Eksperti i sigurisë: Urat nuk janë problem, por mungesa e diplomacisë i bën të rrezikshme

Politika

Eksperti i sigurisë: Urat nuk janë problem, por mungesa e diplomacisë i bën të rrezikshme

Nga: A.SH Më: 25 qershor 2025 Në ora: 15:46
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Qeveria e Kosovës ka prezantuar një projekt të ri infrastrukturor për ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë, të cilat do të vendosen në të dy anët e urës kryesore mbi lumin Ibër. Sipas autoriteteve, ky investim synon të lehtësojë lidhjen ndërmjet pjesës veriore dhe jugore të qytetit, duke përmirësuar qarkullimin dhe integrimin urban.

Projekti është rezultat i një memorandumi bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm në këtë zonë të ndjeshme.

Megjithatë, njoftimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Të dyja palët kanë shprehur shqetësime për ndikimin që ky projekt mund të ketë në situatën politike dhe të sigurisë në veri, një rajon i tensionuar dhe i ndjeshëm për shkak të ndarjeve etnike dhe sfidave të vazhdueshme në raportet ndërkomunale.

Ekspreti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e BE-së se “nuk është në dijeni” të projektit të urave në Mitrovicë shihet si sinjal diplomatik, jo vetëm burokratik.

Sipas tij, ajo përçon një paralajmërim të heshtur ndaj Qeverisë së Kosovës për veprimet unilaterale pa koordinim ndërkombëtar, edhe kur janë të ligjshme.

Reagimi i BE-së – Neutraliteti formal, por jo pa mesazh politik

“Deklarata e BE-së se "nuk është në dijeni të projektit" nuk është vetëm një shprehje burokratike, por një sinjal diplomatik se ndërtimi i urave pa koordinim me aktorët ndërkombëtarë mund të perceptohet si provokim**, sidomos në një zonë të ndjeshme si Mitrovica. Kjo është një formë paralajmërimi e heshtur për Qeverinë e Kosovës që veprimet unilaterale – edhe kur janë të ligjshme dhe zhvillimore – do të vihen në pikëpyetje nëse nuk kanë kontekst konsensual ndërkombëtar.

Ky qëndrim rrezikon të thellojë hendekun e perceptimit politik mes Prishtinës dhe Brukselit, veçanërisht kur BE-ja është përballur me kritika për një **qasje të paekuilibruar ndaj Serbisë dhe Kosovës”, thotë ai.

Reagimi i Listës Serbe – Retorikë eskaluese dhe dezinformuese

Derisa, për reagimin e Listës Serbe, thotë se akuzat e tyre për “spastrim etnik” janë të pabazuara dhe përfaqësojnë një taktikë të njohur të luftës hibride informative nga Beogradi.

“Akuzat e Listës Serbe për një "spastrim etnik" janë jo vetëm të pabazuara, por përfaqësojnë një teknikë klasike të luftës hibride informative serbe, ku çdo veprim legjitim i institucioneve të Kosovës shpërfaqet si sulm ndaj pakicës serbe.

Ky lloj narrativi i shërben:

↗️Rritjes së tensionit në terren për të justifikuar ndërhyrje të mundshme politike ose të sigurisë nga Beogradi;

↗️ Mobilizimit të opinionit ndërkombëtar, veçanërisht në vende si Rusia dhe Kina, për të mbështetur narrativën e viktimizimit të serbëve në Kosovë;

Delegjitimimit të autoritetit të Prishtinës në veri, duke penguar integrimin institucional”, thekson Shala.

Ndikimi në marrëdhëniet ndëretnike në Mitrovicë

Në fund, thotë se ndërtimi i urave mund të shihet pozitivisht si përmirësim infrastrukturor dhe normalizim jetese në një qytet të ndarë.

Por, ai potencon se pa konsultim dhe koordinim ndërkombëtar, projekti rrezikon të perceptohet si imponim, të shfrytëzohet për provokime nga grupe paraushtarake serbe dhe të shkaktojë reagime ndërkombëtare.

“Pozitivisht, ndërtimi i urave, në aspektin inxhinierik dhe zhvillimor, mund të shihet si akt përmirësimi i infrastrukturës dhe lidhjes qytetare, që synon të normalizojë jetën në një qytet të ndarë.

Negativisht, në kushtet aktuale të tensionit politik, pa një proces gjithëpërfshirës të konsultimit, ndërtimi mund të perceptohet si:

Imponim nga Qeveria në Prishtinë ndaj serbëve të veriut;

Hapësirë për provokime të dhunshme, sidomos nga grupet paraushtarake serbe të infiltruar nga Beogradi për destabilizim;

Shkak për reagime ndërkombëtare të pakëndshme nëse situata përshkallëzohet.Konkluzion analitik

Ndërtimi i urave nuk është problem në vetvete, por mungesa e diplomacisë proaktive dhe komunikimit strategjik e bën atë të manipulueshëm nga strukturat hibride serbe.

Qeveria e Kosovës duhet:

-Të angazhojë partnerët ndërkombëtarë për të shmangur keqinterpretimet;

-Të zhvillojë komunikim të qartë publik për qëllimet e projektit;

Të zbatojë masa sigurie dhe inteligjente preventive në rast të tentativave për sabotim, provokim apo operacione false-flag nga strukturat serbe në veri”, - përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat