Tomë Gashi komenton ftesën e Kurtit – ‘zbulon’ skenarin e partive politike

Politika

Tomë Gashi komenton ftesën e Kurtit – ‘zbulon’ skenarin e partive politike

Nga: M.Haziri Më: 28 qershor 2025 Në ora: 12:00
Tomë Gashi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar krerëve të partive politike parlamentare me një ftesë për takim të përbashkët, i cili do të mbahet të shtunën, më 28 qershor 2025, në orën 16:00.

Kjo iniciativë vjen pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila theksoi se të gjithë deputetët kanë përgjegjësi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Në letrën e tij drejtuar liderëve politikë, Kurti theksoi se ky takim synon të krijojë një hapësirë për konsultim dhe koordinim, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, pa pasur nevojë për të shkuar në zgjedhje të reja.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive të tregojnë gatishmëri për dialog dhe kompromis, duke vendosur interesin e qytetarëve para interesave partiake.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Avokati thotë se aktualisht nuk pritet të ketë zgjedhje, sepse janë konsumuar të gjitha mundësitë për zgjidhje institucionale.

Ai gjithashtu thotë se nga veprimet e partive politike shihet se ato po e përgatitin situatën për zgjedhje të parakohshme në të ardhmen e afërt.

“Zgjidhje nuk do të ketë, sepse të gjitha opsionet janë shteruar.

Duket se të gjitha partitë po e përgatisin terrenin për zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Gashi për “Bota sot”.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Kuvendi duhet të përfundojë seancën konstituive brenda 30 ditëve.

Kjo do të thotë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votim dhe të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Ata mund të votojnë për, kundër ose të abstenojnë, por nuk kanë të drejtë të shmangin votimin apo të bllokojnë procesin. Qëllimi i vendimit është që të ndalojë bllokadën politike dhe të mundësohet formimi i institucioneve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat