“Përplasje në KQZ, opinionisti komenton zgjedhjet lokale: Ja cili kryetar dështoi këtë mandat

Politika

“Përplasje në KQZ, opinionisti komenton zgjedhjet lokale: Ja cili kryetar dështoi këtë mandat

Nga: N.E Më: 24 qershor 2025 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ndërsa KQZ tashmë ka filluar përgatitjet e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot është përmbyllur afati për partitë politike për të njoftuar se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në njoftimin e bërë për media, gjatë periudhës 15 ditore (9 qershor – 23 qershor), në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike këto parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit:

“Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe

Koaliconi “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Naša Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.

Gjithashtu, në të njëjtën kohë është përmbyllur edhe afati për partitë politike për deklarim të mospjesëmarrjes në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Ndërsa, në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur sot është diskutuar edhe rreth buxhetit për zgjedhje, kjo çështje kishte sjellë përplasjen mes anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, tha se mungesa e miratimit të buxhetit nga Qeveria mund të ndikojë negativisht në organizimin e zgjedhjeve.

“E kam një pyetje për ju, po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga ana e qeverisë dhe unë mendojë që ju duhet të komunikoni, sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, sidomos te pjesa e diasporës. Mos ndarja e buxhetit me kohë mund të rrezikoj realizimin e këtyre operacioneve”, tha Gashi.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi iu kundërpërgjigj Gashit duke thënë se nuk është e vërtetë që qeveria nuk e ka ndarë buxhetin. Sipas tij, çështja qëndron te kërkesat shtesë buxhetore.

“Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha kërkesat që kemi pasur qeveria i ka ndarë. Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vet si institucion nuk i kemi planifikuar”, tha Krasniqi.

Pas kësaj, Gashi iu drejtua Krasniqit duke i thënë se “nuk je zëdhënës i qeverisë”.

“Unë Hekuran Muratit si bëra pyetje këtu. Po e trajtoj si shqetësim. Nuk je zëdhënës i qeverisë”, tha Gashi.

Në anën tjetër, Krasniqi iu referua Gashit duke i thënë se po e dezinformon publikun.

“Thatë që nuk ka ndarë qeveria buxhet nuk është e vërtetë. Duhet me pranua që dezinformove publikun. Qeveria ka ndarë që vitin e kaluar këtë buxhet. Me mediat të caktuara që i keni e keni dezinformuar publikun”, tha tutje Krasniqi.

Rreth zgjedhjeve lokale dhe garës mes partive politike ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, opinionisti Ismail Muçiqi.

Duke folur rreth kandidatëve për kryetar të Prishtinës, Muçiqi thotë se nuk e meritojnë asnjëri.

Sipas tij, Përparim Rama ka dështuar, ndërsa Vetëvendosje nuk ka arritur të gjejë një kandidat adekuat.

“Mendoj se asnjë nga kandidatët e propozuar nga partitë politike nuk e meriton të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës. Përparim Rama ka dështuar katërcipërisht në të gjitha projektet që i ka premtuar gjatë fushatës parazgjedhore. Vetëvendosja nuk ka arritur të gjejë një kandidat adekuat që do të mund ta fitonte Prishtinën, ndërsa për kandidatët e partive të tjera nuk kam koment – ata janë propozuar vetëm si kandidatë formalë”, deklaron Muçiqi.

Image
Ismail Muçiqi

Sipas tij, gara më interesante do të zhvillohet në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan e Prizren.

Ndërsa, formimin e qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje, ai e sheh si një ndikim që kjo parti të fitojë më shumë komuna.

“Pa dyshim, gara më interesante do të zhvillohet në Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan dhe Prizren. Sigurisht që do të ketë ndikim mënyra dhe koha kur do të zgjidhet Qeveria e re dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës. Nëse Vetëvendosja arrin ta formojë qeverinë e re, pritet që ajo të shënojë fitore edhe në shumë komuna të tjera të vendit”, shton opinionisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat