale, kur Kosova nuk po mund të konstituojë institucionet, dihet që dialogu nuk mund të ketë progres. Në procesin e dialogut është i domosdoshëm autoriteti valid institucional, që ka përgjegjësinë e plotë të përfaqësimit dhe të marrëveshjes zyrtare”, thotë ai.

Nëse Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë krizë, sipas Zogajt, rrezikon të përballet me përjashtimin nga procesi i bisedimeve.

“Kjo e nënkupton se vonesa e krijimit të institucioneve e pengon vazhdimin e dialogut, e kjo do të thotë se Kosovës i shtohet tagri si palë e munguar në dialog”, thekson ai.

Analisti Zogaj paralajmëron se bashkësia ndërkombëtare mund të humbasë durimin me Prishtinën dhe të marrë hapa të pavarur.

“Ngërçi institucional i Kosovës, nëse vazhdon, kam bindjen se do të bëjë që mbikëqyrja ndërkombëtare të mos presë, por të ndryshojë qëndrimin dhe të veprojë edhe pa palën kosovare”, thotë ai.

Në fund, ai e mbyll me një paralajmërim të qartë:

“Kjo do të jetë keq, madje shumë keq, sepse të munguarit i mbetet në shpinë samari i gomarit.”

Bexheti: Në sytë e qytetarëve dialogu shihet si dështim ose vetëm si perceptim

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është futur në ngërç të thellë, kryesisht për shkak të bllokimit institucional në Kosovë, por edhe për shkak të kushteve të vendosura nga kryeministri Albin Kurti.

Kështu vlerëson analisti Nexhat Bexheti, sipas të cilit mungesa e konsensusit politik dhe paaftësia për të formuar institucionet po e dëmtojnë rëndë pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Image
Nexhat Bexheti

“Dialogu i nisur nuk mundet të ketë progres pa u konstituuar institucionet. Nga ky akt do të përcaktohen se cilat persona apo cili ekip negociues do ta ketë legjitimitetin për të negociuar”, thekson Bexheti.

Sipas tij, aktualisht dialogu është në “komë”, i kushtëzuar nga dy faktorë: moskonstituimi i institucioneve të Kosovës dhe tri kushtet që ka vendosur kryeministri Kurti.

“Për Kurtin, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”, thekson ai.

Dy kushtet e tjera, sipas Bexhetit, janë nënshkrimi i Marrëveshjes nga Serbia dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Ai vlerëson se, përpara rifillimit të dialogut, është e domosdoshme që Kosova të ndërtojë një qëndrim të unifikuar shtetëror.

“Do të ishte shumë me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë apo dokument të përbashkët, i cili paraqet qëndrim më unik të spektrit politik. Nëse jo i gjithë spektri, së paku i spektrit të gjerë politik, në mënyrë që Kosova të ndërtojë një qëndrim shtetëror para se të vazhdojë dialogu”, tha ao.

Po ashtu, Bexheti paralajmëron edhe për pasojat e këtij ngërçi.

“Në sytë e qytetarëve dialogu shihet si dështim ose vetëm si perceptim dhe asgjë më shumë”, thekson ai.

Kjo situatë, sipas tij, i rrit brengat e qytetarëve, ngase ka gjasa që të thellohet kriza e ngecjes së dialogut, duke ndikuar negativisht në proceset integruese si anëtarësimi në Interpol, bashkëpunimi me institucionet financiare dhe ndihmat për OJQ-të. Bexheti kujton edhe deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, e cila u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar ngërçin politik, teksa BE-ja ka nisur procesin e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Prishtinës.

“Edhe ata shpikin shkase që të mos ketë epilog përfundimtar, sepse kërkojnë Asociacionin e komunave serbe me pretekst që të betonohet procesi negociues. E keqja është se Evropa ka probleme tjera më të këqija dhe neglizhon vendosmërinë për të bërë trysni efektive ndaj Kosovës dhe Serbisë”, tha ai për ‘Bota sot’.

“Topi ka ngelur në oborrin e Kosovës dhe e mban përgjegjësinë mbi pengesën e ndërprerjes momentale të dialogut”, duke fajësuar “mosvetëdijesimin politik të korpusit të partive politike kosovare”. Do ta humbim autoritetin ndërkombëtar dhe do të ngrihen dyshime për kapacitetin tonë shtetformues”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat