Bllokada në Kuvend, juristi nga Belgjika tregohet i ashpër me deputetët – fajëson këto parti

Politika

Bllokada në Kuvend, juristi nga Belgjika tregohet i ashpër me deputetët – fajëson këto parti

Nga: A.M. Më: 23 qershor 2025 Në ora: 08:02
Kuvendi i Kosovës

Për të 35-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputetët do të mblidhen sërish sot, për të vazhduar seancën konstituive, që ka nisur më 15 prill.

E në lidhje me këtë bllokadë institucionale dhe efektet negative të saj, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Si fillim, ai për këtë situatë të krijuar i fajësoi partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluarë.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë deputetëve, e jo vetëm e deputetëve të partisë fituese. Në këtë rast, përmendi faktin se kandidati i kryetarit të Kuvendit është e drejtë e LVV-së, partisë fituese.

“Edhe pse kaluan mbi katër muaj nga zgjedhjet e fundit të rregullta parlamentare, që ishte hera e parë një Qeveri t’a konsumojë deri në fund mandatin e saj, ende në horizont nuk ka shenja se së shpejti do të konstituohet legjislacioni i IX-të dhe Qeveria. Fatkeqësisht, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë dekadës së fundit, PLAN-i përmes keqpërdorimit dhe manipulimit të votës së sovranit, bënë ç’mos për t’a penguar LVV-ën si parti fituese të vije në pushtet.

Edhe përkundër faktit se konstituimi i Kuvendit është një akt ceremonial, procedural dhe solemn, PLAN-i duke i manifestuar inatet primitive politike dhe duke dashur t’a bllokojë formimin e Qeverisë Kurti 3, po e mbanë peng konstituimin e legjislaturës së IX-të. Sjelljet dhe veprimet destruktive të PLAN-it shifen edhe në mospjesëmarrjen e deputetëve dhe mosvotimin në këto mbledhje, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, e cila decidivisht udhëzon të gjithë deputetët të jenë prezent dhe pjesë aktive në konstituimin, formimin dhe funksionalizimin e institucioneve më vitale të shtetit, e jo duke i keqpërdorë zbraztirat juridike, t’a bllokojnë funksionimin e saj. Tek e fundit, konstituimi i Kuvendit është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë deputetëve, e jo vetëm e deputetëve të partisë fituese, formimi i Qeverisë është obligim vetëm i partisë fituese, e jo edhe i të tjerëve, kurse propozimi për kandidatin e kryetarit të Kuvendit është e drejtë ekskluzive e partisë fituese që nuk negociohet. Pjesëmarrja e deputetëve të PLAN-it në mbledhjet e Kuvendit dhe mosvotimi i tyre pro, kundër ose me abstenim, tregon qartë bllokimin e këtij proçesi dhe papërgjegjësinë inkriminuese ndaj sovranit dhe shtetit”, deklaroi juristi nga Belgjika.

Image
Skënder Musliu.

Gjithashtu, Musliu konsideron se partitë opozitare po e bllokojnë Kuvendin, me qëllim që të vijnë në pushtet ato.

Synimi për ardhjen në pushtet, ai tha se bazohet në dy objektiva të partive PLAN, të cilat i shtjelloi si më poshtë.

“Në gjykimin tim, PLAN-i këtë ngërç institucional artificial po e fabrikon me qëllim që ajo të vjen në pushtet për t’i realizuar dy objektiva, ose njerën nga të dyjat.

Së pari, të pengojë zbatimin e reformave në drejtësi, respektivisht Ligjin mbi Vettingun, duke dashur t’a ruajnë gardën e vjetër të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët ndër dekada penguan ndarjen e drejtësisë duke mbrojtur grupet kriminale të politikanëve, si dhe moszbatimin e Byros për verifikimin e psurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve që u pasuruan përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, rrjedhimisht t’iu shmangen dejtësisë.

Së dyti, të vijnë në pushtet duke bërë koalicion me Listën serbe dhe përmes blerjes dhe shantazheve të deputetëve të pakicave joshumicë, t’i realizojnë premtimet dhe amanetin e Hashim Thaçit dhënë Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Mbase, Thaçi Kosovën e ka ndarë që në vitin 1999, kur në Veri të Kosovës, në vend të forcave amarikane, u vendosën forcat françeze, sips marrëveshjes paraprake të Thaçit me DGSE (drejtoria gjenerale e sigurisë së jashtme) françeze, që Thaçi shërbente si agjent i tyre. Kur kësaj ia shtojmë faktin se, në pushtet është Edi Rama, si shtytës dhe kumbarë i ndarjes së Kosovës, Aleksandar Vuçiqi, i cili e shantazhonte Thaçin me dosiet e BIA-s, si dhe në skenën politike kemi Grenellin si realizator të këtij projekti, shohim se të gjithë përbërësit janë bashkuar, që me ardhjen e PLAN-it në pushtet, Kosova të copëtohet”, nënvizoi Musliu.

Tutje, juristi nga Belgjika tha se duke parë zhvillimet e fundit gjeopolitike në botë dhe konfliktet e ndryshme, moskonstituimi i Kuvendit vetëm sa ia vështirëson pozitën Koosvës.

Në këtë pikë, ai edhe kundërshtoi ardhjen në pushtet të partive që kanë qeverisur në të kalurën me Kosovën.

“Këto obstruksione histerike të PLAN-it, po bëhen edhe më të rezikshme duke i marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, respektivisht lufta Rusi - Ukrainë, Izrael - Palestinë, Izrael – Iran, e në veçanti sulmet e fundit ajrore të SHBA-ve mbi instalimet bërthamore të Iranit, që paqen dhe sigurinë po e bëjnë më të paqëndrueshme dhe bota mund të rrëshqet në një krizë globale energjetike, financiare dhe ekonomike, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e përgjithshme në mbarë botën, rrjedhimisht edhe në Kosovë. Prandaj, në këtë situatë, veprimet e PLAN-it për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, vetëm çka i hedhin benzinë zjarrit.

Prandaj, konsideroj se ardhja e PLAN-it në pushtet, do të ishte një koalicion kriminal që do t’i shkatërronte të arriturat e Kosovës në këtë katërvjeçar, duke ia marrë Kosovës pasuritë më vitale dhe më kritike, siç është Ujmani dhe Trepça, pa të cilat Kosova nuk do të mund të funksionojë si shtet”.

Në fund, juristi nga Belgjika shtoi se arsyetimet e partive të PLAN-it për mosvotimin e kryeparlamentares janë të papërgjegjshme.

Sipas tij, dallimet mes këtyre partive dhe LVV janë të mëdha.

“Arsyetimet e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës për moskonstituimin e Kuvendit nuk qëndrojnë, janë të papërgjegjshme dhe manipulim me opinionin për qëllime të ulëta antikombëtare, në grackën e të cilave, sovrani nuk duhet të bie, por përkundrazi duhet t’i refuzojë dhe t’i luftojë me ngulm.

Nuk duhet harruar se, edhe përkundër kritikave të faktorit ndërkombëtar për « padëgjueshmërinë » e Kurtit, si dhe kritikat e pajustifikuara të opozitës se Kurti po i prishë raportet me shtetet e QUINT-it dhe BE-së, politikat dhe veprimet e Kurtit në këtë mandat, dhanë rezultate të pakthyshme duke e stabilizuar paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës, ktheu sovranitetin e humbur për dy dekada dhe mbrojti integritetin territorial, që askush nuk e kishte imagjinuar.

Prandaj, dallimi mes LVV-ës dhe PLAN-it, është i qartë”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat