Rikthimi i mundshëm i Donald Trump në skenën ndërkombëtare po ngjall debat rreth prioriteteve që administrata e tij e ardhshme mund të ketë në politikën e jashtme.
Charles Kupchan, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA dhe njohës i mirë i zhvillimeve globale, ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një ndër çështjet që Trump do të përpiqet ta shtyjë përpara.
Në një kohë kur tensionet globale janë të larta dhe interesimi ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor mbetet i kufizuar, çdo përfshirje e fuqishme e SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin dhe të ardhmen politike të rajonit.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Analisti shpreh skepticizëm lidhur me aftësinë e Donald Trump për të ndërmjetësuar në dialogun Kosovë–Serbi, duke marrë parasysh dështimet e tij të mëparshme në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare si Ukraina dhe Lindja e Mesme.
Ai nënvizon se, ndonëse Trump njihet për veprime të paparashikueshme, rezultatet konkrete të politikës së tij të jashtme kanë qenë të pakta dhe zhgënjyese.
“Ndoshta po, por duke gjykuar nga zhvillimet e fundit ndërkombëtare — lufta në Ukrainë dhe agresioni rus, shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, një luftë e projektuar që prej 45 vitesh — është e vështirë të besohet se këto do të përfundojnë shpejt. Të gjitha këto zhvillime bëjnë që të shtrohet dyshimi mbi deklaratat e ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Kosovën dhe Serbinë, konkretisht ftesën për të dyja palët që të vijnë në Washington për të arritur një marrëveshje.
Megjithatë, duhet kujtuar se Trump është një figurë e paparashikueshme, i njohur për surprizat e tij. Nëse marrim parasysh deklaratat që ka bërë në fillim të mandatit të tij presidencial — apo edhe gjatë fushatës zgjedhore — se do të sillte paqe dhe do ta ndalte luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, apo se do të zgjidhte çështjet në Lindjen e Mesme, përfshirë krizën në Gaza dhe konfliktin Izrael-Hamas, si dhe tani luftën Izrael-Iran, rezultati deri më tani ka treguar se roli i tij ka qenë i pasuksesshëm”, u shpreh ai.
Më tej, analisti sugjeron se Trump mund të përdorë ndonjë befasi sa i përket dialogut Kosovë–Serbi.

Nga ana tjetër, ai kritikon klasën politike në Kosovë për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie, pasi përplasjet e brendshme dhe mungesa e institucioneve legjitime e pamundësojnë një qasje të qëndrueshme në procesin e dialogut dhe në raportet ndërkombëtare.
“Trump mund të ndërmarrë ndonjë iniciativë surprizuese për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, me qëllimin për ta paraqitur atë si një sukses të politikës së tij të jashtme dhe për të tërhequr vëmendjen nga dështimet në fronte të tjera.
Megjithatë, në Kosovë duket se zhvillimet aktuale ndërkombëtare — dhe ato që pritet të ndodhin — nuk po shqetësojnë askënd nga klasa politike. Luftërat e brendshme politike vazhdojnë, institucionet e reja nuk po formohen, Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk është formuar ende një qeveri e re me legjitimitet të plotë.
Pa një qeveri të rregullt, nuk është e mundur t’i qasemi me serioz as dialogut me Serbinë, e as marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.