“BIA po fabrikon akuza ndaj qytetarëve të Kosovës” – bëhet thirrje për shmangien e udhëtimit përmes Serbisë

Politika

“BIA po fabrikon akuza ndaj qytetarëve të Kosovës” – bëhet thirrje për shmangien e udhëtimit përmes Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 qershor 2025 Në ora: 09:01
Pika kufitare Merdare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, 20 qershor 2023.

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, mbahet padrejtësisht në paraburgim nga autoritetet serbe, pa asnjë bazë ligjore apo provë, thonë përfaqësues dhe avokatë të tij.

Avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e ish-policit Arbnor Spahiu, ka reaguar ashpër ndaj ndalimit të tij nga autoritetet serbe, duke e quajtur një akt të pastër politik dhe pa bazë ligjore.

“Rasti i fundit – ndalimi i qytetarit, ish-policit Arbnor Spahiu – nuk ka të bëjë fare me ndonjë procedurë ligjore. Është një kidnapim politik, i kryer nga një shtet që po sillet si armik”, ka shkruar Koci në një postim në Facebook.

Sipas tij, Serbia po dërgon një mesazh të rrezikshëm përmes këtij arrestimi:

“Kush e mbron Kosovën – do të ndëshkohet”.

Ai kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke theksuar se nuk ka asnjë provë apo fakt ligjor që e justifikon paraburgimin e Spahiut.

Gjithashtu, Koci ka deklaruar edhe në media se dosja kundër Spahiut është përgatitur nga shërbimi sekret serb, BIA.

Dashevci: Serbia nuk po e respekton asnjë marrëveshje ndërkombëtare IBM

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, ka akuzuar shërbimet sekrete serbe, konkretisht BIA-n (Agjencia e Inteligjencës së Serbisë), për fabrikimin e rasteve kundër qytetarëve të Kosovës me qëllime destabilizuese.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

“Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, po mbahet në paraburgim padrejtësisht dhe pa asnjë arsye ose fakt të vetëm nga autoritetet serbe. Pa asnjë bazë juridike, mendoj unë. Çdo dosje përgatitet nga shërbimi sekret serb (BIA) famëkeq, me të vetmin qëllim krijimin e situatave të paqena fare, pra krijojnë gënjeshtrën, i besojnë asaj gënjeshtre që e krijojnë vetë dhe e bëjnë reale me gënjeshtra të servuara. Me to përgatisin dosje jo reale me plotë gënjeshtra”, ka thënë ai

Sipas Dashevcit, ish-polici Spahiu kishte lëshuar punën në polici kohë më parë dhe institucionet e Kosovës tashmë u kanë dërguar të gjitha provat që rrëzojnë pretendimet serbe.

“Ish-polici ka lëshuar punën më herët, Policia e Kosovës u ka dërguar argumentet ndërkombëtarëve, pra gënjeshtrat e Serbisë nuk kalojnë. BE dhe Gjermania posaçërisht po e monitoron situatën për së afërmi, për t’u vërtetuar faktet. Zyra jonë ndërlidhëse atje gjithashtu”, ka theksuar ai.

Tutje, Dashevci ka ngritur alarmin edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë nëpër territorin e Serbisë, duke theksuar se marrëveshjet ndërkombëtare nuk po respektohen nga Beogradi.

“Siguria e shtetasve të Kosovës nëse kalojnë kah Serbia nuk po del të jetë e sigurt, sepse Serbia nuk po e respekton asnjë marrëveshje ndërkombëtare IBM për qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, etj.

Sulmet kibernetike gjithkund janë të rrezikshme dhe të dhënat e qytetarëve tanë mund të jenë të rrezikuara nëse nuk jemi të përgatitur me mbrojtje efikase kundrejt këtyre sulmeve të rënda”, ka shtuar ai.

Krahas kësaj, ai ke hedhur akuza për sulme kibernetike dhe keqpërdorim të të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës që nga përfundimi i luftës.

“Gjithashtu, Serbia kur e ka lëshuar përgjithmonë Kosovën me kapitullimin e saj në vitin 1999 ka përvetësuar apo “vjedhur” informacione sensitive të shtetasve të Kosovës, luftëtarëve tanë, arkivat, etj. Ajo i ka ato informacione, mendoj unë”, ka potencuar Dashevci.

Në fund, ai ka bërë një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët, që mos të kalojnë nga Serbia.

“Andaj në fund mendoj që duhet të evitohen ato rrugë, mos të udhëtohet në atë shtet që sillet armiqësisht ndaj vendit tonë, bile as tranzit.

Pra, forma më e mirë është evitimi i udhëtimit nëpër atë shtet sepse nuk po ka siguri, raste kanë ndodhur shumë herë dhe i dimë mundimet e qytetarëve në të kaluarën, andaj apeli është: evitoni ato rrugë”, ka përfunduar Dashevci.

Siguria e qytetarëve të Kosovës nën presion nga autoritetet serbe, paralajmëron eksperti Bedri Elezi

Image
Bedri Elezi

Ndërkaq, në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka theksuar se ky rast është vetëm një pretekst për ndalimin e padrejtë të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë ish-anëtarë të institucioneve dhe subjekteve politike që Serbia i ndjek prej kohësh.

“Arrestimi i Arbnor Spahiut është pretekst se i njëjti kishte shërbyer në Policinë e Kosovës. Në rastin e Banjskës, është pretekst i Serbisë për të ndaluar gjithë qytetarët e publikës së Kosovës, pa dallim nëse ato janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës apo kanë qenë, ose të njëjtit kanë shërbyer edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo në subjekte politike të cilat Serbia i ka ndjekur që në atë kohë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, në disa raste ndalimet shërbejnë edhe për përfitime materiale, ku të ndaluarit detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash për të fituar lirinë.

“Autoritetet e inteligjencës së Serbisë, përkatësisht BIA, tani janë fokusuar në veprime kriminale, duke vepruar me refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët përdorin Serbinë si tranzit për të kaluar në shtetet e Bashkimit Evropian, ku paguajnë shuma të ndryshme parash dhe kështu financohen apo forcohen financiarisht pjesëtarë të shërbimeve sekrete të Serbisë dhe ato të policisë apo edhe ushtarakët”, ka shpjeguar Elezi.

Gjithashtu, ai ka shtur se Serbia konsiderohet si një nga rrugët kryesore tranzituese për narkotikë në Evropë, duke përforcuar edhe më tej imazhin e një shteti me institucione kriminale që përdorin metoda të ndryshme për të mbajtur kontrollin dhe përfitimin mbi shqiptarët.

“Shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, bëhen objekt i plaçkitjes duke u ndaluar dhe akuzuar për lidhje me politikanë dhe zyrtarë që kanë dhënë kontribut në çështjen e pavarësisë së Kosovës. Këto raste janë shndërruar në justifikim për Serbia që të veprojë kundër shqiptarëve, duke i mbajtur për muaj të tërë në paraburgim derisa të paguajnë shuma të mëdha parash”, ka cilësuar ai.

Në fund, Elezi i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për lëvizje drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo hyrje në Kosovë, duke përmendur opsione si Mali i Zi dhe Italia.

“Është shumë domosdoshme që të marrim në konsideratë këto raste dhe qytetarët tanë të mos lejojnë që t’i plaçkisin duke i mbajtur në paraburgim për kohë të caktuar”, ka përfunduar Elezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat