Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve, ndërsa paralajmëroi përpjekje të reja për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit.
Në një postim të publikuar të dielën në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”.
E këtë deklaratë të Trump për “Bota sot” e komentoi ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
Ai u shpreh se presidenti amerikan është i paparashikueshëm, derisa përmendi investimet e dhëndrit të tij në Beograd.
“Pyetja është shumë e vështirë pasi Trump është i paparashikueshëm dhe shpesh flet budallallëqe. Ai mund të jetë i mërzitur për zhvillimet në Serbi në lidhje me investimet e dhëndrit të tij në Beograd dhe pastaj… ose do të shkojë kundër Beogradit ose anasjelltas do të jetë shumë miqësor për të ushtruar presion mbi autoritetet. Siç u tha, i paparashikueshëm”, deklaroi diplomati holandez.
Në këtë rast, kërkoi nga Kosova që ta formojë sa më parë qeverinë dhe të bashkëpunojë me Trumpin dhe të bëj atë se çka mendon ky i fundit që duhet bërë.
“Kosova duhet të rrijë në qetësi dhe të bëjë atë që është e mirë në sytë e tij. Por, duhet sa më parë të formojë një qeveri, pasi kjo duket shumë keq”, u shpreh Bosch për “Bota sot”.
Krahas kësaj, theksojmë se edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti u deklarau pas mesazhit të Trump, ku tha se:
““Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”.