Bota po “vlon” nga konfliktet!
Tensionet globale po arrijnë një pikë kritike, teksa bota përballet me një sërë konfliktesh të rrezikshme që po ndikojnë direkt në sigurinë ndërkombëtare. Pas luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, një tjetër përplasje e rrezikshme po merr hov në Lindjen e Mesme.
Së fundmi, Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave në territorin iranian, duke rritur ndjeshëm frikën për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak mes dy vendeve, që prej kohësh ndodhen në një marrëdhënie armiqësore.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar – vendet e mëdha po bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje
Si duhet te sillet Kosova pas zgjerimit të konflikteve në Lindjen e Mesme?
Pas nisjes së këtij konflikti a mund të jetë vendi i rrezikuar qoftë nga Serbia apo edhe nga radikalizmi?
Një sfidë serioze për arkitekturën globale të sigurisë, përfshirë edhe shtetet e vogla si Kosova
Prof. dr. Muhamet Racaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se zgjerimi i konflikteve në Lindjen e Mesme, si ai Izrael-Iran, kërkon që Kosova të rishikojë strategjinë e saj të sigurisë.
Në këtë kontekst, ai thotë se vendi duhet të fokusohet në: forcimin e mbrojtjes, zhvillimin e FSK-së sipas standardeve të NATO-s, thellimin e bashkëpunimit me SHBA dhe NATO.

“Zgjerimi i konflikteve në Lindjen e Mesme – si ai midis Izraelit dhe Iranit – përbën një sfidë serioze për arkitekturën globale të sigurisë, por edhe për shtetet e vogla e të brishta si Kosova. Ky kontekst ndërkombëtar e bën të domosdoshëm një rishikim të pozicionimit strategjik të Kosovës në tri drejtime:
1. Forcimi i mbrojtjes dhe rritja e investimeve në siguri: një domosdoshmëri strategjike
Po, në kushtet aktuale dhe në dritën e zhvillimeve të mundshme në Lindjen e Mesme, Kosova duhet të intensifikojë investimet në sektorin e mbrojtjes. Për disa arsye ky veprim është i justifikuar:
• Mbrojtja është garancia e sovranitetit. Nëse krizat ndërkombëtare zmadhohen, rreziku që fuqitë rajonale, si Serbia, të shfrytëzojnë momentin për veprime destabilizuese, është real.
• Zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në pajtim me standardet e NATO-s, është mënyra më e mirë për të rritur qëndrueshmërinë e brendshme dhe për të ndihmuar edhe në misione ndërkombëtare.
• Duhet të rritet bashkëpunimi me partnerët strategjikë, veçanërisht SHBA dhe shtetet kryesore të NATO-s, për ndihmë teknologjike, trajnime dhe pajisje moderne”, thotë ai.
Tutje, thotë se pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, Kosova mund të përballet me dy rreziqe kryesore, kërcënimi nga Serbia dhe radikalizmi islamik.
“Po, pas fillimit të një konflikti të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, Kosova potencialisht mund të përballet me dy lloje kërcënimesh të ndërlidhura:
• Kërcënimi nga Serbia: Serbia mund të përpiqet të instrumentalizojë tensionet globale për të shtuar trysninë ndaj Kosovës, përmes retorikës agresive, operacioneve hibride, dezinformimit dhe provokimeve të mundshme ushtarake në veri. Kjo kërkon:
• Rritje të vigjilencës së inteligjencës,
• Koordinim më të ngushtë me KFOR-in dhe NATO-n,
• Zgjerim të diplomacisë ndërkombëtare për të ndalur përpjekjet destabilizuese serbe.
• Radikalizmi islamik: Çdo përshkallëzim në Lindjen e Mesme mund të shërbejë si motivues për grupe radikale që tashmë janë nën monitorim në Kosovë. Megjithëse institucionet e sigurisë dhe komuniteti islam kanë bërë përparim në parandalimin e ekstremizmit, rritja e tensioneve mund të nxjerrë në pah elementë të fjetur. Prandaj:
• Duhet të forcohet siguria kibernetike dhe monitorimi online i narrativave radikale,
• Të bashkëpunohet ngushtë me shërbimet e huaja të inteligjencës,
• Të thellohet partneriteti me Bashkësinë Islame të Kosovës për promovimin e mesazhit kundër ekstremizmit”, deklaron Racaj.
Në fund, Racaj shprehet se Kosova duhet të veprojë me maturi dhe vigjilencë, duke forcuar mbrojtjen, sigurinë e brendshme dhe aleancat ndërkombëtare.
Ai thotë se nevojitet një strategji proaktive e sigurisë, që përgatit vendin për çdo skenar, pa nxitur panik.
“Kosova duhet të reagojë me mençuri, maturi dhe vigjilencë strategjike. Forcimi i mbrojtjes, rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe konsolidimi i sigurisë së brendshme janë shtyllat përballë një realiteti gjithnjë më të paqëndrueshëm global. Në kohë të pasigurta, shtetet e vogla nuk kanë luksin të jenë neutrale ose të papërgatitura.
Në vend të një qasjeje reaktive, Kosova duhet të ndërtojë një strategji proaktive të sigurisë kombëtare, që e përgatit për çdo skenar, por pa krijuar panik” – përfundon ai.
Bilalli: Serbia do shfrytëzonte çdo ndryshim
Lutfi Bilalli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare në një përgjigje për “Bota sot”, tha se lufta Iran-Izrael rrezikon sigurinë globale dhe rajonale, ndaj Kosova duhet të qëndrojë në linjë me qëndrimet euro-atlantike.

Ai thotë se, Serbia mund të shfrytëzojë krizën për provokime apo destabilizim. Prandaj, Kosova duhet urgjentisht të rrisë vigjilencën, investimet në mbrojtje dhe bashkëpunimin ushtarak me aleatët.
Tutje, potencon se siguria kombëtare kërkon përgatitje strategjike, planifikim afatgjatë dhe forcim të kapaciteteve ushtarake, përfshirë mundësinë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
“Lufta Iran-Izrael po hynë në fazën e rrezikshme jo vetëm për sigurinë rajonale në Lindje të Mesme por edhe edhe për atë globale! Kosova dhe institucionet e shtetit tonë rreth kësaj lufte duhet të jenë në dakord në qëndrimet evropiane dhe amerikane mbase jemi në rrethin e korpusit të interesave gjeopolitike të perëndimit që përputhen me interesat tona kombëtare. Pra, Kosova rreth këtij konflikti duhet të sillet në sinkron me qëndrimin euro-atlantikë. Çdo konflikt me përmasa të mëdha në gjeopolitikën botërore ka impakt edhe në regjionin tonë.
Serbia do shfrytëzonte çdo ndryshim dhe angazhim që amerikanët mund të kenë në luftërat apo krizat në vatrat e tjera në botë, pra Serbia ndaj shtetit tonë mund të përdor: sabotazhe, provokime dhe luftë speciale deri te kërcënimi serioz për të ndërhyrë në Kosovë. Pra Serbia mund të aplikoj skenar të ndryshëm për të eskaluar ndonjë konflikte të mundshëm.
Kosova me urgjencë duhet të ngrit nivelin e vigjilencës por jo vetëm kaq, por duhet të rriten investimet në mbrojtje me shpejtësi ngase sot jetojmë në një epokë të pasigurisë totale në nivel botëror. Sot investimet në mbrojtje janë domosdoshmëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi ushtarak me shtetet aleate duhet të jetë synim i ngutshëm. Një shtet serioz punon planifikon dhe përgatitet për çdo sfidë: obligimi ushtarak të bëhet i detyrueshëm bashkë me importim të teknologjisë ushtarake”, shprehet ai.
Sipas Bilallit, Kosova mund të përballet me ngecje në zgjerimin e njohjeve për shkak të fokusit global te krizat dhe luftërat.
Ai se përjashton as rrezikun nga ekstremizmi fetar, edhe pse mbetet i ulët. Në këtë kontekst, Kosova duhet të përqendrohet te siguria dhe zhvillimi i brendshëm, jo në ndarje tifozësh në politikën globale.
“A ka rrezik që Kosova të ketë ngecje në zgjerimin e njohjeve, hë për hë po mbase fokusi i gjithë botës dhe shteteve është i fokusuar në problematika tjera; në kriza dhe luftëra me pasoja për gjithë rendin dhe sigurinë ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket rrezikut nga ekstremizmi (fetar) mund të shfrytëzohet nga qendra të ndryshme për ndonjë aktivitet terrori por mendoj se gjasat janë të vogla por jo edhe të pamundshme. Kosova ka nevojë të ndërtojë sigurinë edhe zhvillimin e vet jo tifozrinë se kush janë të mirët dhe të këqijtë në këtë botë, mbase edhe ashtu kështu ne nuk jemi determinuesit të rendit ndërkombëtarë. Të jemi dhe ta duam shtëpinë tonë duke u lutur për paqe për të gjithë në botë” – përmbyll ai.