Vidovdani si mjet propagandistik i Serbisë kundër Kosovës, ekspertët: Simbol i përçarjes dhe urrejtes, duhet të ndalohet!

Politika

Vidovdani si mjet propagandistik i Serbisë kundër Kosovës, ekspertët: Simbol i përçarjes dhe urrejtes, duhet të ndalohet!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 qershor 2025 Në ora: 08:01
Gazimestani

Çdo vit, më 28 qershor, në Gazimestan – një vend simbolik rreth 15 kilometra larg Prishtinës – Kisha Ortodokse Serbe dhe besimtarë serbë nga Kosova, Serbia dhe rajoni, shënojnë Vidovdanin, për të kujtuar betejën e vitit 1389 kundër ushtrisë osmane, që konsiderohet si një moment kyç i historisë serbe.

Në këtë vend, më 28 qershor 1989, ish-presidenti serb dhe krimineli Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra mijëra serbëve, në 600-vjetorin e betejës.

Deklarata e tij se "betejat e armatosura nuk përjashtohen" u interpretua gjerësisht si një paralajmërim për konfliktet e armatosura që shpërthyen më vonë gjatë viteve ’90 në ish-Jugosllavi.

Të shtunën, Policia e Kosovës janë kujdesur për sigurinë e kësaj feste, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të KFOR-it italian.

Kurse, për thirrje raciste dhe mosreskpetim rregullash, Policia e Kosovës i ka ndaluar 17 persona të shtunën në Gazimestan.

Dashevci: Vidovdani është përdorur në ndërtimin fals të identitetit serb në raport me Kosovën

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci thotë se Gazimestani u bë i njohur pas fjalimit famëkeq të Millosheviqit më 1989, që lidhet me nisjen e luftërave në ish-Jugosllavi. Vidovdani, si rit fetar i Kishës Ortodokse Serbe, përkujton një betejë të humbur. Sa kohë festohet pa incidente, në një shtet demokratik si Kosova, ndalimi i saj nuk është i nevojshëm.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

“Gazimestani në Kosovë njihet që nga viti 1989 dhe 1990 askush dhe asnjëherë më përpara nuk është përmendur fare, gjithashtu njihet për fjalimin famëkeq nga kasapi i ballkanit pra presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, që mbajti atje në vitin 1989. Ky fjalim shpesh citohet por ishte atëherë por tash jo më assesi sepse nuk ka vlerë më si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Fjalimi i tij famëkeq ka sjellur luftë të përgjakshme me shumë viktima.

Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës që ishte debakël i humbur, pra festohet një humbje e thellë në praktikë.

Nëse festohet pa incidente nuk ka pse të ndalohet kjo “festë" / humbje në terren, jemi shtet demokratik dhe sillemi si të tillë mendoj unë”, shpreh opinionin e tij .

Sipas tij, Vidovdani është përdorur si mit propagandistik për ndërtimin e identitetit serb në raport me Kosovën, pa bazë historike të dokumentuar.

Ai thotë se fjalimi i Millosheviqit në 1989 nxit tensione që çuan në luftë e përfunduan me humbjen e Serbisë në 1999. Sot, ndikimi i kësaj narrative ka rënë ndjeshëm dhe pjesëmarrja po bie çdo vit.

“Kjo festë/ mit/ narrativë është përdorur pra Vidovdani në ndërtimin fals të identitetit serb në raport me Kosovën, sepse asnjë dokumet relevant nuk ka në arhivat e historisë, përdoret thjeshtë si propagandë dhe mbaron si propagandë.

Fjalimi i Millosheviqit në Gazimestan më 1989 ndikoi në rritjen e tensioneve në Kosovë dhe ish Jogosllavi që filloj me Slloveninë dhe mbarojë me kapitullimin e Serbisë në vitin 1999 në Kosovë dhe me bombardimin e NATO-s, ku ai edhe u burgos.

Nuk ndikon tashmë edhe shumë përdorimi i simboleve historike si Vidovdani në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë sot, në vitin 2025 sepse çdo vit po ka më pak pjesëmarrës nga viti paraprak, e vërteta thjesht po e mundë gënjeshtrën/ mitin dhe çdo narativë”, përfundon Dashevci për “Bota sot”.

Kelmendi: Gazimestani i Kosovës është shndërruar në vend të urrejtjes raciste serbomadhe ndaj shqiptarëve ilirianë

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se festa e Vidovdanit në Kosovë ngarkesë të thellë politike dhe historike, që shfrytëzohet për mesazhe nacionaliste serbe.

Ai thotë se kjo festë duhet të ndalohet, pasi lidhet me fjalimin famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan më 1989, ku ai paralajmëroi luftërat që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë. Nga ky moment nisi një varg konfliktesh të përgjakshme në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe përfunduan me luftën në Kosovë, ku ndodhi një dhunë masive me mbi 15 mijë shqiptarë të vrarë, dhjetëra mijëra të dëbuar dhe mbi 20 mijë raste të dhunës seksuale. Edhe sot, mbi 1600 persona ende konsiderohen të zhdukur.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

“Festa e Vidovdanit në Kosovë kërkohet të ndalohet zyrtarisht. Nga një vend i tillë, në vitin 1989 ka marshuar me luftë raciste krimineli Millosheviq. Ai, aty, në festë, para nacional-racistëve serbë, paralajmëroi luftë në ish-Jugosllavi. Dhe, vërtetë, lufta kishte filluar, madje shumë ashpër, me mjete të ftohta dhe me ndjekje raciste ndaj shqiptarëve.

Nga Gazimestani i Kosovës u marshua me luftë të armatosur në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë. Përfundoi në Kosovë. Kudo u bë dhunë gjenocidale nga ushtria serbomadhe e ish-Jugosllavisë. Në Kosovë u mbytën rreth 15 mijë shqiptarë. U përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe u bë dëm i madh. Edhe sot nuk gjenden mbi 1600 veta”, thotë ai.

Kelmendi e ka cilësuar Gazimestanin si një vend që ende përdoret nga qarqe serbomëdha për përhapjen e ideologjisë fashiste dhe veprimeve kriminale.

Sipas tij, Kisha Ortodokse Serbe luan rol aktiv në promovimin e urrejtjes dhe në thirrjet për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

“Gazimestani, si vend, nga serbomëdhenjtë edhe tash po përdoret me ideologjinë serbomadhe. Po shfrytëzohet si vend për veprime fashiste dhe po kryhen shumë veprime kriminale.

Në Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe po bën veprime raciste dhe po jep mesazhe për dhunë dhe veprime pushtuese, duke kërkuar kthimin e ushtrisë serbomadhe.

Nuk dua të futem në karakterin e Betejës së Kosovës. Por duhet të dihet se në këtë betejë morën pjesë me ushtri edhe shumë principata shqiptare. Ishte luftë e popujve të Ilirisë. Këtë e kundërshtojnë shovinistët serbë dhe Kisha Ortodokse serbo-fashiste. Qëllimi është me treguar se Kosova ishte serbe.

Me këtë ide erdhi në Gazimestan krimineli i luftës Millosheviq. Nga këtu vazhdoi zyrtarisht, me qëndrimin fashist, të realizohet ideologjia serbomadhe. Krimineli Millosheviq tregoi qartë se ka për pikësynim realizimin e “Kosovës serbe””, shprehet tutje.

Në fund profesori dekalron se që shteti i Kosovës duhet ta ndalojë manifestimin e Vidovdanit në Gazimestan, pasi ai po shfrytëzohet për përhapje të urrejtjes raciste dhe ideologjisë serbomadhe. Kisha Ortodokse Serbe, në vend që të merret me fe, po nxit politikisht serbizimin e Kosovës. Beteja e Kosovës ishte e përbashkët për popujt e Ilirisë dhe nuk duhet të përdoret për qëllime shoviniste.

“Duke e parë kështu, i takon organeve të shtetit të Kosovës të ndalojnë këtë gjoja manifestim. Bazë e kësaj është urrejtja nacionale dhe veprimtaria raciste serbe.

Në Gazimestan po merr pjesë edhe Kisha Ortodokse Serbe. Aty po del botërisht pikësynimi për serbizimin e Kosovës me luftë fashiste.

Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë këtë ideologji brenda vetes. Kisha duhet të merret vetëm me fe. Nuk duhet të merret me politikë. Serbomëdhenjve duhet t’u hiqet fallcoja e festës së Vidovdanit.

Beteja ishte e tërë popujve të Ilirisë. Natyrisht se këtu fjalën e fundit e kanë, për karakterin e luftës, historianët.

Por, në emër të saj, nuk lejohet urrejtja raciste serbomadhe me pikësynimin se gjoja Kosova është serbe.

Kjo ditë duhet ndaluar” – përmbyll ai Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat