Kosova tash e sa muaj është futur në një krizë të thellë politike. Pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tash e 4 muaj, partitë politike nuk po hezitojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin e procesit.
Përkundër të drejtës që e ka fituar nga zgjedhjet e 9 shkurtit për të propozuar kryetarin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje deri tani nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun.
E në mungesë të një marrëveshjeje politike, mundësia e zgjedhjeve të reja po përmendet gjithnjë e më shpesh si zgjidhje e fundit.
Por analistët dhe njohësit e çështjeve politike shprehen skeptikë se shkuarja në zgjedhje të reja mund të ndryshojë situatën.
Sipas tyre, është e pamundur që një parti të sigurojë shumicën që të qeverisë e vetme.
Krizë e re
Analisti Afrim Kasolli thotë se shkuarja në zgjedhje të reja, pa u votuar njëherë formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është konfirmim i një krize të re dhe të paparë deri më tani në vendin tonë.

“Në fakt, nëse shkohet në zgjedhje të reja parlamentare pa u votuar një qeveri e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo do të ishte konfirmim i një krize të ‘re’ dhe të paprecedent politike në Kosovë, sidomos në periudhën e pas pavarësisë. Në fund të fundit, është e vërtetë se të gjitha qeveritë në Kosovë që prej se u shpall shteti, nuk ia kanë dalë ta përfundojnë mandatin e plotë kushtetues, me përjashtim të kësaj të fundit, por është hera e parë që do të kalonim nga zgjedhjet në zgjedhje pa qenë në gjendje që forcat politike t’i krijojnë institucionet përfaqësuese. Dhe ky paradoks, përpos si shprehje e fragmentarizimit të skenës politike, është më shumë pasojë e shpenzimit të të gjitha levave të bashkëpunimit ndërmjet tyre”, shprehet Kasolli për “Bota sot”.
“Natyrisht, nëse nuk gjendet asnjë opsion tjetër, atëherë nuk bën të përjashtohen as zgjedhjet e reja, ndonëse personalisht nuk jam avokues i tyre. Megjithatë, është në vullnetin dhe dorën e partive aktuale parlamentare se a do të ndjekin këtë mundësi të fundit për ‘shtegdalje’ nga kriza”, shton Kasolli.
Më tej, ai thotë se edhe në rast se shkohet në zgjedhje të reja, është pak e besueshme që një parti mund ta fitojë shumicën që të qeverisë e vetme.
“Mirëpo një gjë duhet të dihet: se është iluzore të mendohet se një subjekt i vetëm do t’i fitojë zgjedhjet, ashtu siç kishte ndodhur në vitin 2021 nga Lëvizja Vetëvendosje, për të qenë në gjendje që të qeverisë vetëm me partitë minoritare. Pra, edhe nëse shkohet në këtë opsion, përsëri do të nevojitet një marrëveshje politike me qëllim të krijimit të një shumice parlamentare. Pa këtë të fundit do të përsëritet i njëjti skenar që po e shohim aktualisht”, thekson Kasolli.
“Dhe nëse kjo është e domosdoshme, pse duhet shpenzuar kohë, financa dhe resurse etj., për të ardhur në atë situatë e cila mund të bëhet edhe sot? Kuptohet, në këtë drejtim përgjegjësia kryesore i takon partisë fituese të zgjedhjeve”, përfundon për “Bota sot” analisti Afrim Kasolli.
Zgjedhjet e reja si opsion?
Kurse, analisti Nexhat Haziri thekson se zgjedhjet e reja mund të jenë një opsion për të dalë nga ngërçi politik ku është futur Kosova.
“Natyrisht se nëse nuk ka një marrëveshje politike që do të çonte në formimin e institucioneve të reja, zgjedhjet mbesin si zgjidhje për të dalë nga ngërçi politik e institucional”, deklaron Haziri.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri të unitetit, ashtu siç e ka propozuar LDK-ja.
“Por nëse nuk ka, siç thashë më parë, ndonjë marrëveshje politike për koalicion qeveritar, do të ishte shumë më mirë që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin në prillin e vitit të ardhshëm, dhe deri atëherë ne të kemi një qeveri teknike, apo të unitetit, sido që t’i vihet emri – siç është edhe propozim i LDK-së – në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të jetë i përgatitur mirë, dhe deri te ky proces edhe skena politike të jetë më e relaksuar, ndërsa qeveria teknike do të mund t’i kryente disa nga çështjet me prioritet për Kosovën”, thekson Haziri.
Por a mund të ketë një përsëritje të këtij skenari në rast se shkohet në zgjedhje të reja?
“Se a mund të prodhojnë zgjedhjet e ardhshme, të jashtëzakonshme apo parlamentare – kurdo që të mbahen – një situatë të njëjtë siç është tani, kjo mbetet në dorën e qytetarëve të Kosovës, pra të votuesve. Dhe kjo situatë duhet t’u shërbejë edhe këtyre që të mendojnë më mirë, të vlerësojnë më shumë se kujt me votën e tyre po ia japin besimin”, përfundon analisti Nexhat Haziri.