Ditë më parë, Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
"Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi", njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend – të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës – do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.
Përmes një postimi në X, pas marrjes së këtij vendimi, Kurti shtoi se autoritetet e Kosovës do të punojnë “në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse amerikane gjatë gjithë procesit”.
E këtë vendim të Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga territori amerikan, e kanë mirëpritur edhe Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për REL se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.
“E mirëpresim bashkëpunimin për këtë përparësi kyçe të administratës Trump”.
Por, si vlerësohet ky vendim dhe a është sinjal për raportet Kosovë-SHBA, folën njohësit.
Aliçkaj: Bashkëpunimi me SHBA-në i shërben interesave të Kosovës
Fillimisht, për këtë temë në nëj bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Agim Aliçkaj.
Sipas tij, ky vendim është në interes të shtetit të Kosovës dhe se hap shumë mundësi të reja.

“Vendimi i qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga vendet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është i drejtë dhe i shërben interesave të shtetit.
Amerika ka bërë shumë për Kosovën dhe është i vetmi vend në botë që mund ta ndihmojë Kosovën në rast të agresionit serb të drejtuar nga Rusia. Anëtarësimi në NATO dhe njohja e Kosovës nga 5 shtetet joparimore evropiane nuk mund të bëhet pa mbështetjen dhe presionin amerikan mbi to. Bashkimi Evropian është i ndarë dhe i ndikuar nga forca që nuk i japin përparësi interesave të Kosovës. Pastaj, e mira ka të mirën”.
Po ashtu, Aliçkaj potencoi faktin se kjo kërkesë e SHBA-së për Kosovën është sinjal për vlerësim ndaj shtetit tonë.
“Orientimi pro-amerikan i Kosovës është vendosur nga shumica e popullit të Kosovës. Kosova nuk ka alternativë tjetër serioze.
Kërkesa e SHBA-së për këtë çështje në vetvete është një sinjal shumë i mirë që tregon vlerësimin dhe besimin e administrates aktuale amerikane se Kosova është një shtet i qëndrueshëm në të cilin mund të mbështetet në bashkëpunim dhe veprime të përbashkëta”, nënvizoi ai.
Megjithatë, ai kishte një mesazh për Kosovën, ku tha se Amerika nuk i do dhe nuk i respekton ata që janë të paaftë.
“Por le të jemi të qartë. Bashkëpunimi dhe koordinimi me SHBA-në nuk do të thotë nënshtrim dhe pranim i verbër i çdo kërkese që vjen nga zyrtarë të ndryshëm të administratës. Interesi i popullit dhe shtetit të Kosovës është mbi të gjitha. Edhe në rast të një mosmarrëveshjeje të përkohshme, në planin afatgjatë Amerika i kupton dhe i pranon faktet e vërteta dhe argumentet reale.
Shkurt, Amerika nuk i do dhe nuk i respekton ata që janë të paaftë dhe nuk dinë çfarë duan”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
Bilalli: Kurti dëshiron të japė sinjale për përafrim dhe forcim të raporteve me SHBA-në
Ndërsa, eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli tha se ky vendim është sinjal i qartë që Kurti dëshiron të forcojë raportet me SHBA-në.

Kurse, tha se ky do jetë një test për Kosovën.
“Pranimi i 50 emigrantëve të dėbuar nga SHBA-ja që do vijnë nė Kosovë ështė një veprim i qartë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti dëshiron të japė sinjale për përafrim dhe forcim të raporteve me Shtëpin e Bardhë (administratën Trump). Numri simbolik i 50 të dëbuarve nga SHBA-ja që do vijnë në Kosovë do jenë testi i parë për Kosovën ngase po që se kërkohet nga Kosova që në fazat tjera të rritet volumi me pranim të të dëbuarve nga Amerika, por edhe nga disa vende evropiane, do ishte një lloj shqetësimi për sigurin nacionale, ngase Kosova nuk ka mundësi dhe kapacitete: ekonomike, gjeografike dhe infrastrukturë të zhvilluar që të jetë vendstrehim i kontigjentëve të të debuarve nga vendet perëndimore!” – deklaroi ai.
Gjithashtu, eksperti i gjeopolitikës marrëveshje për momentin është pozitive për raportet Kosovë-SHBA, derisa nuk paraqet rrezik për sigurinë e vendit.
“Mendoj që pranimi i 50 të të dëbuarve nga SHBA-ja hë për hë nuk do paraqet rrezik për sigurinë e brendshme, por ky numër më tepër është veprim politik dhe tentativ për përafrim në raportet Kurti-Administrata Amerikane.
Kjo marrëveshje me palën amerikane për momentin është pozitive për besimin dhe respektin që Kosova ka ndaj SHBA-së, dhe të thuash ‘OK’ miqëve amerikanë për 50 persona që të marrë Kosova, është e arsyeshme për efekte politike dhe diplomatike”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.