Qeveria e Kosovës ka njoftuar planin për ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë, në të dy anët e urës kryesore mbi lumin Ibër, për të lehtësuar lidhjen ndërmjet pjesës veriore dhe asaj jugore të qytetit.
Ky projekt është rezultat i një memorandumi bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut.
Megjithatë, ky njoftim ka shkaktuar reagime, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – të cilat kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm të projektit në situatën politike dhe të sigurisë në veri të vendit.
"Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do të shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, kishte njoftuar ministri Aliu.Nga Bashkimi Evropian ka thënë se çdo vendim për çfarëdo ndërtimi përgjatë lumit Ibër, duhet të merret me kujdes.
“BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të”, tha një zëdhënës i BE-së.
Kurse, Lista Serbe, ka thënë se “Kurti po e zbaton me shpejtësi dhe pa asnjë fshehje planin për spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”.
Aliçkaj: Propozimi i Qeverisë së Kosovës është shumë i përshtatshëm
Veprimtari Agim Aliçakj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Ura kryesore e Mitrovicës, simbol i lidhjes dhe unitetit, vazhdon të mbetet e mbyllur si pasojë e propagandës shoviniste serbe dhe dështimit të Perëndimit për të përballuar ambiciet hegjemoniste të Serbisë.

Sipas tij, mbyllja e saj është e pajustifikueshme.
“Të gjithë e dinë që ura është një nga objektet më të rëndësishme që lidh njerëzit dhe vendet. Është simbol i lidhjes, njohjes, unitetit, bashkëpunimit dhe paqes midis popujve. Mbyllja e urave do të thotë ndarje dhe izolim i popujve.
Mbajtja e urës kryesore të Mitrovicës e mbyllur për trafikun është rezultat i propagandës shoviniste serbe dhe paaftësisë së Botës Perëndimore për t'iu qasur realisht hegjemonizmit dhe ekspansionizmit serb në Ballkan. Nuk ka asnjë arsye, absolutisht asnjë arsye të vlefshme, që kjo urë të mbahet e mbyllur. Justifikimet ndërkombëtare janë krejtësisht të pabaza”, thotë ai.
Tutje, Aliçkaj shprehet se projekti i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë synon integrimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Derisa, për reagimi kundërshtues i Listës Serbe thotë se është i pabazë dhe duhet refuzuar.
Sipas tij, ky projekt nuk kërkon leje nga BE-ja nëse financimi vjen nga burime të tjera, por informimi është i dobishëm. Urat duhet parë si simbole të përfshirjes dhe paqes, jo si mjete për të kënaqur forcat armiqësore ndaj shtetit.
“Propozimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar dy ura të reja që lidhin pjesët veriore dhe jugore të Mitrovicës është shumë i përshtatshëm dhe synon integrimin e pakicës serbe që jeton në veri të Kosovës në shtetin e tyre. Ky projekt duhet të mbështetet nga të gjithë ata që e pranojnë dhe e respektojnë Republikën e Kosovës dhe që duan më të mirën për popullin shqiptar dhe të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë.
Reagimi negativ i Listës Serbe dhe përpjekja e tyre për ta karakterizuar këtë projekt të vlefshëm si “spastrim etnik të serbëve” është e kuptueshme kur dihet se kjo organizatë armiqësore nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe po punon hapur për shkatërrimin e tij. Prandaj, qëndrimet e Listës Serbe duhet të përballen publikisht me fakte dhe të hidhen poshtë si të pabaza.
Nuk e shoh të nevojshme që Qeveria e Kosovës t’i kërkojë BE-së leje për projekte të ndryshme shtetërore nëse financimi i tyre sigurohet nga burime të tjera. Megjithatë, duke marrë parasysh rrethanat e zhvillimit të vendit dhe praninë ndërkombëtare, informimi i tyre paraprak është i mirëseardhur.
Ndërtimi i dy urave të reja që lidhin pjesët veriore dhe jugore të qytetit të Mitrovicës është një projekt i madh që lehtëson lëvizjen e banorëve pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare. Këto ura, në kushte normale, kanë një efekt shumë pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike dhe duhet të paraqiten dhe të kualifikohen publikisht si ura përfshirjeje dhe miqësie midis popujve paqedashës. Urat nuk ndërtohen për të kënaqur dhe qetësuar armiqtë dhe urrejtësit e kombeve të ndryshme” – foli ai për gazetën.
Maraj: Tani çdo zhvillim në Kosovë Serbia do ta trajtoj që është kundër serbëve në Kosovë
Edhe analisti Milazim Maraj, thotë se reagimet e Listës Serbe ndaj ndërtimit të urave në Mitrovicë janë të përsëritura dhe të pabaza.

Sipas tij, pretendimi se ndërtimi i urave përbën “spastrim etnik” është qesharak dhe i pavërtetë. Urat janë simbole bashkimi dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e lumit.
Më tej, përsërit se Serbia vazhdon të përdorë gënjeshtra për të justifikuar politikat e saj kundër Kosovës, por këto manipulime duhen zbuluar dhe refuzuar vazhdimisht.
“Reagimet serbe janë përditëshmëri monotone në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë. Këtë tani e dinë jo vetëm BE por e tërë bota demokratike. Ura qoftë edhe si simbol është simbol bashkimi. Me ura nuk rrezikohet askush. Sa qesharake është reagimi i Listës serbe se Kurti ka vendos t’i shpërngul të gjithë serbët nga Kosova, me ndërtimin e dy urave mbi Iber. Ndërtimi i urave do të krijoj mundësi kalimi pa pengesa dhe do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve nga dy anët e lumit Iber. Pse ndjehen serbet e rrezikuar nga këto ura? Reagimet e Listës serbe tani janë një refren e përditëshëm mjaft monoton, gati për çdo kënd, në veçanti për njerëzit me civilizim perëndimor. Por kësaj liste i pengon çdo gjë që ndërtohet në Kosovë. Këta në formën e vajtuesve kanë ardhur në trojet tona. Këtu kanë qëndruar duke vajtuar në mjete të informimit, përmes të kishave dhe ambasadave të veta në botë dhe përmes të krimeve mbi popullin shqiptarë shumë fisnik dhe human.
Vajtimet Serbia i ka për të arsyetuar krimet që i planifikon vet. Prodhimi i gënjeshtrave është zeje e perfeksionuar serbe më shekuj, këto ka arritur t’i shes në botë. Andaj këto duhet të deshifrohen sa herë që këta dalin me këto të pa vërteta”, potencon ai.
Maraj thotë, se BE i njeh mirë prapaskenat e Listës Serbe, por reagon me kujdes për të shmangur konflikte të reja në një kohë tensioni global duke shtuar se Serbia, si aleate e Rusisë, përpiqet ta destabilizojë rajonin përmes provokimeve dhe kërcënimeve.
Sipas Marajt, çdo zhvillim në Kosovë trajtohet nga Serbia si kërcënim ndaj serbëve, shpesh përmes skenarëve të rrezikshëm. BE dhe SHBA kërkojnë qetësi për shkak të pranisë së tyre ushtarake në Kosovë. Prandaj, dialogu me to është i domosdoshëm dhe duhet udhëhequr me mençuri dhe profesionalizëm, për të mbrojtur interesat e Kosovës pa izolim diplomatik.
“BE nuk është që nuk i di këto reagime të Listës serbe dhe prapaskenat e tyre. Reagimet e BE janë që të mos shpërthej konflikt i ri në kohën kur janë të hapura disa konflikte si ai Rusi-Ukrainë, Palestinë- Izrael dhe tani Iran-Izrael. Këto lufta që kanë shpërthyer kështu paraqesin probleme të reja gjeostrategjike. Serbia është bomba ruse në Gadishullin Ilirik. Ajo ka filluar konfliktin në Bosnje për ndarjen e republikës së Bosnjës. Këtë gabim strategjik e kanë gëlltitur forcat e mëdha pjesëmarrëse në Dejton. Tani po e vjelin pasojat. Këtë kurth Serbia-Rusia e kurdisën edhe për Kosovën me asociacion të komunave serbe.
Tani çdo zhvillim në Kosovë Serbia do ta trajtoj që është kundër serbëve në Kosovë. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia të fillon edhe më ashpër me grupe kriminale serbe apo pro serbe për ndonjë masakër ndaj serbëve të Kosovës sikur rasti “Panda”, apo qindra skenarë tjerë që ka provuar në Kosovë. Duke i parë këto zhvillime dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, qoftë me lëvizje të kohë paskohshme të ushtrisë në drejtim të kufirit me Kosovën, qoftë me armatosje dhe deklarime se ka ushtri të fortë dhe se është e gatshme për çdo veprim të nevojshëm pretendon të mbajë një atmosferë paralufte në këtë rajon.
Këtë BE e din dhe reagimet e saj nuk janë që të mos ndërtohen ura por që të mos i epët shkas për ndonjë trazirë të serbeve në këtë kohë. Serbia këta serb i ka mish për top. BE dhe SHBA në Kosovë kanë ushtarët e vet, andaj ata reagojnë ndaj çfarëdo lëvizje që e konsiderojnë nxitëse për ndonjë konflikt të mundshëm. Bisedimet me BE janë të domosdoshme. Këto bisedime duhet të artikulohen mirë dhe të gjitha do të jenë të kalueshme. Krijimi i një disponim ja miqësorë me BE apo SHBA nuk është në favor të Kosovës edhe kur Kosova ka të drejt. Këtë e provuam me sanksione që nuk ishin hiq të drejta, por paguam kryeneçësinë. Dialogu i mençur ka sjell Kosovën deri këtu ku jemi. Andaj për këtë kërkohet të kemi ekspert të zgjedhur që dinë të arsyetojnë veprimet demokratike të Kosovës brenda sovranitetit të saj, - përfundon ai për “Bota sot”.