Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë e ka caktuar 12 qershorin si afat të fundit kur ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit mund ta dorëzojnë mocionin e përbashkët për rrëzimin e aktakuzës.
Kimberly West dhe ekipi i saj do të kenë mundësi që deri më 7 korrik të tregojnë pse duhet të mbetet në fuqi akti akuzues, ndërkaq vetë Paneli Gjykues i kryesuar nga Charles Smith ka bërë të ditur se synojnë të marrin një vendim lidhur me rrëzimin e aktakuzës së madhe më 14 korrik.
Por pavarësisht shpresave të ekipit mbrojtës, analisti Faton Mehmeti thotë se është pak e besueshme që Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi mund të lirohen dhe që në korrik të rrëzohet aktakuza ndaj tyre.

“Nga 14 korrik deri më 17 korrik pritet të jetë data më e rëndësishme deri tani në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Varet çfarë vendimi do të marrë gjykata, a do të pranojë apo jo hedhjen e ndonjërës pikë të aktakuzës apo komplet aktakuzës. Janë dy pikat kryesore nga gjithsej dhjetë, pika për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Tek pika për krime kundër njerëzimit, nëse shpallen fajtorë të akuzuarit mund të dënohen deri me burgim të përjetshëm, derisa tek pika për krime lufte maksimumi i dënimit është 20 vjet, gjithmonë nëse shpallen fajtorë”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.
“Nëse mbrojtja arrin të bindë gjykatën për të rrëzuar këto dy pikat e aktakuzës, atëherë Thaçin dhe të tjerët, edhe nëse shpallen fajtorë për pikat tjera, nuk mund të dënohen shumë. Nëse ndodh e kundërta, pra që këto dy pika nuk hidhen poshtë nga gjykata, atëherë i pret dënim i madh të akuzuarit në fjalë”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.
Për fund, Mehmeti thotë se vendimi i 14 korrikut do ta tregojë edhe epilogun përfundimtar të gjykimit në Speciale.
“Prandaj, në mes të korrikut në një farë mënyre pritet të dihet edhe epilogu i procesit ndaj Thaçit dhe të tjerëve që sipas gjasave mund të përfundojë brenda këtij viti kalendarik”, përfundon analisti Faton Mehmeti.