Sot (E enjte 26 qershor) janë bërë plot 30 vjet nga themelimi i gazetës kombëtare “Bota sot”.
Gazeta “Bota sot” që nga formimi i saj u shnëdërrua në një aset të pakrahasueshëm kombëtar sidomos në ruajtjen e vlerave dhe frymës atdhetare.
Sot, “Bota sot” numëron plot 30 vite sukses të rrugëtimit të saj në fushën e medias shqiptare si një nga gazetat më të lexuara në Kosovë e diasporë.
Guximi dhe profesionalizmi ishin vyrtytet e pandashme të saj. Për gazetën kombëtare “Bota sot” dhe rrugëtimin e saj 30 vjeçar ka folur Hafiz Shala, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane.
“Që nga numri i parë, kjo gazetë ka qenë e shumëpritur dhe e domosdoshme, pra që prej vitit 1995. U krijua një lidhje shpirtërore mes lexuesit shqiptar në vend dhe, në mënyrë të veçantë, në diasporën shqiptare, duke u shndërruar në një gazetë të niveleve të mediave më prestigjioze botërore. Në vitin e kaluar, gazeta “Bota sot”, sipas ndjekësve të mediave ndërkombëtare, u shpall si gazeta më e lexuar në shtetet ballkanike.
Ajo ishte një mjet informimi që shpërndante të vërtetën kur kjo e fundit ishte e ndaluar dhe rreptësisht e kontrolluar nga regjimi barbar serb. “Bota sot” e gjeti guximin, forcën, formën dhe metodën për ta furnizuar lexuesin shqiptar me të gjitha lëvizjet socio-politike dhe aktivitetet e tjera, me qëllim të kundërvënies ndaj propagandës fashiste serbe, duke e plasuar të vërtetën rreth unifikimit të popullit dhe faktorëve relevantë politikë e shtetërorë në rrethanat e okupimit”, u shpreh Shala.
Gazetën tonë ai e krahasoi me gazetën prestigjioze amerikane The New York Times, duke potencuar se “Bota sot” që nga fillimi i shpërndarjes së saj në New York ka qenë ndër më të lexuarat në mërgatën shqiptare.
“Nuk e krahasova “Bota sot” rastësisht me gazetën prestigjioze amerikane The New York Times, sepse lexuesi amerikan, me admirim, përkushtim dhe besim, e lexon, i beson dhe e shpërndan këtë të fundit me qëllim të një informimi të saktë, të drejtë dhe të vërtetë.
Gazeta “Bota sot”, që nga fillimi i shpërndarjes së saj në Neë York, ka qenë ndër më të lexuarat në mërgatën shqiptare. Mund të them se është organizuar në shumë pika për shpërndarjen e saj te lexuesit besnikë, të cilët, për t’u furnizuar me këtë gazetë, kanë udhëtuar edhe dhjetëra kilometra”, theksoi Shala
Veprimtari shqiptaro-amerikan nuk la pa e cekur faktin se gazeta kombëtare “Bota sot” nga gjiri i saj ka nxjerrë heronj të fjalës së lirë, të cilët, pa iu trembur kërcënimeve, shantazheve e deri te aktet terroriste në selinë e saj në Zvicër, e kanë vazhduar misionin për të vërtetën.
“Këta gazetarë, të brumosur me ndjenja kombëtare e patriotike, nuk hoqën dorë nga etika e lartë e gazetarisë.
I fundit që u sakrifikua në shpërndarjen e të vërtetës ishte heroi Bardhyl Ajeti.
Botuesin dhe pronarin e gazetës kombëtare “Bota sot”, z. Xhevdet Mazrekaj, me rastin e përkujtimit të këtij heroi të fjalës së lirë, e përgëzova për përkushtimin dhe nderimin që i bëri këtij martiri, i cili duhet dhe do të mbetet shembull i guximit, përkushtimit dhe udhërrëfyes për kolegët e tij gazetarë dhe stafin redaktues brilant, që do ta vazhdojnë rrugën e tij në shërbim të popullit, lexuesit dhe atdheut”, nënvizoi Shala.
Me këtë rast, ai ka përgëzuar botuesin e gazetës dhe stafin që u angazhuan për ta mbajtur atë në nivelin që e ka dhe do ta ketë gjithmonë.
“Me këtë rast, edhe njëherë dua ta përgëzoj botuesin z. Mazrekaj, stafin redaktues, gazetarët dhe bashkëpunëtorët e shumtë — intelektualë, akademikë dhe publicistë — të cilët, duke i besuar gazetës “Bota sot”, u angazhuan dhe dhanë kontributin e tyre të çmuar për ta mbajtur këtë gazetë në nivelin që ka dhe do ta ketë në përjetësi.
Të gjithë këta duhen përgëzuar për punën e tyre të pakursyer, në mënyrë që lexuesi të jetë i informuar për gjithçka që ndodh në vend dhe në diasporë.
Gazeta “Bota sot” do të jetojë për sa kohë të ketë diell e hënë, ujë dhe ajër.
Suksese dhe punë të mbarë!”, përfundoi Shala