Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kjo bllokadë e ka lënë vendin pa institucione të reja, duke krijuar një ngërç politik dhe një krizë institucionale.
Rëndom si javët e fundit, deputetët u mblodhën të dielën, për herë të 32 radhazi, ku u larguan shpejt pa ofruar zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik.
Theksojmë se, çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Mirëpo, ajo çka tërhoqi vëmendje në seancën e së dielës, ishte pjesëmarrja e deputetëve në sallë.
Aty dukshëm, u pa një interesim i vogël nga deputetët edhe për të marrë pjesë, lërë më për të ofruar ndonjë zgjedhje.
Në Kuvend, ishin të pranishëm vetëm 75 deputetë, nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e 45 deputetëve është shqetësuese, ku në një mënyrë konfirmojnë se nuk e kanë edhe aq primare detyrën për konstituimin e Kuvendit.
Por, në këtë bllokadë të krijuar, çfarë sinjali po japin të zgjedhurit e popullit me mospjesëmarrjen e tyre në seanca konstituive?
Qarri: Njerëz të tillë nuk i duhen këtij vendi dhe Kosova domosdo duhet të shkojë në zgjedhje të reja
E në lidhje me këtë, temë për “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.
Si fillim, ai tha se deputetët në Kuvendin e Kosovës janë bërë shumë të mërzitshëm, sa që as zgjedhjet e reja nuk mund ta zhbllokojnë situatën e krijuar.
Po ashtu, nuk i kurseu kritikat për të zgjedhurit e popullit, ku tha se duke mos formuar institucionet, ata po e keqpërdorin votën e qytetarëve.

“Në fakt kjo legjislaturë turpi është bërë aq e mërzitshme për qytetarët, sa që vetëm zgjedhjet e reja mund ta spastrojnë kaosin e shkaktuar dhe nxjerrin vendin nga bllokada e krijuar prej tyre, ngase edhe po u zgjodh ngërçi pas 32-33 dështimeve, askush më, nuk do të ndihet i kënaqur as i sigurt me përfaqësues të tillë të dështuar dhe një Kuvend të përbërë nga deputetë putha-dorë si këta, pa uni dhe pa guxim veprimi të pavarur parlamentar edhe kur bëhet fjalë për interesat madhore të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Deputetë frikacakë të cilët po keqpërdorin votën e qytetarëve për ta lënë vendin pa institucione dhe rrezikuar humbjen e 880 milion eurove nga Fondi i BE-së, të parapara për Kosovën, shkaku i moskonstituimit të Kuvendit dhe pengesës për krijimin e institucioneve legjitime shtetërore të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në Republikën e Kosovës”, nënvizoi ai.
Krahas numrit të vogël të deputetëve pjesëmarrës në Kuvend, Qarri u shpreh se kjo tregon papërgjegjshmëri dhe neglizhencë ndaj institucioneve të vendit.
Po ashtu, përmendi edhe rrogat dhe meditjet që marrin në vazhdimësi.
“Për aq më tepër siç u pa edhe në seancën e 15 qershorit, e cila ashtu siç edhe pritej-dështoi për të 32-tën herë, edhe prania e deputetëve në seancë, ra në vetëm 75 deputetë, gjë që flet qartë se deputetët e dështuar, e kanë harruar fare obligimin e tyre kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe hapjen rrugë, krijimit të institucioneve legjitime shtetërore, duke u dhënë pas qejfeve personale, pushimeve verore dhe ahengjeve familjare, jo vetëm duke neglizhuar bllokadën mbi 4 mujore të parlamentit, por mese 45 prej deputetëve, duke mos u paraqitur fare as në seancat 5 minutshe, të Kuvendit prej të cilit vijojnë të marrin rroga e mëditje të majme për veti dhe paga mujore prej 900 eurove për asistentët, pa asnjë minutë punë as kontribut në konstituimin e legjislativit, as për shtetin as për qytetarët, megjithatë vetëm për një muaj Kosova duhet t’i paguaj, për ta, mbi 296.880 Euro.
Mjafton të vihet në dukje vetëm fakti tipik, se po këta 120 deputet dështak, të cilët kanë bllokuar krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, për mospunën e tyre dhe bllokadën e Kuvendit, marrin secili nga ta, hiq më pak se 1859 euro rrogë mujore, që i bie mbi 223 mijë e 80 euro brenda një muaji vetëm për deputetët, ndërsa me sa dihet deri më tani, ata kanë edhe 82 asistentë të cilët nga shteti paguhen nga 900 euro ose 73.800 euro në muaj vetëm për 82 asistentët, nëse në ndërkohë nuk është rritur numri i tyre dhe të ketë edhe më shumë asistent”.
Tutje, analisti potencoi se Kosova po e ‘paguan’ bllokadën e institucioneve, me deputetë të papërgjegjshëm.
Sipas tij, situata e krijuar ësë shumë shqetësuese dhe fajtorë janë ata që populli i zgjedhin të jenë pjesë e Kuvendit.
“Kjo nënkupton se Kosova për deputetët shterp dhe asistentët kot-që ata mbajnë, pa asnjë nevojë dhe pa kontribuar asgjë, madje duke bllokuar edhe konstituimin e Kuvendit dhe penguar krijimin e institucioneve legjitime të shtetit, dështimet e njerëzve të tillë, Kosova duhet ti paguaj për një muaj me mbi 296.880 Euro, pa kontribuar me asgjë për qytetarët, ata të cilët kanë bllokuar krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Vetë mospjesëmarrja e mbi 1/3-tës së deputetëve as në seancat 5 minutëshe të parlamentit dëshmon qartë se sa shqetësuese është gjendja e krijuar nga deputetët dështak në Kuvend të cilët përveçse po neglizhojnë në vijimësi bllokadën e Kuvendit, ata po dëshmojnë se as që preokupohen fare, për mungesën e institucioneve legjitime të Kosovës dhe si çështje me prioritet për ta, kanë pushimet verore, por jo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të shtetit, as punën të cilën ata nuk e bëjnë fare, përveç paraqitjes formale pesëminutëshe, jo për ta zgjidhur ngërçin por për ta bojkotuar krijimin e institucioneve shtetërore, të Kosovës”, nënvizoi Qarri.
Ndër të tjera, ai shtoi se vendi duhet gjithsesi të shkojë në zgjedhje të reja, pasi vlerëson se nuk ka zgjidhje tjetër për ta kaluar këtë ngërç politik.
Madje, ai përmendi edhe dëmet që po i shkaktohen Kosovës dhe qytetarëve të saj nga kjo situatë e krijuar.
“Andaj njerëz të tillë nuk i duhen këtij vendi dhe Kosova medoemos duhet të shkojë në zgjedhje të reja, për daljen nga ngërçi dhe shpëtimin e saj nga njerëz të tillë të kapur e të korruptuar anti-institucional, të cilët shihet hapur se qëllim të vetëm kanë lënien e vendit pa institucione, duke emëruar edhe asistent, pa asnjë nevojë, që ta bëjnë zhvatjen sa më groteske të shtetit dhe parave të taksapaguesve të varfër pa kontribuar me asgjë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
Duke qenë se kjo legjislaturë turpi, vërtetë është bërë shumë e mërzitshme për qytetarët, vetëm zgjedhjet e reja mund ta spastrojnë gjendjen e krijuar dhe nxjerrin vendin nga bllokada 4 mujore, për të sjellë njerëz me dinjitet dhe guxim veprimi të pavarur parlamentar, kur bëhet fjalë për interesat madhore të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës dhe jo të presim ndryshim nga ata që derisa marrin mbi 1859 euro rrogë mujore për vete dhe nga 900 euro pagë mujore për asistentët, bllokojnë konstituimin e Kuvendit dhe rrezikojnë humbjen e 880 milion eurove nga Fondi i BE-së, të parapara për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, shkaku i mosvotimit për konstituimin e Kuvendit dhe pengesave të ngritura qëllimisht nga ata, kundër krijimit të institucioneve legjitime shtetërore”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Deputetët aktual nuk meritojnë më votën, duhet të ndëshkohen për papërgjegjësi
Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti u shpreh se do të bie edhe më shumë numri i deputetëve pjesëmarrës në seanca konstituive.

Sipas tij, kjo për shkak se janë pushimet verore dhe se tanimë veç po dihet se si po përfundon seanca konstituive, ende pa filluar mirë.
“Besoj se ky numër do të bie edhe më shumë, tani që janë pushimet verore. Shto këtu faktin se deputetët veçse e dinë si do të shkojë seanca, andaj dhe nuk e shohin të arsyeshme të shkojnë. Për më tepër që edhe meditje nuk marrin, megjithatë duke harruar faktin se e kanë obligim”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, analisti tha se pavarësisht çdo gjëje, deputetët e kanë obligim të ofrojnë zgjidhje për dalje nga bllokada dhe jo t’iu ikin përgjegjësive të tyre.
“Ata paguhen për të shkuar në seanca, pavarësisht se cili do të jetë fundi i saj, apo pavarësisht nëse prodhon apo jo rezultate. Këta deputetë e kanë edhe obligim me ba zgjidhje, jo me iu ik përgjegjësive. E turpshme dhe krejtësisht e pafalshme. Mendoj se të gjithë këta deputetë aktual nuk meritojnë më votën, duhet të ndëshkohen për papërgjegjësi”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.