Profesori flet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese – zbulon prapaskenat dhe skenarët politikë të opozitës!

Politika

Profesori flet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese – zbulon prapaskenat dhe skenarët politikë të opozitës!

Nga: M.Haziri Më: 27 qershor 2025 Në ora: 10:28
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.

Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Profesori thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pozitiv pasi ndihmoi në zgjidhjen e krizës së shkaktuar në Kuvend nga debatet për mënyrën e votimit.

Ai kritikon partitë opozitare që kundërshtojnë votimin e fshehtë, duke sugjeruar se ato nuk kanë besim te deputetët e tyre dhe i frikësohen zgjedhjes së një figure nga Vetëvendosje.

“Është lajm i mirë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sa i përket krizës artificiale të shkaktuar në Kuvendin e Kosovës. Dua të them se edhe deputetët e AAK-së, të cilët e dërguan çështjen në GJK bënë gjënë e duhur, sepse ngërçi kushtetues çoi në moskonstituimin e drejtuesve të parlamentit dhe institucioneve të Kosovës. Deputetët e AAK-së në fakt iu drejtuan kësaj Gjykate për të marrë opinionin e saj nëse ndryshimi i formës së votimit nga i hapur në të fshehtë përbënte ose jo shkelje kushtetuese. Gjykata nuk i është përgjigjur kësaj pyetje.

Konsideroj se ajo nuk është përgjigjur në këtë pikë, sepse nuk është çeshtje e kushtetutës forma e votimit në parlament si në këtë rast edhe në rastet e tjera të votimit të ligjeve. Ligjet kudo, ashtu si edhe zgjedhjet e drejtuesve të institucioneve mund të bëhen me votë të hapur ose të fshehur. Por ajo që bie në sy në këtë rast ka të bëjë me faktin, pse partitë e opozitës janë kundër votimit të fshehtë? Sepse nuk kanë besim te deputetët e tyre. Kanë frikë se rrjedhin votat e disa deputetëve dhe Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e parlamentit. Dhe ata nuk e duan as Vetëvendosjen bashkë me Kurtin, as Albulenën. Memli Krasniqi thotë se Albulena ua ka ndërpre pagesat avokatëve të Hagës. Pra, ai pranon që vota kundër zonjës Haxhiu është një votë hakmarrëse. Ndërsa ata të Lidhjes Demokratike kanë thënë që në fillim, se nuk do të votojnë asnjë kandidat të Vetëvendosjes. Por kjo do të thotë se LDK-ja institucionaliste nuk respekton legjitimitetin e votës së qytetarëve”, u shpreh ai.

PDK dhe LDK në aleancë ende

Duke vazhduar bisedën profesori hekson se PDK dhe LDK vazhdojnë të jenë të bashkuara në qëndrime, përfshirë ato për çështje të ndjeshme si shkëmbimi i territoreve, duke u përafruar pa rezistencë me kërkesat ndërkombëtare.

Ai shpreh shqetësim për bllokimin e gjatë institucional dhe moszbatimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke sugjeruar se procesi duhet të rifillojë bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Për këto arsye gjykoj se Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike i mbajnë lidhjet e ngushta të krijuara gjatë qeverisjes së përbashkët. Ata janë bashkë. Janë bashkë edhe sa i përket ideve anti-kombëtare të shkëmbimit të territoreve të Kosovës. Dhe nëse ky opsion do të dalë në diskutim, të jeni të bindur se Memli dhe Lumiri do të thonë “OK! Këtë e kërkon Amerika dhe presidenti Trump! Ne jemi të detyruar të bëjmë çfarë ata thonë”! Për Amerikën japin territor, territor që në fakt shkon për Serbinë. Por unë besoj fort se Donald Trump nuk i rikthehet më asaj metode të vjetër.

Është vërtet trishtuese ajo çfarë ka ndodhur në 38 seanca të parlamentit e ende nuk ka një kryetar kuvendi. Gjykata Kushtetuese është marrë pikërisht me këtë temë. Ka përcaktuar se zgjedhja e kreut të parlamentit të Kosovës duhej të përfundonte brenda 30 ditëve. Nëse jo, atëherë do të shkohej në zgjedhje. Kjo nuk ka ndodhur. Ndoshta do të duhet që të vazhdojë votimi në afatin e 30 ditëve nisur nga dita kur doli vendimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, shpjegon profesori.

Vendimi i Gjykatës dhe frika nga zgjedhjet

Profesori vëren se Gjykata Kushtetuese shmangu pyetjen kryesore për mënyrën e votimit dhe u përqendrua në përcaktimin e afatit ligjor për zgjedhjen e krerëve të institucioneve, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme nëse afati skadon.

Sipas tij, deputetët e ish-opozitës do ta shmangin këtë opsion nga frika se nuk do të rizgjidhen, dhe për këtë arsye mund të detyrohen të mbështesin Albulena Haxhiun dhe më vonë edhe presidenten Osmani.

“Po pse GJK nuk u morë me pyetjen e ngritur nga deputetët e AAK-së, por i dha përgjigje një pyetjeje të pakërkuar? Sepse në këtë gjykatë mesa besoj ka një përgjegjësi për atë që po ndodh në Kuvend dhe jo për formën në të cilën po ndodh. Edhe për mua nuk është me rëndësi se si votohet për krerët e institucioneve dhe formimin e tyre, me votë të hapur apo me votë të fshehtë. Me rëndësi është të saktësohet proçedura ligjore e procesit. Sipas Gjykatës kjo proçedurë mund të shkojë deri në 30 ditë. Nëse nuk ka rezultat, do të thotë se shkohet në zgjedhje të parakohëshme. Nëse e marrim të mirëqenë që koha e skadimit të afatit të jetë 26 korriku, atëherë i takon që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen diku nga 12 shtatori dhe jo më 12 tetor, kur zhvillohen zgjedhjet lokale.

Por a do të pranojnë deputetët e ish-opozitës të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Me siguri që nuk do të pranojnë, sepse nuk ndjehen të sigurt që në zgjedhjet e ardhshme marrin mandatin e deputetit. Kjo do të thotë se ata do të detyrohen të dalin hapur për t’i dhënë votën Albulena Haxhiut dhe për pasojë edhe qeverisë Kurti 3. Madje kam përshtypjen se ata do të votojnë pas 8 muajve dhe për presidenten Osmani, me qëllim që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thotë ai.

Interesat personale dhe kalkulimet politike

Tutje Bytyçi thotë se deputetët nuk kanë interes të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, pasi rrezikojnë humbjen e mandateve, ndërsa kryetarët e partive ndihen të sigurt për rizgjedhje.

Ai argumenton se Albin Kurti po e shfrytëzon bllokadën e opozitës për të fituar kapital politik dhe për të rritur numrin e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa kritikon Planin Ahtisaari dhe opozitën për pengesat që i vendosin shumicës shqiptare në arritjen e një shumice absolute në Kuvend.

“Është logjike të ndodhi kjo. Asnjë deputet me mandat nuk ka asnjë interes personal që ta ndërpresë mandatin akoma pa e nisur atë. Vetëm kryetarët mund të mendojnë se dalin të fituar nga kjo kokëfortësi hakmarrjeje. Se ata janë të sigurt që rizgjidhen në parlamentin tjetër. Por a i marrin këta deputetë që kanë sot? Unë them se duhet ta harrojnë këtë. Të gjithë e dinë në Kosovë se institucionet e vendit nuk krijohen për shkak të bllokadës së ish-opozitës dhe jo siç thotë Memli të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Albini nga ana e tij është shumë i qetë. Gjykoj se i leverdis bllokada e PDK-së dhe LDK-së. Madje i leverdis që ta zgjasë sa më shumë këtë teatër absurd, me qëllim që votuesit të binden se kë kanë mandatuar për në kuvendin aktual të dështuar. Kësisoj ai përpiqet të fitojë kapital politik dhe të arrijë në zgjedhjet e reja më shumë deputetë, sesa ka sot, në mos jo shumicën absolute. Shumica absolute në Kosovë është thuajse e pamundur për shkak të Planit Ahtisaari, i cili 20 vende i ka rezervuar për pakicat dhe sidomos pakicën serbe në Kosovë. Por njëzet deputetë janë diku te 17-18 përqind dhe një përqindje e tillë bën që subjektet politike shqiptare të mos ndahen në këtë masë, sa njëra prej tyre të ketë shumicë absolute. Ish-opozita i dyfishon këtë dëm që e ka krijuar Plani Ahtisaari me qëndrimet e veta. Pra, i gëzohet këtij palni dhe i falenderohet ish-presidentit të Finlandës, të ndjerit Ahtisaari, për këtë favor që ua ka bë këtyre dështakëve”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat