Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot” foli mbi ndikimin që pritet ta ketë konflikti Izrael-Iran në raportet Kosovë-Serbi.
Si fillim, ai u shpreh se përfshirja e SHBA-së në këtë konflikt do sjellë ndryshme të mëdha gjeopolitike.
“Përfshirja e SHBA-së në konfliktin në rritje mes Iranit dhe Izraelit ka ripërtërirë tensionet në Lindjen e Mesme, me pasoja të mundshme për rendin gjeopolitik global. Megjithëse është e pamundur të flasim për ndikime të drejtpërdrejta në raportet mes Kosovë dhe Seribsë, një situatë e tillë e kërkon vigjilencë të shtuar, sidomos për shkak të potencialit të destabilizimit të rajonit tonë në rast të një shpërqendrimi të vëmendjes ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Voca përmendi faktin se si Serbia në vazhdimësi punon në prapaskenë me Rusinë për të tensionuar sitautën në Kosovë.
Për këtë, tha se pas shpërqëdrimit të vëmendjes së ndërkombëtarëve mund ta kenë më të lehtë objektivin, por që kjo sërish do i kushtonte Serbisë.
“Serbia, e ndihmuar në prapaskenë nga Rusia, mund të shpresojë në një momentum më të favorshëm për të tensionuar situatën në Kosovë apo në Bosnjë. Objektivi i tillë do të ishte që të shpërqendrohet vëmendja ndërkombëtare dhe të sfidohet pozicioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbështeten nga Perëndimi. Megjithatë, duhet analizuar me kujdes se sa do t’i leverdiste realisht Serbisë një skenar i tillë. Destabilizimi i fqinjëve nuk është domosdoshmërisht në interes të një shteti që pretendon integrim evropian dhe tërheqje të investimeve të huaja”.
Tutje, njohësi i Integrimeve Evropiane në gjithë këto zhvillime politike e strategjike, Kosova po penalizohet nga moskonsituimi i Kuvendit, gjë që po ndikon në dobësimin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë kontekst të ndjeshëm ndërkombëtar, për fat të keq, vetë Kosova po tregon dobësi të brendshme në momentin kur i nevojitet më së shumti stabilitet institucional dhe konsensus politik. Moskonstituimi i institucioneve, pas zgjedhjeve në veri, vetëm sa e dobëson pozicionin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky ngërç politik dërgon sinjale të gabuara te partnerët tanë ndërkombëtarë, i cili mund të përkthehet se Kosova ende nuk ka arritur të ndërtojë një kulturë politike të pjekur, të bazuar në dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak”, shpjegoi Voca.
Në fund, ai kishte një thirrje për partinë fituese në Kosovë, LVV-në dhe partitë tjera opozitare, ku tha se duhet sa më shpejt të gjendet një mirëkuptim dhe bashkëpunim për të formuar institucionet e reja.
Madje, tha se në këtë kohë ku po përballemi me sfida të shumta globale, elitat politike duhet të tregojë pjekuri shtetërore.
“Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt në pushtet, duhet të tregojë përgjegjësi dhe të ofrojë dialog të vazhdueshëm, pa kushte dhe pa nuanca të një gjuhe përçarëse e polarizuese. Një qeverisje e matur duhet të synojë bashkëpunim institucional dhe jo thellim të ndarjeve politike. Në të njëjtën kohë, opozita duhet të dalë nga pozicioni i bllokadës, të hapet ndaj dialogut dhe të përmbahet po ashtu nga gjuha përjashtuese/polarizuese që po e përqafon këtyre viteve te fundit. Republika e Kosovës ka nevojë për lidership politik të përgjegjshëm, jo për militantizëm partiak që dëmton funksionimin e shtetit. Duhet doemos kultivuar besim ndërpartiak për të udhëhqur koalicion së bashku.
Në kohë sfidash globale, është më e rëndësishme se kurrë që elitat politike të tregojnë pjekuri shtetërore. Stabiliteti dhe funksionaliteti i brendshëm janë kusht për të përballuar sfidat e jashtme dhe për të mbrojtur interesat e shtetit në skenën ndërkombëtare”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.