Pas vendimit të Gjykatës, i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli tashmë ka filluar ekzaminimi psikiatrik në Klinikën e Psikiatrisë në Qkuk.
Lidhur me këtë, avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur lidhur me vendimin për ekzaminim psikiatrik të të dyshuarit kryesor në vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli.
Këtë vendim, Syla e ka cilësuar si të ligjshëm nga pikëpamja procedurale, por me tendenca të qarta për zvarritje të procesit dhe shmangie të përgjegjësisë. Sipas Sylës, vendimi i gjykatës për caktimin e ekzaminimit psikiatrik është në përputhje me ligjin dhe është nxitur nga një kërkesë e bërë nga mbrojtja.

“Në lidhje me ligjshmërinë e caktimit të trajtimit apo ekzaminimit psikiatrik të Naim Murselit, konsiderojmë që është vendosur në përputhje me procedurën ligjore, bazuar në kërkesën e mbrojtjes. Në aspektin procedural-ligjor, kjo është një procedurë që nuk ka të meta në thelb, për shkak se në çdo rast kur mbrojtja ngre një pretendim për gjendjen psikike të të mbrojturit të vet, gjykata obligohet që ta shqyrtojë çështjen”, ka thënë ai.
Megjithatë, Syla ka theksuar se kërkesa për ekzaminim duket më shumë si një përpjekje për të zvarritur procesin dhe për të shpërqendruar vëmendjen.
Ai ka përmendur tri arsye kryesore që sipas tij tregojnë mungesën e bazës për një ekzaminim të tillë.
“Por, konsiderojmë që shfrytëzimi i këtij opsioni është bërë më tepër për qëllime të zvarritjes dhe të një keqpërdorimi të mundshëm në këtë procedurë – kjo për disa arsye.
Ndër to, e para: për shkak se Naim Murseli asnjëherë më parë nuk ka pasur një të kaluar apo ndonjë historik që të bëjë të dyshohet se ka pasur ndonjë çrregullim mendor, apo ndonjë të metë mendore, apo paaftësi mendore që do të linte të kuptohej se një person i tillë mund të ketë çrregullim mendor tani.
E dyta: për shkak se Naim Murseli ka qenë një person që ka këshilluar ish-presidentin Behgjet Pacolli. Është e njohur që Naim Murseli ka udhëhequr disa procese në Kosovë dhe jashtë saj.
Më tej, është e njohur që Naim Murseli ka pasur raporte ndërpersonale me persona të nivelit të lartë, qoftë në botën e biznesit, qoftë në atë të politikës.
Dhe, së treti: për shkak se Naim Murseli dyshohet të ketë kryer gjithë këtë vepër penale duke e organizuar me një strukturim jo të thjeshtë. Persona që kanë çrregullime mendore nuk kanë aftësi të ndërveprojnë me shumë persona e aq më pak të planifikojnë kryerjen e një vepre penale në formën që është realizuar në këtë rast.
Pra, të gjitha këto elemente nuk japin asnjë indicie se një person si Naim Murseli, as gjatë seancës gjyqësore, e as gjatë marrjes në pyetje në prokurori, ka dhënë ndonjë shenjë apo tregues që të çonte në dyshimin për ndonjë çrregullim mendor të çfarëdo lloji”, ka deklaruar Syla.
Gjithashtu, Syla nuk e ka përjashtuar mundësinë që ekzaminimi të shfrytëzohet për t’iu shmangur dënimit, duke rikujtuar raste të mëparshme ku ekzaminimet psikiatrike janë përdorur për të liruar të akuzuarit nga përgjegjësia penale apo për t’i ndihmuar të arratisen nga institucionet.
“Si rrjedhojë dhe si përfundim, mund të themi që ky ekzaminim, proceduralisht, është i rregullt. Edhe aktvendimi për t’u nënshtruar një ekzaminimi të tillë është i rregullt. Por, përkundër që është i paraparë me ligj, konsiderojmë se në këtë rast ekziston një tendencë për keqpërdorim, apo për shpërqendrim të vëmendjes në një drejtim tjetër dhe për ta shtyrë në kohë këtë proces, që pastaj mund të keqpërdoret – siç ka ndodhur në situata të mëhershme, ku ekzaminime të tilla psikiatrike janë shfrytëzuar nga mbrojtësit për të liruar nga përgjegjësia palët, për të zvogëluar dënimin apo edhe për t’u ndihmuar atyre që të arratisen nga institucionet shëndetësore.
Në rastin konkret, shpresojmë të mos ndodhë asnjëra nga këto, dhe që kjo të jetë vetëm një nga frikërat dhe shqetësimet e familjes Ademaj dhe të miat si përfaqësues i saj në këtë rast konkret.
Por, duke pasur parasysh që Naim Murseli e di se e pret një dënim me burgim të përjetshëm, konsideroj që ai e ka shfrytëzuar këtë mundësi së bashku me mbrojtjen e tij, si një hap apo mekanizëm të fundit që ka në dispozicion – që është ekzaminimi psikiatrik”, ka potencuar ai.
Në fund, ai ka shprehu shpresën që kjo të mos jetë një strategji e tillë në rastin e Murselit dhe se Instituti i Psikiatrisë Forenzike do të kryejë një ekzaminim të drejtë dhe profesional.
“Duke shpresuar që asnjëra nga shqetësimet e palës së dëmtuar nuk do të realizohen, shpresojmë që, ashtu siç është zhvilluar hetimi, është ngritur aktakuza dhe është duke u zhvilluar procedura gjyqësore, edhe kjo fazë të përfundojë në mënyrën më profesionale të mundshme, ku Instituti i Psikiatrisë Forenzike do të ofrojë një ekzaminim të saktë, të plotë dhe të drejtë.
Të konstatojë atë që të gjithë e dimë dhe e kemi parë: që Naim Murseli është një person që nuk ka pasur çrregullime mendore dhe që nuk ka arsye që kjo të kthehet si çështje në gjykatë, por të trajtohet në merita dhe ai të marrë dënimin e merituar sipas ligjit”, ka përfunduar Syla për “Bota sot”.