Përçarje brenda PDK-së, flasin analistët: Deklarata e Hoxhajt, sinjal i një tensioni të brendshëm në parti

Politika

Përçarje brenda PDK-së, flasin analistët: Deklarata e Hoxhajt, sinjal i një tensioni të brendshëm në parti

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 qershor 2025 Në ora: 10:00
PDK

 

Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i bllokuar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, në një nga emisionet vendore ka deklaruar se e mbështet një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk dua të lëshohem në një skenar të tillë, me Kurtin kryeministër apo me Bedri Hamzën kryeministër? Natyrisht se ne do ta pranojm me çdo kusht që Bedriu të jetë kryeministër, por këto janë tema që do t’i zgjidhim kur të ulemi në tavolinë”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu e ka pohuar se do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

“Kurdo që mbahen zgjedhjet unë do ta shqyrtoj me seriozitet kandidaturën time, por kurdo që mbahen zgjedhjet…zgjedhjet reale të PDK-së në çdo nivel”, ka thënë Hoxhaj.

I kundërt me deklaratën e Hoxhajt është kryetari i PDK-së, i sapo rizgjedhur kryetar, Memli Kransiqi.

Ai “preu” mundësinë për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me Listën Serbe ndoshta, me neve s’mundet”, deklaroi Krasniqi.

“Nuk ka mundësi, ne nuk e diskutojmë. Mendoj që dy palët e dimë që kemi distancë të mjaftueshme njëri nga tjetri që as mos me diskutu si opsion. E kanë opsion Listën Serbe, nëse dëshirojnë mund ta bëjnë me ta shumicën”.

Gashi: Dekarata e Kransiqit për VV-më, është më shumë se një kritikë politike, është një akuzë serioze

Analisti Kenan Gashi e ka cilësuar deklaratën e Enver Hoxhajt për një kandidaturë të mundshme për kryetar të PDK-së si një shenjë e tensioneve të brendshme në parti, sidomos pas rizgjedhjes së Memli Krasniqit.

Sipas Gashit, Hoxhaj nuk ka kapital real politik brenda partisë dhe shihet më shumë si përfitues i rrethanave në të kaluarën sesa si lider me peshë. Kjo lëvizje, sipas tij, reflekton më shumë frustrim personal sesa një kërcënim real për lidershipin aktual, por gjithsesi nxjerr në pah mungesën e kohezionit në PDK.

“Po, deklarata e Enver Hoxhajt për kandidaturë të mundshme për kryetar të PDK-së mund të interpretohet si sinjal i një tensioni të brendshëm në parti. Kjo veçanërisht nëse merret parasysh fakti që Memli Krasniqi sapo është rizgjedhur në atë post. Enver Hoxhaj ka ushtruar më parë detyrën e ushtruesit të kryetarit të PDK-së pas shkuarjes së lidershipit në Hagë, por gjatë asaj periudhe ai nuk tregoi ndonjë rezultat të veçantë në drejtimin e partisë dhe nuk arriti të konsolidoi ndikimin e tij. Në fakt, ai konsiderohet më shumë si përfitues politik i rrethanave sesa si figurë udhëheqëse me peshë reale brenda PDK-së.

Deklarata e tij aktuale për të kandiduar mund të shihet si përpjekje për t’u rikthyer në skenën e brendshme partiake, por pa ndonjë kapital politik të konsiderueshëm. Kjo mund të reflektojë më shumë frustrim individual sesa një sfidë reale për lidershipin aktual të partisë, por gjithsesi krijon përshtypjen e një përçarjeje potenciale ose të paktën të një mungese kohezioni në radhët e PDK-së”, thotë ai.

Sa i pëkret koalicionit me LVV, Gashi vlerëson se një koalicion ndërmjet PDK-së dhe LVV-së është pak i mundshëm, për shkak të qëndrimeve të kundërta brenda PDK-së – me Enver Hoxhajn që shprehet i hapur, ndërsa Memli Krasniqin që e përjashton kategorikisht.

Sipas Gashit, deklaratat e Hoxhajt reflektojnë më shumë përpjekje për rikthim politik personal sesa një qëndrim zyrtar të PDK-së. Mungesa e platformës së qartë dhe reagimet e ashpra të opinionit publik dhe shoqërisë civile e bëjnë këtë koalicion edhe më të papranueshëm. Retorika e fortë nga Krasniqi ndaj LVV-së, sipas tij, është pengesë serioze për çdo bashkëpunim.

Image
Kenan Gashi

“Në këtë fazë, një koalicion ndërmjet PDK-së dhe LVV-së duket pak realist. Deklaratat kontradiktore – me Enver Hoxhajn që shprehet i hapur ndaj një koalicioni, ndërsa Memli Krasniqi e përjashton një bashkëpunim të tillë përmes akuzave të forta – e thellojnë edhe më tej hendekun ndërmjet këtyre dy partive.

Enver Hoxhaj shpesh krijon situata të tilla kur autoriteti i tij politik bie, dhe mundohet të nxisë diskutime apo tema që i japin atij vëmendje publike, në përpjekje për ta ngritur profilin e tij. Deklaratat për koalicione të mundshme me LVV-në mund të jenë më shumë një manovër për të krijuar hapësirë alternative politike për veten, sesa qëndrime reale të PDK-së.

Deri më tani, Hoxhaj nuk ka ofruar ndonjë platformë konkrete apo vizion të qartë për këtë çështje, ndërkohë që opinioni publik, përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile, ka shfaqur shqetësime serioze dhe madje ka paralajmëruar reagime qytetare në formë protestash.

Në këtë kontekst, jo vetëm që koalicioni PDK–LVV është pak i mundshëm, por ai do të përballej edhe me kundërshtime të ashpra nga brenda partive dhe nga shoqëria.

Për më tepër, retorika e përdorur nga Memli Krasniqi për LVV-në është mjaft e ashpër dhe e vështirë për t’u tejkaluar në një marrëveshje bashkëqeverisëse. Prandaj, nëse nuk ka ndryshime të mëdha politike ose kalkulime të reja pas zgjedhjeve, një koalicion i tillë është pak i mundshëm”, shprehet Gashi.

Sipas tij, kur Memli Krasniqi thotë se “LVV e ka Listën Serbe”, ai bën një akuzë të drejtpërdrejtë për bashkëpunim të heshtur me një subjekt të lidhur me Beogradin. Kjo deklaratë, e mbështetur nga disa votime të dyshimta në Kuvend, forcon klimën e mosbesimit dhe polarizimit politik në vend.

“Kjo deklaratë është më shumë se një kritikë politike, është një akuzë serioze. Kur Memli Krasniqi thotë se “LVV e ka Listën Serbe”, ai e akuzon këtë parti për bashkëpunim të fshehtë ose të heshtur me një subjekt politik që shpesh shihet si i dirigjuar nga Beogradi dhe në kundërshtim me interesat e shtetit të Kosovës.

Kjo bindje është forcuar veçanërisht pas disa situatave, për votimin e fshehta në Kuvend, ku është vërejtur. Këto veprime i kanë dhënë terren deklaratave si ajo e Krasniqit, duke krijuar një perceptim se bashkëpunimi mes LVV-së dhe Listës Serbe është i mundur, madje i pranishëm në mënyrë të heshtur.

Si rezultat, mesazhi i Memli Krasniqit nuk është vetëm një retorikë opozitare, por një akuzë e drejtpërdrejtë që synon të zbulojë, ose të krijojë alarm publik për, një realitet të mundshëm të bashkëpunimeve të papranueshme politike. Kjo deklaratë, në këtë kuptim, është reflektim i një klime të thellë mosbesimi dhe polarizimi në skenën politike të Kosovës” – përfundon ai.

Duhanaj: Mbështes deklaratën e Krasniqit kundër bashkëpunimit me LVV-në

Analisti tjetër, Leon Duhanaj në një përgjigje për “Bota sot”, nuk e sheh si problematike deklaratën e Enver Hoxhajt për kandidim në krye të PDK-së.

Ai thekson se partia ka kuadro cilësorë dhe se konkurrenca është vlerë, jo shenjë përçarjeje. Sipas tij, rikonfirmimi unanim i Krasniqit dëshmon stabilitetin, ndërsa gara e hapur është normale dhe e mirëpritur në një parti demokratike.

“Për sa i përket deklaratës së z. Hoxhaj, se do të kandidojë për postin e Kryetarit të PDK-së, të cilën nuk e paskam dëgjuar si të tillë, megjithatë nuk e shoh aspak problematike.

Përkundrazi, mendoj që PDK ka kuadro mjaft cilësor, të cilët kanë kapacitete të mjaftueshme profesionale, intelektuale dhe njerëzore të marrin udhëheqjen e partisë.

Kjo deklaratë nuk do të thotë që z. Hoxhaj apo dikush tjeter të jetë i pakënaqur me punën e Kryetarit Krasniqi. Përkundrazi ai u rikonfirmua unanimisht në ketë pozitë. Konkurrenca në garë është atribut kualitativ, gjë që në PDK-së nuk ka munguar asnjëherë”, shprehet ai.

Derisa, për koalicionet, ai thekson se PDK ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me partitë tjera, pa vendosur asnjëherë vija të kuqe. Sipas tij, kjo nuk do të thotë nënshtrim ndaj ndonjë ideje apo subjekti – partneriteti kërkon barazi, jo shantazh.

Ai shton se Memli Krasniqi ka pranuar çdo ftesë nga Kurti, duke treguar gatishmëri për dialog, por gjithmonë me qëllime të qarta.

PDK, sipas Duhanajt, mbetet e gatshme për çdo zgjidhje që i shërben Kosovës, jo interesave personale apo partiake.

Image
Leon Duhanaj

“Për sa i përket koalicionit/neve me partitë tjera, PDK është partia e vetme, e cila asnjëherë nuk ka pasë vija të kuqe me askënd. Pra nuk është asnjë risi në ketë pikë.

PDK është dhe duhet të jetë e hapur për bashkëpunimin me subjektet tjera parlamentare, për interesa të shtetit. Kjo nuk do të thotë që PDK, të pranoj t'i nënshtrohet ndonjë subjekti apo ideje tjetër. Kush ka vullnet për partneritet, mund të diskutojë me PDK-në. Kush synon të gjejë oborrtarë të cilët i nënshtron e shantazhon me pastaj, kërkon rrugë tjera, sepse e di që me PDK-në nuk ja del dot.

Kryetari i PDK-së z. Memli Krasniqi është i vetmi që ka pranuar çdo ftesë të Kurtit për takim, madje për ketë është kritikuar nga subjektet tjera. Por në secilin takim, ka shkuar dhe ka prezantuar qëllime të qarta, gjë që nuk i ka shkuar për shtati aventurierit Kurti.

Edhe tani, PDK është e hapur për zgjidhje që janë në shërbim të Kosovës, e jo në shërbim të kauzave të individëve apo partive të ndryshme. Kush ka qëllim të mirë për Kosovën, tek PDK i ka dyert hapur për bashkëpunim”, foli analisti.

Kurse, sa i përket deklaratës së Krasniqit, Duhanaj mbështet deklaratën e tij, duke thënë se është e qëlluar dhe se bashkëpunimi i VV-së me Listën Serbe ka qenë i fshehtë dhe i dëmshëm, ndryshe nga kontaktet institucionale që më herët ishin publike dhe në përputhje me Kushtetutën.

“Deklarata e Memli Krasniqit, rreth bashkëpunimit të LVV, me Listen Serbe, është e qëlluar.

Duke qenë se Lista Serbe është kategori kushtetuese në Kosovë, bashkëpunimi institucional ka qenë i detyrueshëm.

Por LVV i ka akuzuar të gjithë ata të cilët janë takuar me ta në zyra dhe institucione të Kosovës, dhe atëherë kush çdo gjë ishte në suaza normale. Por në anën tjetër, pas marrjes së pushtetit, ka bashkëpunuar me ta në mënyrë klandestine, fshehurazi” – përmbylli ai për gazetën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat