Drejt zgjedhjeve apo zgjidhjes së ngërçit politik? Presidentja bën përpjekjen e “fundit” për unitet – analistët tregojnë pritjet

Politika

Drejt zgjedhjeve apo zgjidhjes së ngërçit politik? Presidentja bën përpjekjen e “fundit” për unitet – analistët tregojnë pritjet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 korrik 2025 Në ora: 14:04
Presidentja Vjosa Osmani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

Mirëpo, çështja e votimit të fshehtë ka mbetur ende e paqartë, gjë që ka quar në përçarjen edhe më të skajshme ndërmjet subjekteve politike.

Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 40 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

E të gjendur në këtë situatë për të dalë nga ky ngërç politik, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit, ditë më parë.

E gjatë ditës së sotme në seancën e Kuvendit të Kosovës e cila po ashtu dështoi për të dyzetën herë me radhë, nga liderët e partive politike u bë me dije që presidentja Osmani do të mbajë takime ndarazi me subjektet politike.

Këto takime do të fillojnë nga nesër me PDK e pastaj duke pasur me partitë e tjera politike.

Mirëpo a mund të kemi rezultate pozitive pasi këto takime do të zhvillohen ndarazi me subjektet politike?

Qarri: Partitë politike pa bashkëpunim mes vete

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai thekson se Gjykata Kushtetuese nuk arriti të zgjidhë krizën politike, por përkundrazi lejoi vazhdimin e bllokadës mes partive.

Ai gjithashtu vëren se partitë, në vend që të marrin përgjegjësi për dështimin në konstituimin e Kuvendit, po ia hedhin fajin njëra-tjetrës, ndaj fton Presidenten të ndërmarrë hapa për zgjidhje përmes konsultimeve.

“Në fakt me gjithë përgjigjen jo pak të vonuar, Gjykata Kushtetuese përveçse nuk zgjidhi problemet politike, ajo ua la rrugën hapur, partive pjesëmarrëse që të vazhdojnë me avazin e deritanishëm, në pritje të dorëzimit të palës kundërshtare.

Për aq më tepër është shumë interesant, se derisa të gjitha partitë janë të obliguara të kontribuojnë dhe mbajnë përgjegjësi ligjore për konstituimin e Kuvendit, ato janë futur në garë për t`ia hedhur fajin njëra tjetrës për dështimet në konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ai.

Analisti më tej thotë se, megjithëse nuk pritet ndonjë rezultat konkret, takimet konsultative që Presidentja Osmani do të zhvillojë me liderët politikë janë të domosdoshme për të tentuar zgjidhjen e krizës.

Ai nënvizon se mungesa e konsensusit dhe veprimeve konstruktive nga partitë po e thellon më tej ngërçin politik.

“Andaj dhe e shoh të natyrshme që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, t’i ftojë liderët e partive politike në takime konsultative, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pas dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit.

Madje duke qenë se përkundër konsultimit „konstruktiv“ dhe kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për bashkëpunimin në mirëbesim ndërpartiak, për konstituimin e Kuvendit, u pa qartë se përsëri nuk ka  konsensus as veprime konstruktive, të segmenteve politike, edhe pse nuk pres ndonjë rezultat konkret, vlerësoj se takimet konsultative që Presidentja Osmani pritet t’i zhvillojë me liderët politikë, janë të domosdoshme, në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit, megjithëse, aktualisht nuk duket në horizont mundësia që këto takime të prodhojnë një zgjidhje konkrete politike”, foli analisti Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Qytetarët kanë votuar jo për të robëruar Kosovën

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa profesori, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, kritikon ashpër deputetët, sidomos opozitën, për inatet dhe paaftësinë e tyre që kanë çuar në bllokimin e Kuvendit, duke i detyruar institucionet të ndërhyjnë për zgjidhje.

Ai thekson se deputetët po harrojnë detyrimin ndaj qytetarëve dhe shtetit, ndaj Presidentja po përpiqet t’i pajtojë për të mirën e vendit.

“Sesa përgjegjës e të aftë janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos të partive opozitare, të cilët janë kundër kryetares së parlamentit,, Haxhiut, dhe partisë fituese LVV-së  tregojnë dështimet e njëpasnjëshme për  konstituimin e Kuvendit, aq inate kanë saqë e kanë detyruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, të reagojë duke i ftuar liderët e partive politike në konsultime për të zgjidhur ngërçin institucional ligjdhënëse për të liruar, gjallëruar  e frymosur institucionin më të rëndësishëm të shtetit.

Si nuk e kuptojnë të gjorët deputetë se qytetarët kanë votuar jo për të robëruar Kosovën,  por për të forcuar me ligjet e nenet që dalin nga dora e deputetëve në parlamentin e shtetit. Pikërisht për këta gishta e duar pasiv e të ngurta të deputetëve, presidentja, Vjosa Osmani, gjatë takimit do mundohet të pajtonte për të pasur një marrëveshje në të mirën e Kosovës”, shton profesori.

Ndër të tjera Profesori përdor ironi për të kritikuar ashpër deputetët që po e injorojnë rolin e Presidentes në zgjidhjen e krizës, duke e krahasuar situatën me ndërhyrje absurde nga jashtë.

Gjithashtu profesori sugjeron se, nëse mungon bashkëpunimi me Presidenten, atëherë zgjidhja e vetme e mbetur janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Nëse edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, deputetët e ngërçit politik nuk e marrin parasysh e nuk e dëgjojnë, atëherë bllokuesit e parlamentit të Kosovës le ta ftojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës nga Beogradi.

Nëse deputetët e ngërçit politik nuk e dëgjojnë, presidenten, Vjosa Osmanin, atëherë pa hamendje duhet të shpallen Zgjedhje të Jashtëzakonshme Parlamentare në Kosovë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat