Tridhjetë vite më parë, në një kohë sfidash të mëdha për shqiptarët, filloi zanafillën për të mos u ndaluar deri më sot Gazeta “Bota sot”, zë i fuqishëm i drejtësisë dhe e para në informimin e qytetarëve të saj.
Me një mision të qartë për të informuar, mbrojtur interesin kombëtar dhe ndriçuar të vërtetën, kjo gazetë u shndërrua në një nga gazetat më të rëndësishme për publikun shqiptarë dhe pa përjashtuar atë të diasporës.
Përvjetori i saj i 30-të nuk është thjesht një moment festimi, por një çast reflektimi për të parë sfidat që ka kaluar dhe atë se çfarë ka arritur ndër vite.
Këto tri dekada të “Bota sot”, ishin dëshmitar që e njëjta ka qëndruar e palëkundur karshi çdo pengese e sfide.
Ajo ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj zhvillimeve të brendshme, duke shërbyer si pasqyrë për opinionin publik dhe si një mjet për llogaridhënie ndaj pushtetit.
Përveç informimit, gazeta ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë, veçanërisht në Zvicër dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë të shumtë.
Përvjetori i 30-të i gazetës është një dëshmi që edhe botuesi Xhevdet Mazrekaj ka qenë i pathyeshëm në premtimin e tij, për t’i shërbyer qytetarëve me informacione të drejta dhe të përgjegjshme ndër vite.
E në lidhje me këtë rrugëtim të gazetës “Bota sot”, kanë folur edhe bashkëpunëtorët, duke treguar sfidat që ka kaluar “Bota sot”, dhe qëndrimin e saj të fuqishëm.
Voca: Gazeta që nuk iu nënshtrua heshtjes
E për përvjetorin e “Bota sot”, ka folur bashkëpunëtori njëkohësisht doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Ai vlerëson “Bota Sot” si një gazetë të rrallë që ka ruajtur lirinë dhe pavarësinë në një mjedis mediatik të ndikuar politikisht. Ai thekson rëndësinë personale që ka pasur kjo gazetë për të, si hapësira ku ka shprehur lirshëm mendimet e tij.
Sipas tij, “Bota Sot” ka qenë një tribunë e rëndësishme për reflektim intelektual dhe debat të ndershëm.
“30-vjetori i gazetës “Bota Sot” është një moment reflektimi mbi një udhëtim të rrallë në historinë mediale shqiptare, një rrugëtim që ka sfiduar kohët, pushtetet dhe mendësitë, duke ruajtur një pozicion të dalluar si zë i lirë, kritik dhe i pavarur në peizazhin tonë publik.
Për mua, “Bota Sot” ka qenë më shumë sesa një mjedis botimi. Ka qenë hapësira e parë dhe më e qëndrueshme ku mendimi im ka rrjedhur lirshëm, pa filtra politikë apo editoriale. Në një realitet ku shumë media e kanë vështirë të qëndrojnë jashtë ndikimeve të forta politike, kjo gazetë ka ofruar një tribunë të hapur për reflektim intelektual dhe debat të ndershëm”, u shpreh ai.
Më tej, Voca thotë që rruga e tij si zë i pavarur ka qenë e vështirë, shpesh e shoqëruar me stigmatizim dhe mospërfshirje për shkak të qëndrimeve të tij jashtë rrymave politike.
Ai thekson që në momente zhgënjimi dhe mbylljeje institucionale, “Bota Sot” ka qenë hapësira që i ka ofruar mbështetje dhe vazhdimësi për kontributin e tij qytetar dhe analitik.
“Rruga ime personale nuk ka qenë pa sfida. Në një sistem ku stigmatizimi ndaj të pavarurve shpesh ka zëvendësuar dialogun, dhe ku merita nuk ka qenë gjithmonë referenca kryesore për përfshirje profesionale apo institucionale. Si një zë i formuar në diasporë, shpesh jam parë me rezervë nga pothuajse të gjitha rrymat politike, dhe kjo më ka mësuar se qëndrimi i pavarur ka një çmim, por është gjithashtu pasuria më e madhe e një mendjeje të lirë.
Në rrugëtimin tim, ka pasur edhe momente zhgënjimi, kur ndjesia e mbylljes institucionale ndaj zërave të pavarur është bërë e dukshme, jo për mungesë përgatitjeje apo angazhimi por sepse mendimi i lirë kur nuk është pjesë e rrymës dominante, shpesh has ne rezistencë. Pikërisht në ato momente, „Bota Sot“ ka qenë një derë që nuk u mbyll por përkundrazi u hap me kurajë duke më lejuar te vazhdoj kontributin tim qytetar dhe analitik”, potencoi ai.
Ndër të tjera Voca konsideron bashkëpunimin me “Bota Sot” si një pjesë të qëndrueshme dhe të rëndësishme të rrugëtimit të tij intelektual. Ai thekson se kontributi i tij ka qenë vullnetar, nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare për të ndarë dije dhe mendim të lirë.
Në këtë përvjetor, ai shpreh mirënjohje dhe thekson rëndësinë e gazetës si një platformë e guximshme për të vërtetën dhe debatin publik.
“Ky bashkëpunim mbetet një nga pikat më të qëndrueshme të rrugëtimit tim si intelektual. Kontributi im ka qenë gjithmonë vullnetar, jo si akt altruizmi, por si bindje e thellë se shtytja për të ndarë dije, vizion dhe debat, është përgjegjësi qytetare. Dhe në një kohë kur heshtja shpesh maskohet si pajtim, kur shumë zëra i nënshtrohen një “konsensusi të rremë” për hir të rehatisë apo interesit, roli i një platforme si “Bota Sot” bëhet edhe më i pazëvendësueshëm.
Në këtë jubile të rëndësishëm, shpreh mirënjohje për themeluesit, redaksinë dhe të gjithë ata që kanë ruajtur integritetin e gazetës ndër vite. Le të mbetet “Bota Sot” një hapësirë e guximshme për të vërtetën, për mendimin e lirë dhe për reflektimin e thellë, cilësi që e bëjnë një dritare të domosdoshme në jetën publike shqiptare”, përfundoi Voca për “Bota sot”.
Ahmeti: Një model i pavarësisë dhe integritetit në median shqiptare
Ndërsa bashkëpunëtori tjetër dhe njëkohësisht analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka vlerësuar punën e saj ndër vite.
Analisti thotë se gazeta “Bota sot” ka një rol të rëndësishëm në median shqiptare, sepse ka shërbyer qëllimit të informimit të saktë dhe të paanshëm për publikun.
Ai nënvizon se shoqëria ka nevojë për një media kritike dhe të përgjegjshme si “Bota sot”, e cila, përveç se është profesionale, gjithmonë ka punuar për të mirën e përbashkët të komunitetit.
“Gazeta “Bota sot” zë një vend të rëndësishëm në hapësirën mediale shqiptare, pasi ndër vite i ka shërbyer interesit publik në mënyrë objektive dhe profesionale. Shoqëria jonë, por edhe më gjerë, ka nevojë për një zë kritik si “Bota sot”, e cila, përveç profesionalizmit dhe objektivitetit, ka qenë gjithmonë në shërbim të së mirës publike”, u shpreh ai.
Në fund, analisti thekson se gazeta “Bota sot” duhet të shërbejë si shembull në median shqiptare, duke qenë zëri i qytetarëve dhe mbrojtës i interesave të tyre.
Ai gjithashtu shpreh respekt dhe vlerësim të thellë për punën profesionale dhe objektive të gazetarëve të gazetës, që sipas tij ka ndikuar shumë në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik.
“Kjo gazetë duhet të merret si model në peizazhin mediatik shqiptar, pasi ka qenë e paanshme dhe e panënshtrueshme ndaj pushteteve, duke përfaqësuar zërin e qytetarëve dhe interesat e tyre.
Personalisht, si bashkëpunëtor ndër vite në gazetën “Bota sot”, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë punën profesionale dhe objektive të gazetarëve të saj, e cila ka kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik”, përfundoi analisti Ahmeti për “Bota sot”.