Të enjten, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë.
“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati], në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë aktgjykim, duhet që sa më shpejt – e jo më vonë se tridhjetë (30) ditë – të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e tij”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetutës.
Lidhur me këtë, për “Bota sot” ka folur Muhamet Kelmendi, njohës i Kushtetutshmërisë, i cili ka shprehur kritika ndaj këtij vendimi. Sipas Kelmendit, Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të krijojë norma juridike, por vetëm të interpretojë Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese nuk krijon norma juridike. Gjykata Kushtetuese është për të interpretuar Kushtetutën e Kosovës. Në emër të kësaj, ajo nuk ka të drejtë juridike të nxjerrë ndonjë normë të re. Këtë të drejtë e kanë vetëm ligjvënësit”, ka shpjeguar Kelmendi.
Gjithashtu, ai ka kritikuar vendimin e Gjykatës që cakton një afat 30-ditor, duke e cilësuar këtë si krijim të një norme të re, pra një kompetencë që sipas tij nuk i përket kësaj të fundit.
“Me një vendim të tashëm, duke përcaktuar një afat 30-ditor, krijohet një normë e re jashtë kompetencave kushtetuese. Me këtë, de jure është dyfishuar problemi. Dihet se deputetët i nënshtrohen vullnetit të vetë te marre zgjedhësve. Nuk ka fuqi që mund ta obligojë deputetin”, ka vlerësuar ai.
Në fund, ai është shprehur se vendimi nuk e ndihmon Kuvendin, por krijon një precedent të rrezikshëm juridik.
“Pra, kemi një verdikt tipik antikushtetues. Me këtë nuk është ndihmuar Kuvendi.Është shtuar edhe një precedent juridik”, ka përfunduar Kelmendi.
Ndryshe, rasti është parashtruar në Kushtetuese nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë.