Muçiqi me kritika ndaj politikanëve, ja çfarë po tentojnë të bëjnë

Politika

Muçiqi me kritika ndaj politikanëve, ja çfarë po tentojnë të bëjnë

Nga: A.M. Më: 30 qershor 2025 Në ora: 20:53
Kuvendi i Kosovës

Të dielën, është mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pas një takimi të rëndësishëm ndërmjet liderëve politikë. Këto zhvillime kishin ngritur pritshmëri për një përparim në drejtim të zgjidhjes së çështjeve kyçe politike.

 Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe diskutimeve të bëra, partitë politike ende nuk kanë arritur një gjuhë të përbashkët, duke lënë të hapur rrugën për vazhdimin e tensioneve dhe paqartësive në skenën politike të vendit.

Opinionisti Ismail Muçiqi në një prononcim për “Bota sot” ka hedhur kritika ndaj kulturës politike në Kosovë, duke e cilësuar gjeneratën aktuale politike si të papjekur dhe me mendësi të dëmshme për kohën.

Image
Ismail Muçiqi

Tutje ai ka theksuar se opozita ka bërë një marrëveshje të heshtur për të bllokuar Kuvendin, jo domosdoshmërisht për të kundërshtuar kandidaten e VV-së, por për të rrëzuar Kurtin nga pushteti.

“Kam shkruar edhe më parë për situatën politike në Kosovë, veçanërisht për nivelin e ulët të kulturës politike të liderëve partiakë dhe të klasës politike në përgjithësi, përfshirë edhe deputetët e dështuar. Komenti im është se kjo gjeneratë që ka marrë përgjegjësinë për të bërë politikë është e papjekur, dhe, mjerisht, mendësia e tyre është e dhimbshme për kohën në të cilën po jetojmë.

E vërteta është aty, por askush nuk po e thotë me zë. Partitë opozitare, të cilat për vite me radhë kanë qenë në pushtet, kanë lidhur një “besë” të heshtur për ta bllokuar Kuvendin e Kosovës – jo domosdoshmërisht për të kundërshtuar Albulena Haxhiun, por me qëllimin final për ta larguar Albin Kurtin nga pushteti. Kjo është e vërteta që fshihet pas prapaskenave politike”, ka thënë ai.

Muçiqi ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mosdhënien e një zgjidhjeje të qartë ndaj bllokadës parlamentare.

Po ashtu, ai ka propozuar që Presidentja të ndërmjetësojë një tryezë mes liderëve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, së bashku me ato lokale.

“Së pari, mendoj se edhe Gjykata Kushtetuese, përveçse e ka neglizhuar situatën në Kuvendin e Kosovës, me aktgjykimin e saj nuk ka dhënë një zgjidhje të qartë për tejkalimin e bllokadës parlamentare.

Kompromiset në politikë janë gjithmonë të mundshme, por inatet, përçarjet dhe tendencat aktuale ndërmjet partive politike nuk lënë shpresë për ndonjë zhvillim pozitiv për Kosovën.

Rruga e vetme është që Presidentja e vendit të thërrasë liderët partiakë në tryezë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, dhe më pas të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me zgjedhjet lokale”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, ai ka përmendur se cilat janë pengesat kryesore që po e vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Pengesë numër një është lufta për pushtet, interesat për përfitime personale në politikë, pasurimi dhe vazhdimi i karrierës politike me çdo kusht, nga një klasë politike që nuk e meriton më të flasë në emër të popullit”, është shprehur ai.

Muçiqi ka shtuar se faktori ndërkombëtar po qëndron anash për shkak të krizave globale, por po e vëzhgon me kujdes klasën politike në Kosovë.

“Tani për tani, faktori ndërkombëtar po qëndron anash, për shkak të gjendjes dhe krizave të shumta që kanë shpërthyer anembanë botës. Me një fjalë, faktori ndërkombëtar po e vëzhgon me kujdes pjekurinë politike të kësaj klase parlamentare, e cila, për fat të keq, po hyn në Librin e Ginisit në faqen më të zezë të historisë së parlamentarizmit”, ka përfunduar Muçiqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat