Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve, ndërsa paralajmëroi përpjekje të reja për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit.
Në një postim të publikuar të dielën në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”.
E në lidhje me këtë deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folu avokati serb, Cedomir Stojkoviq.

Fillimisht, ai u shpreh se me këtë deklaratë Trump e paraqiti vetëm si një ndërmjetësues të aftë për marrëveshje, e që kjo ka rëndësi edhe për publikun amerikan.
“Së pari, e konsideroj deklaratën e Trump në kontekstin në të cilin u dha, dhe ky kontekst është se ai e lavdëroi veten si një ndërmjetësues marrëveshjesh i aftë për të bindur palët e huaja të arrijnë marrëveshje. Është shumë e rëndësishme për të që publiku amerikan ta shohë atë si një autoritet që vendet e tjera e kanë frikë, dhe postimi i tij u bë në këtë kuptim”, deklaroi avokati.
Krahas kësaj, Stojkoviq komentoi edhe pretendimet e Trump se me Biden në kry të shtetit, raportet SHBA-Kosovë janë ‘ftohur’.
“Nga ana tjetër, pretendimi i Trump se vendimet e administratës Biden dëmtuan arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, sipas mendimit tim, i referohet vetëm një gjëje që Trump mund të ketë menduar, dhe kjo është ftohja e mëparshme e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Prishtinës. Me fjalë të tjera, mendoj se Trump po e kritikon atë vendim nga administrata Biden. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse analizojmë Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, nga e cila mund të shohim qëllimin e administratës së atëhershme Trump për të çuar gjërat përpara përmes projekteve konkrete ekonomike, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të afroheshin përmes iniciativave ekonomike”, shpejgoi ai.
Ndër të tjera, avokati serb potencoi se çështjet e Ballkanit për Trump, u bënë fokus në fund të mandatit të kaluar.
Madje, tregoi se si mund të ndodhë përmirësimi i raporteve Kosovë-Serbi, duke theksuar se presidenti amerikan duhet të ofrojë përfitime ekonomike të mëdha, në mënyrë që asnjëra palë të mos mund t’i refuzonte.
“Megjithatë, Serbia dhe Kosova u bënë në fokus të Trump vetëm drejt fundit të mandatit të tij të mëparshëm. Kjo ishte në rrethana kur Rusia ende nuk e kishte pushtuar Ukrainën, dhe Izraeli nuk ishte në luftë me Iranin. Unë besoj se marrëdhëniet tona në Ballkan, janë në një prioritet më të ulët për Trump në këtë mandat sesa ishin në atë të mëparshim. Por, edhe nëse Trump do ta adresonte këtë çështje, besoj se kjo do të ndodhte përmes ngrohjes së marrëdhënieve si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë, duke ofruar burime të konsiderueshme ekonomike që asnjëra palë nuk mund t’i refuzonte”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.