Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim sot përfaqësuesit e partive politike, si shkak i gjendjes së krijuar në Kosovë. Pas takimit zyrtarët pjesëmarrës u deklaruan për atë se ҫka është diskutuar. Ata vazhdojnë me të njëjtat qëndrime, sikurse edhe pozita. Kësisoj nuk pritet që të ketë një ecuri tjetër në seancën e së nesërmes.
Mirëpo a pritej që partitë politike opozitare të ndryshonin qëndrim për të dalë nga kriza politike?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur profesori universitar, Fejzulla Berisha. Ai thotë se pas katër muajsh pa Kuvend dhe pa Qeveri të re, ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese më 27 qershor ishte e pashmangshme. Përmes një aktvendimi me efekt detyrues, kjo Gjykatë ka vendosur që Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet përfundimisht më së largu deri më 26 korrik 2025, përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe pesë Nënkryetarëve të Kuvendit.
“Ky vendim është më shumë se një paralajmërim – është një ultimatum ligjor për klasën politike, që në rast të mosveprimit do ta çojë vendin në një krizë edhe më të thellë, me pasoja të rënda për legjitimitetin e institucioneve dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, takimi i së shtunës i thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive parlamentare, merr peshë vendimtare. Ai nuk është më një nismë politike për dialog, por një përgjigje e vonuar ndaj një detyrimi kushtetues, në një kohë kur ora politike po troket drejt afatit përfundimtar. Takimi ka për qëllim që, përmes dakordimit politik, të zgjidhet çështja e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të krijohen parakushtet për formimin e Qeverisë së re. Por nëse mungon reflektimi dhe kompromisi, vendi mund të përfshihet në një spirale të re zgjedhore ose të futet në një situatë bllokimi të paprecedentë kushtetues”, vlerësoi ai.
Sipas tij, në këtë situatë, të gjitha partitë parlamentare ndodhen përballë një prove të maturisë së tyre shtetformuese. Secila prej tyre ka në dorë t’i japë fund ngërçit – ose të marrë mbi vete barrën e përgjegjësisë për përkeqësimin e mëtejshëm të krizës.
Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, profesor Berisha thotë se, si fituese relative e zgjedhjeve, ka tentuar të mbajë përgjegjësinë e qeverisjes, por pa arritur të sigurojë shumicë.
“Përpjekja për të mbajtur pozitën e Kryetarit të Kuvendit është bërë pengesë për ndërtimin e një konsensusi minimal. VV duhet të tregojë gatishmëri për kompromis, nëse kërkon vërtet të qeverisë dhe të shmangë dështimin e plotë institucional.
LDK ka lënë të kuptohet se është e hapur për një zgjidhje institucionale të përkohshme, nëse përfshihet një marrëveshje për reformë zgjedhore dhe qeverisje tranzitore. Në këtë situatë, LDK mund të jetë çelësi i kompromisit, duke u pozicionuar si forca që i jep zgjidhje krizës, pa u bërë pjesë e qeverisë.
PDK ka qenë e prerë në qëndrimin për zgjedhje të reja, duke refuzuar çdo bashkëpunim me VV-në. Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PDK duhet të reflektojë, pasi mbajtja e një qëndrimi bllokues mund të perceptohet si bashkëpërgjegjësi për thellimin e krizës. PDK ka mundësi të ndikojë në zhbllokimin e Kuvendit, pa lëshuar qëndrimin për opozitarizëm të qartë.
AAK është shprehur se nuk do të jetë pengesë për konstituimin e Kuvendit, nëse kjo nuk nënkupton hyrje në qeveri. Me këtë qasje, AAK mund të ofrojë mbështetje për një zgjidhje kalimtare, në interes të stabilitetit institucional.
Deri më tani nuk kanë vepruar në mënyrë të pavarur, por mund të luajnë rol ndihmës në formulimin e një kompromisi që do të pranohej edhe nga partitë opozitare”, thotë ai.
Sipas tij, nëse edhe pas takimit të së shtunës nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, afati i 26 korrikut do të kthehet në pikë kritike për krizën kushtetuese të Kosovës.
“Mosveprimi do të çojë në shkelje të drejtpërdrejtë të aktit më të lartë juridik të shtetit, me pasoja që mund të përfshijnë:
-thirrjen automatike të zgjedhjeve të reja,
-ngrirjen funksionale të të gjitha institucioneve,
-humbje të besimit ndërkombëtar, dhe më e rënda – rrënim i kulturës parlamentare dhe i shtetit të së drejtës.
vendimmarrja nuk mund të shtyhet më”, vlerëson ai.
Profesor Berisha thtoë se, dita e nesërme dhe ditët në vijim janë moment i fundit për të shmangur një krizë të thellë shtetërore. Partitë politike nuk kanë më hapësirë për taktika politike ose për kalkulime të ftohta partiake. Ato ndodhen përballë përgjegjësisë historike për të rikthyer besimin në rendin kushtetues dhe për të dëshmuar se Kosova është një shtet funksional dhe demokratik.
“Nëse kjo nuk ndodh, do të jetë hera e parë që në Kosovë, vullneti i sovranit – i shprehur në zgjedhje të rregullta – nuk përkthehet në institucione legjitime. Dhe kjo nuk do të jetë vetëm një krizë politike, por një goditje ndaj vetë shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thotë profesor Berisha.