“Rrezikun e kemi te dera e shtëpisë”- Zbërthehet mesazhi i Trump-it: Një “paketë detyruese” për çështjen Kosovë-Serbi?

Politika

“Rrezikun e kemi te dera e shtëpisë”- Zbërthehet mesazhi i Trump-it: Një “paketë detyruese” për çështjen Kosovë-Serbi?

Nga: M.L. Më: 30 qershor 2025 Në ora: 11:48
Albin Kurti dhe Donald Trump

Ditëve të fundit çështja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u bë pjesë e pandashme e retorikës politike të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump.

Presidenti Trump e ka përsëritur thuajse në çdo takim a konferencë se ka qenë ai që e ka ndaluar Serbinë që ta sulmojë Kosovën duke ndaluar kështu një luftë të ashpër.

“Bëmë shumë punë. Nuk e di nëse ka ndonjë president që ka bërë më shumë. Serbia dhe Kosova do të shkonin drejt përplasjes, do të kishte një luftë të madhe. Thash, vazhdoni, por nuk ka tregti me ShBA-në. Ata thanë, ‘epo, ndoshta nuk do të përplasemi’”, tha Trumpi në një konferencë për media.

Për Saim Tahirajn, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, këto deklarata të presidentit amerikan janë një mesazh ndaj politikanëve në Kosovë se së shpejti do të ketë një tryezë bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, anipse ata janë të papërgatitur duke u marr me ngërçin e brendshëm.

“Në kohët e fundit Presidenti Trump ka përsëritur disa herë çështjen e luftës në mes Kosovës dhe Serbisë, madje mburret se e ka ndaluar këtë dhe duhet të marr çmimin Nobel për paqe. Mendoj se ky është një mesazh që ju dërgohet udhëheqjes së Kosovës se dita që do shkohet në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi po afrohet dhe ju jeni të papërgatitur sepse po merri me vet-veten. U morët vesh në mes vete apo jo ajo do zgjidhet edhe pa juve por me pasoja për shtetin e Kosovës”, është shprehur Tahiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Saim Tahiraj

Tahiraj ka theksuar se për fat të keq kjo strukturë politike që përbëhet nga të gjitha partitë politike është e pavetëdijshme për seriozitetin e situatës në të cilën gjendemi dhe sillen sikur asgjë nuk po ndodhë në Botë.

“Zhvillimet gjeopolitike dhe gjeostrategjike po zhvillohen me një shpejtësi të madhe dhe ndryshime të paparashikueshme. Udhëheqja e Kosovës moti e humbur rrugën në oborrin e vet, partitë opozitare po ndjekin lojën e Kurtit dhe nuk janë në gjendje të kenë një strategji që e bllokon veprimin destruktiv dhe në dëm të shtetit. Sa më parë duhet të zgjidhet bllokada e Parlamenti dhe të fillojnë proceset e themelimit të qeverisë, për ndryshe paketën e njëanshme të zgjedhjen e problemit Kosovë-Serbi do ta kemi në tavolinë të detyrueshme për zbatim. Sa kemi fuqi dhe jemi në gjendje ta kundërshtojmë një paketë ultimative nga Presidenti Trump dihet, zero fuqi dhe aspak autoritet shtetëror sepse moti e kemi humbur me sjelljet tona të papërgjegjshme. Nuk luhen lojna të tilla fëmijërore me shtetet mike serioze me fuqi dhe superfuqi botërore. Ato nuk kanë kohë për të humbur në këtë botë të trazuar nga shumë probleme të mëdha dhe të merren me një problem minorë siç është ai Kosovë-Serbi”, ka nënvizuar ai.

Ish-ushtaraku nënvizoi se shumë shpejt Kosova do ta ketë “paketën detyruese” në tavolinë dhe se kjo e bën urgjente formimin e institucioneve të reja.

“Koha po afrohet dhe nuk pret, shumë shpejt do ta kemi paketën detyruese në tavolinë, andaj kërkohet që urgjentisht të krijohen institucionet me personalitete të vetëdijshme dhe të përgjegjshme për seriozitetin e situatës. Jemi të vonuar në këtë drejtim andsj duhet të lihen anash inatet, gjelozitë dhe interesat partiake sepse rrezikun e kemi te dera e shtëpisë. Mbi të gjitha shteti, të tjerat janë të dorës së dytë apo tretë dhe tutje”, ka nënvizuar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat