14 vite pa Teki Dervishin – Zëri i thellësisë që e ngriti letërsinë shqiptare mbi provincën kulturore të Evropës

Politika

14 vite pa Teki Dervishin – Zëri i thellësisë që e ngriti letërsinë shqiptare mbi provincën kulturore të Evropës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 qershor 2025 Në ora: 08:01
Teki Dervishi

Sot, më 29 qershor, shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta të një prej personaliteteve më të shquara që ka njohur Kosova.

Plot 14 vite më parë, u nda nga jeta poeti, prozatori, dramaturgu, publicisti i njohur dhe drejtori shumëvjeçar i gazetës “Bota sot”, Teki Dervishi.

Ai ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Megjithatë, emri dhe krijimtaria e tij mbeten të paharruara. Sot e kësaj dite, Teki Dervishi kujtohet si një nga figurat që ka lënë një boshllëk të madh në kulturën dhe publicistikën shqiptare.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978.

Katërmbëdhjetë vite pas shkuarjes në amshim, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende i mbajnë të gjalla kujtimet me të dhe për të.

Azemi: Pa Teki Dervishin, letërsia jonë kombëtare do të ishte një provincë kulturore e Evropës!

E për veprën dhe jetën e Dervishit, foli publicisti dhe shkrimtari, Emin Azemi.

Ai zgjodhi fjalët më të mirë për të përshkruar personalitetin dhe veprat e Teki Dervishit, e cili përfaqëson letërsinë, artin dhe jetën tonë kombëtare.

Sipas tij, Dervishi mbetet i pazëvendësueshëm, ndonëse fatkeqësisht jeta dhe veprat e tij mbeten ende të pastudiuara mirë.

“Emri i Teki Dervishit nuk është thjeshtë një adresë për dërgesa të zakonshme. Emri i tij përfaqëson një kuptim më të thellë për letërsinë, për artin, për kulturën dhe jetën tonë kombëtare përgjithsësisht. Ai, fatkeqësisht është ende i pastudiuar dhe për pasojë veprat e tij nuk janë bërë pjesë e komunikimit tonë letrar e kulturor. Sidomos brezi i ri as që ka haber se kush është Teki Devishi dhe për për një komb dhe një shoqëri nuk ka degradim më të madh kur mungojnë “senzorët” për të detektuar vlerat e mirëfillta. Nëse Teki Dervishi mbetet jashtë këtij observimi, atëherë mund ta marrim me mend se kush e zë vendin e tij: tallavaja në gazetari, shundi në muzikë, epigonizmi në letërsi dhe pseudoshkenca në studimet tona.

Image
Emin Azemi

Teki Dervishi shkëlqeu në të gjitha zhanret, por ai ishte poet dhe dramaturg i lindur. Lirika dhe dramatika e Teki Dervishit janë dy vokacione të të njëjtjes fushë magnetike krijuese, por në vetvete paraqesin dy shkolla të konsoliduara estetike, që për fat të keq ende kanë mbetur të patrajtuara dhe të panjohura gjithaq, sa nga studiuesit, poaq edhe nga lexuesit”, u shpreh Azemi.

Krahas kësaj, foli për rolin dhe rëndësinë e madhe që ka Dervishi në kulturën kombëtare, ku pa të tha se “letërsia jonë kombëtare do të ishte një provincë kulturore e Europës”.

“Përfshirja e krijimtarisë së Teki Dervishit në studimet tona letrare, qofshin ato në katedrat universitare, qofshin në projekte autoriale, si dhe përkthimi i veprave të tij në gjuhë të huaja, do të ishte detyrimi më i madh moral i yni ndaj tij, sepse vetëm në këtë mënyrë kultura jonë kombëtare ngrihet në një nivel edhe më të lart, atje ku Europa tashmë ka ka arritur të zhvillojë një sens solid të akceptimit të vlerave supreme letrare e artsitike.

Pa Teki Dervishin, letërsia jonë kombëtare do të ishte një provincë kulturore e Europës”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Foniqi: Teki Dervishi, njeriu që nuk fliste shumë, por mendote thellë!

Ndërsa, publicisti Shaqir Foniqi njëherësh edhe miku i Teki Dervishit, për “Bota sot” u rikthye pas në kohë dhe tregoi takimin e parë me të, derisa e kujton si modest, të sinqertë dhe shumë të drejtpërdrejt.

“Ishte viti 1980, kur unë po bëja hapat e parë, pra isha rishtar në gazetari, kurse Teki Dervishi kishte bërë emër të nderuar në letërsi, veçan në prozë dhe dramaturgji.

Pasi e takova në oborrin e Fak.Filozofik të Prishtinës, me tha që t'ia dërgoja një CV timën dhe ai, siç dinte vetëm e kishte hartuar një ese të bukur për mua, në 'Flaka', të Shkupit ku ai punonte, pasi ishte i papërshtatshëm në Kosovë. (E shquante modestia dhe përkrahja e të rinjëve, një veti kjo e njerëzve të mëdhenj)!

Pastaj, kam patur shumë takime e diskutime me të.

Ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë i sinqert.

Kisha shkruar një Monografi për Aleksander Moisiun dhe po e njoftoja se e kisha ndërmend të botoja një të tillë edhe për Bekim Fehmiun dhe ai me qetësinë e ftohtë mu drejtua: 'Sigurisht edhe për të do të thuash artist me prejardhje shqiptare'!

'Polemizuam pak, por u ndamë në paqe!” – tregoi ai.

Krahas kësaj, Foniqi foli edhe për bashkëpunimin që e kishin pasur në “Bota sot” dhe shkrimet që ia dërgonte Tekiut.

Image
Shaqir Foniqi
 

“Ai, udhëhiqte gazetën,'Bota e të' dhe unë kisha ofërta për bashkëpunim.

Natyrisht, shkrimet i bëja me porosi, kryesisht nga sfera e kulturës!

Kur ia dërgoja në zyrë, të priste me kulturë, por konsumonte shumë cigare dhe unë si me shaka i thoja se po don të hush në librin e Ginisit dhe ai me humorin e tij të hollë thoshte se Ginisin e kishte mundur qëmoti”.

Tutje, publicisti ndau edhe një përvojë tjetër, atë kur për herë të parë intervistoi Dervishin, e që tregoi se ky i fundit si kishte shumë në qejf paraqitjet mediale.

“Teki Dervishi shkruante bukur, guximshëm dhe me porosi të qartë për vetedijësim kombëtar.

Drama e tij,'Ku është populli', mbetet përherë aktuale!

Ai ishte vizionar dhe guximtar, prandaj ishte i burgosur dhe nën lupen e pushtetit të kohës!

Me këtë rast dua ta ndaj një detaj interesant. Tekiu e kishte bezdi, gati fobi kamerën televizive.

TD, ishte drejtor i TK, kurse unë gazetar në TVP!

Pas Insistimit tim të madh arrita ta intervistoja rreth 13 min dhe kjo është intervista e vetme e tij për TVP. Pasi u emetua intervista, ku kishte folur për mrekulli dhe që ishte pritur shumë mirë, i ishte hequr frika dhe sa herë që me takonte, me thoshte,'mos po don me të dhënë intervistë, se ma ke hequr fobinë'”.

Në fund, Foniqi tha se shoqëria jonë nuk ka bërë asgjë për ta mbajtur gjallë dhe ta nderuar figurën e Tek Dervishit, ndonëse tha se emrat e tillë nuk kanë nevojë për lavdi, por ne kemi nevojë për lavdinë e tyre.

“Teki Dervishi i mungon shumë ambientit tonë kulturor. Penat e tilla, të thella e të mbrefta rrallë lindin në habitatin tonë letrar e kulturor.

Ndërsa, se a ka bërë shoqëria jonë diçka për të, përgjigja është, asgjë!

Tek e fundit, për kë kanë bërë. Me 1 korrik bëhet një vit nga vdekje Ismail Kadaresë dhe ende asnjë shesh asnjë rrugë, asnjë shkollë apo institucion nuk e mban emrin e tij. Çudi dhe papërgjegjësi!

Emrat e tillë si Tekiu nuk kanë nevojë për Lavdi, por ne kemi nevojë për Lavdinë e tyre!” – përmbylli Shaqiri Foniqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat