Deputetët për herë të 39-të dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Ky dështim, erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimit të liderëve politik.
E në lidhje me këtë bllokadë që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.
Së pari, komentoi aktvendimin e Kushtetueses për formim të institucioneve të reja, derisa tha se ai është keqinterpretuar publikisht dhe po përdoret si një “mjet lufte” mes partive politike.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor 2025 i jep Kuvendit të Kosovës një udhëzim te thjeshtë dhe të qartë: brenda 30 ditëve të zgjedhë Kryetarin dhe Nënkryetarët e tij, për të tejkaluar bllokadën institucionale dhe për te rivënë në funksion sistemin parlamentar. Por për fat të keq, ky udhëzim neutral dhe teknik është keqinterpretuar publikisht, duke u shndërruar në mjet te një lufte politike që nuk ka për qëllim zbatimin e Kushtetutës por zgjatjen e krizës”, nënvizoi ai.
Po ashtu, Voca theksoi se gjykata me vendimin e saj u tregua neturale dhe se pretendimi se “votimi i fshehtë është jokushtetues” është i pabazë.
Për këtë, ai përendi edhe rregulloren e Kuvendit, e cila e lejon një gjë të tillë.
“Gjykata nuk ndalon dhe as nuk përmend fare formën e votimit, as të hapur, as të fshehtë. Ajo nuk e konteston komisionin për votim të fshehtë, nuk përmend asnjë emër kandidati dhe as nuk jep udhëzim për ndërprerjen apo rihapjen e seancës. Pra, gjykata është krejtësisht neutrale: e vlerëson situatën si bllokadë funksionale dhe i jep Kuvendit një afat për ta zhbllokuar, as më shumë, as më pak.
Ndërkohë, Rregullorja e Punës së Kuvendit (neni 60) e lejon qartë votimin e fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, nëse kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe miratohet nga shumica. Ky mekanizëm nuk është shpikur nga një parti politike, është pjesë e ligjshmërisë parlamentare dhe është përdorur edhe në të kaluarën. Prandaj, pretendimi se “votimi i fshehtë është jokushtetues” është i pabazë dhe vjen nga një keqlexim, ose më saktë, nga një interpretim i qëllimshëm politik”, u shpreh ai.
Tutje, ai përmendi edhe dy propozimet e kryeministrit në detyrë, Kurtit, derisa tha se ato tregojnë sinjale që, LVV është për të ofruar zgjidhje për ngërç dhe nuk po dëshiron të dominojë.
Gjithashtu, sërish e ritheksoi faktin që Kushtetuesja nuk e ka përjashtuar votimin e fshehtë.
“Tashmë, në deklaratën e tij të fundit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti ofroi dy kompromise konkrete: së pari, nëse Albulena Haxhiu nuk merr 61 vota përmes votimit të fshehtë, ajo tërhiqet nga kandidatura, pa provë të dytë me të njëjtën metodë. Së dyti, ai ofroi mundësinë e një marrëveshjeje politike në paketë për Kryetarin dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Këto janë sinjale të qarta se Vetëvendosje nuk po tenton të dominojë, por po kërkon zgjidhje përmes procedurave të rregullta dhe dialogut. Në të kundërt, opozita po vazhdon të bojkotojë edhe votimin për krijimin e komisionit për votim të fshehtë, duke e paraqitur këtë si “mbrojtje të rendit kushtetues”. Në fakt, është instrumentalizim i Kushtetutës për të justifikuar bllokimin politik.
Si studiues edhe i administratës publike, ky qëndrim nuk buron nga afërsia me ndonjë subjekt politik, por nga vlerësimi i procedurave institucionale dhe detyrimeve kushtetuese. E kundërta është më afër së vërtetës: kur një shumicë parlamentare përpiqet të zbatojë një dispozitë të Rregullores së Kuvendit për të realizuar një detyrim kushtetues, ndërsa kjo bllokohet nga bojkotimi i opozitës, atëherë rendi kushtetues cenohet nga refuzimi për të marrë pjesë në proces, jo nga vetë procedura. Gjykata Kushtetuese nuk e ka përjashtuar votimin e fshehtë dhe nuk ka kundërshtuar krijimin e komisionit. Interpretimet që e quajnë këtë veprim “jokushtetues” janë qëndrime politike, jo përfundime juridike”.
Ndër të tjera, Voca kritikoi partitë që ishin në opozitë deri dje për qasjen e tyre dhe për refuzimin votimit të fshehtë.
Sipas tij, në skenën politike po mungon vullneti për të zbatur ligjet, Kushtetutën dhe për të formuar institucionet e reja.
“Opozita po përpiqet të bllokojë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit për të shtyrë një krizë që mund të prodhojë zgjedhje të reja, qe të minojë legjitimitetin e VV-së si partia fituese e zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve dhe të fshehë mungesën e vullnetit për marrëveshje politike pas retorikës për “mbrojtjen e rendit kushtetues”. Në thelb, kemi të bëjmë me një strategji të qëllimshme për të sabotuar funksionalizimin institucional, jo për ta mbrojtur atë.
Votimi i fshehtë është mjet legjitim për zgjedhje ne institucione. Ndërsa bojkotimi i votimeve, bllokimi i procedurave dhe keqinterpretimi i Kushtetutës për interesa të momentit janë ato që rrezikojnë rendin kushtetues në praktikë. Zgjidhja kërkon pjesëmarrje në proces, jo bojkotim të tij, dialog dhe kompromis, jo keqlexim me qëllim politik, respekt të frymës së Kushtetutës, jo manipulim të germës së saj.
Sot, Kosovës nuk i mungon një aktgjykim, i mungon vullneti për ta zbatuar. Nuk i mungon Rregullorja e Kuvendit por i mungon guximi për ta përdorur atë drejt. Nëse asnjëra nga këto nuk ndodh, atëherë mbetet vetëm një rrugë, qytetari të vendosë përmes votës së re”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.