A do t’i kushtojë vëmendje Trump dialogut Kosovë-Serbi? Flasin njohësit

Politika

A do t’i kushtojë vëmendje Trump dialogut Kosovë-Serbi? Flasin njohësit

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 20 qershor 2025 Në ora: 08:03
Albin Kurti dhe Donald Trump

Charles Kupchan, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA dhe njohës i mirë i politikës ndërkombëtare, ka vlerësuar se në rast të rikthimit të Donald Trump në skenën ndërkombëtare, një ndër prioritetet e mundshme të tij në politikën e jashtme mund të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kupchan, Trump po përballet me vështirësi të mëdha në përpjekjet diplomatike për të ndikuar në zgjidhjen e konfliktit Rusi–Ukrainë, si dhe në krizën e zgjatur në Lindjen e Mesme.

Përballë këtyre sfidave të mëdha dhe mungesës së rezultateve konkrete, ai mund të kërkojë një “fitore të shpejtë” apo sukses simbolik në një zonë më të vogël dhe më të menaxhueshme, siç është Ballkani Perëndimor.

 “Tani për tani, askush nuk është në pozicion për të bërë kompromise të vështira, por mendoj se në kohën e duhur, Trump mund të rikthehet për të negociuar një marrëveshje dhe për t’i nxitur Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara me marrëveshjen që ndërmjetësoi Bashkimi Evropian”.

Hadaj: Gjendja politike ka ndryshuar shumë në terren

Anëtari i kryesisë së GUXO, Kujtim Hadaj, deklaron se situata në terren në veriun e Mitrovicës ka ndryshuar ndjeshëm dhe tashmë i shkon më shumë në favor Kosovës sesa Serbisë, e cila deri dje mbështetej në struktura kriminale e terroriste.

Sipas Hadajt, kjo e bën më të lehtë për çdo qeveri – qoftë Kurti apo ndonjë tjetër – të negociojë me Serbinë për marrëdhënie bilaterale dhe paqe afatgjatë. Ai shton se presioni ndërkombëtar ka rënë dhe se, përderisa NATO garanton integritetin territorial të Kosovës, Serbia nuk ka më mundësi reale për kërcënime.

Image
Kujtim Hadaj

“Nga këndvështrimi im gjendja politike ka ndryshuar shumë në terren në veriun e Mitrovicës, dhe kjo i shkon më shumë per shtati Kosovës se sa që e kishte dje Serbia me syrukturat e veta kriminale dhe terroriste në veri të Mitrovicës.

Pra, qeveria Kurti, apo nesër një qeveri tjetër, do ta kenë më të lehtë të negociojnë me Serbinë për marrëdhënie bilaterale dhe për paqe afatgjatë. Një gjë është e sigurt, se Kosova nuk e ka më atë trysninë politike që e kishte deri dje nga lehtësuesit në bisedime të BE dhe SHBA.

Siguria tjetër e madhe është se përderisa NATO e siguron integritetin territorial të Republikës së Kosovës, dhe pa një marrëveshje politike, Serbia nuk e ka asnjë gjasë reale të kërcënoi integritetin tonë territorial. Fundi i këtyre bisedimeve, sot apo nesër, duhet të jetë njohja reciproke si shtetet të pavarura, Kosovë/ Serbi”, përfundon ai.

Mehmeti: Trump është i paparashikueshëm

Opinionisti Gani Mehmeti shprehet në mbështetje të analizës së Charles Kupchan për Donald Trump, duke thënë se ish-presidenti amerikan, megjithëse premtoi ndaljen e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dështoi, dhe konfliktet vetëm sa u përshkallëzuan.

Image
Gani Mehmeti

Sipas tij, Trump është i paparashikueshëm dhe, nëse rikthehet si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme.

Ai thekson se Serbia synon veriun e Kosovës për pasuritë nëntokësore si Trepça, ndërsa flet për faktet që dëshmojnë agresionin serb, si sulmi terrorist në Banjskë (2023), eksplozivi në kanalin e ujit (2024), barrikadat dhe sulmet ndaj KFOR-it.

Mehmeti thekson se serbët në Kosovë janë më të qetë tani se në kohën e strukturave kriminale, dhe do të integroheshin më lehtë po të mos ishte ndikimi i Listës Serbe dhe i Vuçiqit.

“I jap të drejtë z. Charles Kupchan në opinionin e tij rreth Trumpit. Është fakt se ai pati premtuar për ndërprerjen e luftës mes Rusisë e Ukrainës, e cila nuk ndodhi. Siç e ka thënë edhe Kupchan, ai nuk mundi të ndalë luftën as në Lindjen e Mesme, përkuindër, në të dyja këto vende të luftës, vetëm sa u rritën, u shtuan me një intensitet më të lartë luftërat.

Trump është i paparashikueshëm shumë. Atij nuk i dihet shumë. Megjithatë, po shihet se nuk po i ecën puna ashtu si ka menduar para se të vinte në krye të SHBA. Trump ka menduar se do t’i shkojë fjala, se do ta dëgjojnë, për çka idenë e ka pasur mirë, por edhe Putini është që nuk dëgjon, ka lakmitë e veta johumane. Lufta për pushtime tokash të huaja, që nuk janë të tijat, është dehumanizëm. Ai është agresor me luftën në Ukrainë, me të cilën qenë marrë vesh pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Mirë që u zotua për ndërprerje të luftërave si mes Rusisë e Ukrainës ashtu edhe në Luindjen e Mesme, por nuk i ndezi, për fat të keq.

Trump mund të kthehet të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk i dihet se si do të veprojë, sa do të jetë i drejtë dhe si e mendon marrëveshjen mes këtyre dy shteteve. Serbia do të përpiqet të mos e lëshojë veriun e Kosovës, duke u “arsyetuar” për interesimin e serbëve në Kosovë, por qëllim e ka pushtimin ose marrjen përmes negociatave.

Këtu Kosova duhet të jetë shumë e vemendshme, duke i paraqitur faktet historike dhe shtrirjen e shqiptarëve në gjithë Serbinë e sotme dhe se, Serbia e tëra është në tokat shqiptare, prandaj nuk mund të japë më territore. Duhet t’i tregojë se po në veriun e Kosovës është miniera e Trepçës, shkritorja e saj dhe krejt luftën që e bën Serbia është që të marrë pasuritë nëntokësore të Kosovës, dhe Kosova nuk mund t’i lëshojë dhe se nuk ka tokë për të falur. Fakte për tentim të pushtimit me forcë të veriut të Kosovës nga Serbia janë edhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 dhe në kanalin e ujit me eksploziv në gushtin e vitit 2024, barrikadat e mëhershme, sulmet mbi KFOR-in, ndezjet e objekteve në kufirin mes Kosovës e Serbisë e të tjera.

Vuçiqi do të ankohet për serbët në Kosovë, por duhet argumentuar se ata janë më të qetë e më të sigurt sot sesa në kohën e kriminelëve serbë sa ishin në veriun e Kosovës, për çka vërtetohet se ata do të mund të integroheshin shumë lehtë në Republikën e Kosovës, sikur të mos ndërhynte Vuçiqi përmes Listës Serbe, të cilët mendojinë se si të shkaktojnë incidente  llojesh të ndryshme, për të akuzuar Kosovën dhe policinë e saj”, potencon Mehmeti.

Më tej, rikthimi i Trump si ndërmjetësues mund të sjellë presion për kompromise të pakëndshme ndaj Kosovës, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai thotë se pala e Kosovës duhet të kërkojë garanci që ai të mos ketë fuqi ekzekutive apo mundësi për referendum, por të mbetet vetëm një bashkëpunim në kulturë, arsim e shëndetësi. Përfundimi i dialogut do të varet nga përgatitja dhe qëndrueshmëria e përfaqësuesve kosovarë ndaj trysnisë së Trump.

“Po. Trump mund të rikthej dialogun mes Kosovës e Serbisë. Këtu, gjithsesi do të bisedohet por se si do të përfundojë, sa do të jetë ai i drejtë, varet edhe prej gjindshmërisë të atyre që do të përfshihen në bisedime nga Kosova, sa do të jenë të përgatitur dhe sa do të mund të rezistojnë trysnisë që do të bëjë Trumpi.

Do të përpiqet të mbështesë marrëveshjen e BE, nëse nuk ia del, atëherë ka gjasa të bëjë kërkesa të tjera amerikane.

Po, me rifillimin e bisedimeve nga Trumpi, mund të priten edhe kompromise të pakëndshme e të paqëndrueshme për Kosovën, nga që Trumpit nuk i dihet dhe me të vegjlit ai do të manovrojë të vendoset ashtu si thot ai. E si thotë, kjo mbetet të shihet.

Me insistimin e Serbisë, Trumpi do të kërkojë themelimin e Asociacuionit të komunave me shumë serbe. Për të ardhur deri tek themelimi i tij, pala kosovare duhet të kërkojë garancione me shkrim nga Trumpi se nuk do të jetë një Republikë Serbe e Bosnjes, se nuk do të ketë fuqi ekzekutive dhe se nuk do të kenë të drejtë për kurrfarë referendumi serb në veri. Ky asociacion mund të themelohet vetëm në bashkëpunimin human mes këtyre komunave si në kulturë, arsim e shëndetësi dhe asgjë më shumë. Pra, asociacioni duhet të jetë një lloj shoqate kulturore, arsimore e shëndetësore, asgjë më shumë”, - përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat