Kosova në prag të një kompromisi historik? Njohësit: Ja pse paralajmërimi i Trump-it nuk është i rastësishëm

Politika

Kosova në prag të një kompromisi historik? Njohësit: Ja pse paralajmërimi i Trump-it nuk është i rastësishëm

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 qershor 2025 Në ora: 18:57
Presidenti amerikan, Donald Trump

Tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet mes Iranit dhe Izraelit, kanë rikthyer vëmendjen e botës edhe te Kosova dhe Serbia.

Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka thënë se ai do  “do ta zgjidh” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, konflikti mes dy vendeve ishte gati të shpërthente, por se të njëjtin arriti ta ndalojë.

Në këtë kontektst ai ka thënë se edhe Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, në të njëjtën mënyrë si India dhe Pakistani, duke ndaluar konfliktin e drejtpërdrejtë ushtarak, teksa rikujtoi se si në mandatin e tij të parë Kosova dhe Serbia po shkonin drejt një lufte, por ajo u ndalua nga administrata e tij.

“Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, dhe do të bëjnë një marrëveshje, ashtu siç i bëra të bënin India dhe Pakistani, në atë rast duke përdorur TREGTINË me Shtetet e Bashkuara për të sjellë arsye, kohezion dhe mendje të shëndoshë në bisedime me dy udhëheqës të shkëlqyer të cilët ishin në gjendje të merrnin shpejt një vendim dhe të NDALOJNË!

Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!). Një rast tjetër është Egjipti dhe Etiopia, dhe lufta e tyre për një digë masive që po ndikon në lumin madhështor Nil. Ka paqe, të paktën për momentin, për shkak të ndërhyrjes sime, dhe do të mbetet kështu! Po kështu, do të kemi PAQE, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani. Unë bëj shumë, dhe nuk marr kurrë merita për asgjë, por kjo është në rregull, populli e kupton. bëjeni lindjen e mesme të madhe përsëri!”, ka shkruar Trump.

Anëtarësimi në KIE, kompromis i Kosovës?

Ish- ambasadori dhe ish- negociatori Avni Arifi, thotë se Kosova ka vite që është para vendimeve të mëdha.

Image
Avni Arifi

Sipas tij, dikur ka qenë asociacioni kompromis, ndërsa tani shihet anëtarësimi në Këshill të Evropës.

“Qëndrimin e Presidentit Trump ndaj ish Presidentit Biden e shoh si një mospajtim me Biden i cili marrëveshjen e Uashingtonit e kishte anashkaluar dhe ishte rifokusuar tek dialogu i Brukselit i udhëhequr nga BE. Kosova ka vite që është para vendimeve të mëdha por të cilat nuk kanë ndodhë në mes tjerash si rezultat i mungesës së guximit dhe mungesës së koncenzusit të brendshëm. Ata që ishin më parë pothuajse u akuzuan për tradhti kurse këta që janë e që le njohje por kishin premtuar bashkim kombëtar veç e kanë dëmtuar Kosovën. Dikur asosiacioni shihej si kompromis i Kosovës për njohje reciproke e sot shihet si kompromis për anëtarësim në Këshill të Evropës. E vështirë nga kjo perspektivë me kuptuar çka do të nënkuptonte Trump me kompromise të mëdha”, deklaron Arifi për “Bota sot”.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Beogradit t’i ushtrohet trysni që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur më 2023.

Në pyetjen se nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, Kurti gjithashtu përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Kosova në fazë presioni, monedhë pazari dhe ‘këshillat’ për liderët

Ndërsa, analisti dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Eduard Gashi, thotë se deklarata e Trump duhet të kuptohet në një kontekst shumë më të gjerë.

Sipas tij, deklarata mund të nënkuptojë edhe rikthimin e një qasje më transaksionale dhe unilaterale.

Image
Eduard Gashi

“Paralajmërimi i Donald Trump se do të “rregullojë” vendimet e “marrëzishme” të Joe Biden sa i përket çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të kuptohet në një kontekst shumë më të gjerë sesa thjesht një rivalitet brenda politikës së brendshme amerikane. Ai ka pasoja direkte dhe indirekte për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe përparësitë strategjike të SHBA-ve në raport me BE-në dhe fuqitë tjera ndërkombëtare si Rusia dhe Kina. Në vijim paraqes një analizë të thelluar politike dhe strategjike mbi këtë çështje:

Deklarata e Trump për “rregullimin” e vendimeve të Biden mund të nënkuptojë rikthimin te një qasje më transaksionale dhe unilaterale, si ajo që pamë gjatë mandatit të tij të parë. Kujtojmë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila ishte një dokument me shumë elemente ekonomike, por që thellë në thelb kërkonte një normalizim të marrëdhënieve sipas interesave strategjike amerikane, jo domosdoshmërisht sipas interesave të popujve lokalë.

Trump mund të shohë çështjen Kosovë-Serbi si një mundësi për “sukses diplomatik të shpejtë”, sidomos nëse ia del të shtyjë për një marrëveshje përfundimtare, edhe nëse ajo do të përfshijë kompromise të rënda për Kosovën – përfshirë autonominë e thellë për komunat me shumicë serbe, bashkëadministrim të veriut, apo edhe ndryshime simbolike në kushtetutshmëri, që e vendosin shtetësinë e Kosovës në pozita më të brishta”, deklaron Gashi.

Sipas tij, Kosova gjendet në një fazë të re të presionit ndërkombëtar dhe rrezikon të përdoret si monedhë për të përfituar më shumë në negociatat me Izraelin apo për të rritur ndikimin në Ballkan.

“Po Kosova është në prag të vendimeve të mëdha dhe kompromiseve të rënda . Kosova ndodhet në një fazë të re të presionit ndërkombëtar, të ushtruar përmes dy mekanizmave:

• Presioni nga BE dhe SHBA për ta zbatuar Asociacionin dhe për të “përmbyllur” marrëveshjen e Ohrit, ndonëse Serbia nuk e ka zbatuar asgjë.

• Presioni diplomatik nga mosnjohjet – BE nuk po i jep liberalizim të plotë, NATO nuk po e integron, dhe anëtarësimi në OKB mbetet bllokuar – duke e mbajtur Kosovën në një pozitë të dobësisë. Nëse Trump kthehet në pushtet, është e mundshme që ai do të kërkojë një marrëveshje që mund ta “shesë” si sukses diplomatik ndërkombëtar – dhe Kosova rrezikon të përdoret si monedhë e shkëmbimit, për të përfituar më shumë në negociatat me Izraelin, Iranin, apo për të rritur ndikimin në Ballkan”, thekson analisti.

I pyetur sesi duhet të sillet shteti i Kosovës karshi këtyre kompromiseve, ai jep ‘sugjerimet’ e tij.

“a) Të mos e idealizojë asnjë administratë amerikane

Qasja naive që “SHBA është gjithmonë me ne” është e rrezikshme. Politika është interes, jo dashuri. Kosova duhet të rishikojë marrëdhëniet me çdo administratë amerikane në bazë të interesit kombëtar, jo emocioneve historike.

b) Të forcojë legjitimitetin e brendshëm

Nëse Kosova hyn në negociata të reja të thella me Serbinë, pa konsensus kombëtar, pa mbështetje të plotë të popullit, dhe me institucione të brishta, rrezikon që çdo marrëveshje të jetë e kontestueshme. Duhet unitet politik minimal në çështjet e interesit kombëtar dhe mbështetje e gjerë qytetare për vijat e kuqe.

c) Të kërkojë garanci të qarta ndërkombëtare

Nëse pranohet ndonjë kompromis (si Asociacioni), atëherë duhet të jetë i qartë dhe i kufizuar në kompetenca, pa fuqi ekzekutive dhe pa mundësi bllokimi të shtetit. Dhe çdo kompromis duhet të vijë me njohje formale nga Serbia dhe ulëse në OKB – përndryshe është dorëzim pa përfitim.

d) Të lidhet me aleatët europianë të pavarur nga Rusia

P.sh. Gjermania, Franca, Italia – duhet të bëhen aleatë të konsoliduar, për të mos lënë që Kosova të jetë “projekt ekskluziv amerikan” që mund të përdoret si kartë negociuese.

e) Të luajë kartën izraelite me kujdes

Trump ka përmendur Kosovën në kontekstin e paqes Izrael-Iran. Nuk është rastësi. Kosova ka njohur Izraelin – një akt me shumë pasoja. Kjo njohje mund të përdoret si instrument në lojë më të gjerë. Kosova duhet të shmangë përfshirjen në lojëra gjeopolitike të Lindjes së Mesme, që nuk i takojnë”, thekson Gashi.

Ai e sheh Kosovën në rrezik, gjersa jep rekomandime edhe për liderët e Kosovës..

“Konkluzion: A jemi në rrezik?

Po, Kosova është në rrezik real që të detyrohet të bëjë kompromise që dobësojnë shtetësinë, sidomos nëse përballet me një aleat si Trump, i cili sheh në këtë konflikt një mundësi për poena personalë dhe jo për zgjidhje të drejtë.

Rekomandim për liderët kosovarë:

• Qartësi në vijat e kuqe kombëtare.

• Transparencë me qytetarët dhe diaspora.

• Diplomaci e fuqishme parlamentare dhe ekzekutive.

• Forcim i shtetësisë në çdo aspekt të brendshëm – ekonomisë, drejtësisë, sigurisë.

• Përgatitje për çdo skenar: edhe për një marrëveshje të detyruar, por edhe për rezistencë në rast shkeljes së parimeve.

Në fund të fundit: çdo kompromis që nuk ruan integritetin territorial, sovranitetin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, nuk është marrëveshje – është kapitullim. Dhe historia ka treguar se Ballkani nuk i fal asnjë kombi aktet e nënshtrimit. Kosova duhet të jetë më e mençur se kurrë”, përfundon Gashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat