Tensionet gjeopolitike po rriten dhe ulën, por format e luftës po transformohen me shpejtësi. Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit është njoftuar këtë javë dhe kësisoj pritet që kjo të respektohet.
Katari pret që ky armëpushim të respektohet
“Çdo armëpushim kudo në botë është i brishtë. Por ne kemi besim të madh në përpjekjet e Presidentit Trump që kjo të ndodhë. Ne e kemi parë në terren se çfarë bëri vendosmëria e Presidentit Trump”, tha zëdhënësi i qeverisë Majed al-Ansari .
“Dhe ne besojmë se nëpërmjet udhëheqjes së tij dhe punës që Katari ka bërë për të ndërmjetësuar përmes të dyja palëve, ne do ta ruajmë këtë armëpushim dhe do të shtyjmë përpara që ta bëjmë atë më të qëndrueshëm”, shtoi ai.
Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur gatishmëri për një raund të ri të bisedimeve.
Putin deklaroi të premten se kërkesat për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës janë “absolutisht kontradiktore”.
Ai foli pas dy raundeve të bisedimeve që nuk arritën në një armëpushim. Putin tha nga Minsku se memorandumi i shkëmbyer mes palëve “ishte ashtu siç pritej, pa surpriza – krejtësisht kontradiktor”.
Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit me aleatët në Bjellorusi, Putin kritikoi ashpër vendimin e vendeve të NATO-s për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të PBB-së, duke e quajtur atë një veprim “agresiv”.
Putin shtoi gjithashtu se Rusia mbetet e gatshme për një raund të ri bisedimesh me Ukrainën, ndoshta në Stamboll, megjithëse ende nuk është rënë dakord për kohën apo vendin.
Në anën tjetër, Kosova dhe Shqipëria muajin e kaluar morën pjesë në stërvitjen Defender Europe 2025, zhvilluar në Shqiperi nën udhëheqjen e komandës evropiane te SHBA dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO dhe vendet aleate.
I pyetur nëse NATO po ndihmon Shqipërinë e Kosovën për sfidat e mundshme në një mjedis gjithnjë më të tensionuar, eksperti i sigurisë Dritan Goxhaj, mohon një gjë të tillë.
Sipas tij, nuk ndodh kjo për shkak se NATO ende nuk e ka kuptuar që kemi hyrë në luftën e një gjenerate të re.
“Jo. NATO nuk po ndihmon aspak në këtë. Kjo për faktin se NATO vetë akoma duket që nuk e ka kuptuar që kemi hyrë në luftën e një gjenerate të re dhe duhet jo vetëm ndryshim strukturor por edhe prioritete të tjera. Gjëra këto që vetë NATO nuk ka nisur aspak që ti bëjë as për vete. Por NATO reflekton te ne atë çka është, që ka mbetur akoma te anakronizmi i vjetër i bërjes së luftës, ndërkohë që lufta sot në Ukrainë që tre vjet dhe ajo në Izrael Gaza që dy vjet dhe ajo midis Pakistanit dhe Indisë treguan mënyrën e luftës moderne për të cilën ne dhe NATO as që kemi hyrë ta trajtojmë si koncept teorik. Këtë e tregoi edhe stërvitja e fundit lart “Defender 2025””, deklaron Goxhaj.
Ai thotë se kjo stërvitje është bërë me modelet e luftrave të mëparshme, gjersa shton se me zhvillimin e teknologjisë kanë ndryshuar.
“Kjo stërvitje u krye sipas praktikave ushtarake të modeleve të luftarave të mëparshme ku forcat mund të afroheshin, e transportoheshin nëpërmjet transportuesve të blinduar dhe helikopterëve deri në vijën e parë të frontit. Por sot kjo gjë është e pamundur. Sot me zhvillimin e teknologjisë së dronëve gjithë terreni në vijën e parë të frontit, një territor prej 30 deri 40 km gjatësi nga përballë vijave të para të frontit është e gjitha nën kontrollin e dronëve të cilët e bëjnë të pamundur lëvizjen e forcave në grupe të mëdha. Kjo pasi sapo droni e dedetkon personelin ushtarak atëherë ai, ose sulmohet me drone kamikaze ose me artileri të drejtuar nga dronet për të arritur efikasitet dhe precizion. Ndaj sot po të shohësh në luftën në Ukrainë, forcat në vijën e parë ecin në grupe nga 3 max 5 veta dhe ecin me pajime dhe furnizime ne kurriz për një distancë midis 8 deri në 10 km që të afrohen në pozicionet e para. Pra stërvitja e fundit dhe ato para kësaj nuk e kanë implementuar aspak këtë lloj teknike lufte. Në këto luftëra kemi parë se dronët dhe artileria dhe kundërajrori kanë qenë baza e këtyre luftërave moderne”, shprehet eksperti.
Ai thotë se nuk ka avansime në drejtimet e teknologjisë, gjersa zbulon se Serbia ka krijuar njësi të veçanta për përdorimin e dronit të vogël.
“ Ndërkohë te ne, si në Kosovë edhe në Shqipëri nuk kemi aspak avancim në këto drejtime. As krijime të njësive të veçanta të dronëve dhe të operimit të tyre, e as shtime të artilerisë dhe kundërajrorit.
Sot edhe te ju edhe te ne mburren me nja 3 a 4 dronë të mëdhenj të blerë në Turqi, që realisht nuk vlejnë asgjë për një luftë të ardhshme. Ndërsa në Ukrainë po bën nami droni i vogël që njëherë si FPV. Serbia p.sh ka krijuar njësi të veçanta për përdorimin e tyre pothuajse në të gjitha njësitë e saj bazë në nivel batalioni dhe brigade, si dhe jo vetëm që ka blerë nja 20 mijë drone kamikaz, por tashmë ka disa vite që edhe ka filluar i prodhon vetë të disa madhësive deri në 4/5 kg.Ne as që kemi njësi të tilla, dhe as që kemi diskutuar teorikisht që të fusim në doktrinat tona mbrojtjen dhe sistemin e mënyrën e mbrojtjes së objekteve ushtarake dhe atyre të rëndësisë së veçantë nga ky lloj rreziku”, thekson Goxhaj.
Ai kërkon që NATO të mendojë dhe të përgatitet për realitet të ri luftarak.
“Prandaj mendoj se NATO duhet të fillojë të mendojë dhe të përgatitjet për këtë realitet të ri luftarak. Dhe normal që po e bëri për vete në atë moment e ka bërë edhe për ne, pasi ne nuk jemi jashtë doktrinës së NATO-s”, përfundon eksperti.