Ishte 26 qershori i vitit 1995, dita kur filloi botimi i numrit të parë të gazetës kombëtare “Bota sot”, gazetë kjo që u themelua në Cyrih të Zvicrës me editor Xhevdet Mazrekajn.
E 26 qershori i këtij viti shënon përvjetorin e 30-të jubilar të gazetës “Bota sot”, e cila vazhdon të jetë një dritare informimi për shqiptarët kudo që janë.
Si gazeta më e madhe shqiptare dhe e vetmja kombëtare në trojet shqiptare dhe në diasporë, “Bota sot” në vazhdimësi ka qenë cak i kërcënimeve dhe sulmeve të rënda, për çka u përball edhe me vrasjen e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve të saj.
Fillimisht, gazetës “Bota sot” iu vra bashkëpunëtori Enver Maloku, pastaj kolumnisti Xhemail Mustafa.
Gjithashtu, në betejën për fjalën e lirë e kundër të keqes, mbetën të vrarë edhe dy gazetarë të “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti.
Tash e sa vite, vrasja e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve të “Bota sot” ka mbetur ende një enigmë dhe plagë e hapur si për familjarët, ashtu edhe për gazetën “Bota sot”.
Përveç kësaj, editori Xhevdet Mazrekaj kishte qenë cak i një atentati me bombë në banesën e tij në Cyrih më 27 shtator 2002.
Vetëm rastësia ua kishte shpëtuar jetën anëtarëve të familjes Mazrekaj, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin kur po hapej paketa e ardhur me etiketën e një shisheje vere si dhuratë. Kjo për faktin se botuesi Xhevdet Mazrekaj paketën e kishte hapur rastësisht në atë mënyrë që nuk kishte shkaktuar eksplodimin.
Për dallim nga vrasjet që nuk u zbuluan asnjëherë, atentatori me bombë u kap pas 15 vitesh në Zvicër.
Jeton Lleshi ishte ai që kishte dërguar bombën në shtëpinë e botuesit Xhevdet Mazrekaj. Lleshi u arrestua në vitin 2016 në Zvicër, ku u gjykua dhe u dënua me 10 vite burg.
Por plaga më e madhe që vazhdon ta vuajë edhe sot gazeta “Bota sot”, është vrasja e bashkëpunëtorëve e gazetarëve të saj dhe moszbulimi i tyre nga drejtësia në Kosovë.
Beriane Mustafa: Moszbardhja e vrasjeve, është dhimbja më e madhe që “Bota sot” vazhdon ta mbajë mbi supe
Vajza e kolumnistit të vrarë të “Bota sot”, Xhemail Mustafa, Beriane Mustafa, thotë se vrasjet me të cilat u përball “Bota sot”, mbeten një nga momentet më të ndjeshme në historinë e gazetës.
“Në përvjetorin e 30-të të gazetës ‘Bota sot’, kujtesa për gazetarët dhe ish-bashkëpunëtorët e saj të vrarë mbetet një nga momentet më të ndjeshme dhe më të dhimbshme të historisë së saj. Ata nuk ishin vetëm pjesë e një redaksie — ishin zëra të guximshëm të lirisë së shprehjes, të vërtetës dhe të një Kosove demokratike që sapo po lindte mes vështirësive të pasluftës,” shprehet Mustafa.
Sipas saj, padyshim, moszbardhja e vrasjeve është dhimbja më e madhe që “Bota sot” vazhdon ta mbajë mbi supe.
Ajo thotë se gazeta “Bota sot” duhet ta përdorë gjithnjë ndikimin e saj dhe të mos ndalet së kërkuari drejtësi për bashkëpunëtorët dhe gazetarët e saj që mbetën të vrarë nga dora kriminale.
“Është edhe një dëshmi e dështimit institucional për të garantuar drejtësi për gazetarët dhe për të vendosur një standard të sigurisë për profesionin. Kjo heshtje e gjatë e drejtësisë nuk mund të konsiderohet vetëm harresë, por në shumë raste, shihet edhe si kompromis i dhimbshëm politik dhe shoqëror. Është e domosdoshme që një media me histori dhe ndikim të tillë, të mos ndalet së kërkuari drejtësi për të rënët e saj. Kjo është një detyrë morale, profesionale dhe qytetare. Është mënyra më e denjë për të nderuar jetën e tyre, dhe një mësim për brezat që vijnë – se fjala ka çmim, por se e vërteta nuk duhet të varroset bashkë me ata që guxuan ta thonë,” deklaron Mustafa.
“Në këtë përvjetor të 30-të, ‘Bota sot’ duhet të jetë jo vetëm një kujtuese, por edhe një zë më i fortë për drejtësi. Është koha që plagët e së kaluarës të mos mbyllen me harresë, por me drejtësi të vonuar – që është gjithsesi më mirë se heshtja e përhershme,” përfundon Beriane Mustafa, vajza e Xhemail Mustafës.
Nebi Ajeti: Moszbulimi i vrasësve është një plagë e pashërueshme, e cila vazhdon të kullojë gjak
E nipi i gazetarit të vrarë, Bardhyl Ajetit, gazetari Nebiu, thotë se në përvjetorin e 30-të të “Bota sot” duhet të kujtohen të gjithë ata gazetarë që mbetën të vrarë vetëm se shkruanin për të vërtetën që po ndodhte në atë kohë në Kosovë.
“Gazetarët e Gazetës Kombëtare kujtohen si trima, guximtarë, të cilët e shkruanin të vërtetën dhe historinë e Kosovës sidomos të pasluftës. Ata shkruanin për ata që vriteshin vetëm se mendonin ndryshe dhe nuk pajtoheshin me prapaskenat që po ndodhnin në Kosovën e pasluftës. Bardhyli dhe shokët e tij ishin kundër maltretimeve dhe vrasjeve që iu bëheshin të tjerëve vetëm se nuk ishin në vijë me ta,” shprehet Nebi Ajeti.
Sipas tij, moszbulimi i vrasësve është një plagë e pashërueshme, e cila vazhdon të kullojë gjak dhe nuk do të shërohet kurrë derisa të triumfojë drejtësia.
“Patjetër që po, sepse gazetarët e ‘Kombëtares Bota Sot’ ishin të vetmit që shkruanin për realitetin e hidhur të së keqes në Kosovë, siç ishin maltretimet dhe vrasjet e njerëzve të pafajshëm, vetëm sepse nuk u përshtateshin bindjeve të njerëzve të ligj që, pavarësisht të bëmave, donin të arrinin në pushtet, e shkrimet e ‘Kombëtares Bota Sot’ u pengonin në rrugën e tyre drejt pushtetit. Prandaj i vranë – në rastin konkret, siç e vranë vëllain tim Bardhyl Ajetin, i cili shquhej për shkrimet e guximshme dhe reale që i godisnin mu në zemër kriminelët dhe njerëzit e pabesë. Moszbulimi i vrasësve është një plagë e pashërueshme, e cila vazhdon të kullojë gjak dhe nuk do të shërohet kurrë derisa të triumfojë drejtësia. Kosova nuk ka qetësi, sepse bijtë e saj më të mirë u vranë pasluftë,” deklaron Nebiu për “Bota sot”.
Ashtu siç thotë Beriane Mustafa, edhe Nebiu kërkon që “Bota sot” ta ngrejë çdo herë zërin në kërkim të drejtësisë për gazetarët e saj.
“Po, kjo pyetje nuk do diskutim. Po, këta gazetarë të vrarë e mbanin gjallë dhe e ngritën në piedestal lexueshmërinë e kësaj gazete. Shkrimet e Bardhylit lexoheshin kudo ku flitej shqip dhe ua kallnin datën kriminelëve dhe të pabesëve që nuk zgjidhnin mjete vetëm për të arritur në pushtet. ‘Kombëtarja Bota Sot’ ishte e lexuar edhe pas vrasjes së Bardhylit sepse shkrimet e tij ribotoheshin, dhe kjo rriste lexueshmërinë e gazetës ‘Bota Sot’. Krejt në fund, Bardhyli edhe i vrarë i kontribuoi ‘Kombëtares Bota Sot’, sepse e donte një Kosovë pa krim, pa kriminelë dhe pa shqiptarë që vrasin njëri-tjetrin,” përfundon Nebi Ajeti.