Çështja e raporteve të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë përmes deklaratave të bujshme të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në ditët e fundit, Trump ka përfshirë temën e Kosovës në pothuajse çdo prononcim publik, duke e vendosur sërish këtë konflikt të ngrirë në agjendën politike amerikane.
Duke folur me ton triumfalist në konferenca për media dhe takime publike, Trump ka pretenduar se ishte pikërisht ndërhyrja e tij që ndaloi një luftë të re në Ballkan.
Ai thotë se vendimi për të ndërprerë tregtinë me Serbinë, në rast të një sulmi ndaj Kosovës, ishte faktori kyç që shmangu një përplasje të armatosur mes dy shteteve.
“Bëmë shumë punë. Nuk e di nëse ka ndonjë president që ka bërë më shumë,” u shpreh Trump, duke theksuar rolin e vet si ndërmjetësues i paqes në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Deklaratat e Trump kanë ngjallur reagime të përziera në opinionin ndërkombëtar dhe lokal, teksa shumë pyesin nëse retorika e tij është pjesë e një strategjie politike apo një rikujtim real i ndikimit amerikan në zhvillimet rajonale.
Në çdo rast, Kosova dhe Serbia po shndërrohen sërish në temë globale.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.
Ai thotë se SHBA-të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor përmes ndikimit të tyre diplomatik dhe ushtarak.
Gjithashtu shton se presidenti Trump është zotuar për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë edhe parandalimin e një ndërhyrjeje të mundshme serbe në Kosovë.
“Ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen si paqebërësit kryesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ata ende vazhdojnë me ndikimin e tyre diplomatik e ushtarak pë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidenti Trump është zotuar vazhdimisht në ndërprerjen e konflikteve në përgjithësi, po edhe atë Kosovë-Serbi në veçanti. Së fundmi ai ka deklaruar se parandaluan një tentim për ndërhyrjen serbe në territorin e Kosovës”, u shpreh ai.
Njohësi shton që administrata Trump është angazhuar në zgjidhjen e konflikteve globale për të ulur shpenzimet ushtarake dhe ekonomike, siç tregohet në rastin e Izraelit.
Ndër të tjera thotë që në këtë logjikë, është e mundur që edhe konflikti Kosovë-Serbi të zgjidhet përmes një marrëveshjeje konkrete mes palëve.
“Deri tani, administrata Trump është angazhuar vazhdimisht për t'i shuar konfliktet nëpër botë dhe kjo për arsye se shpenzimet janë të majme sa i përket furnizimit të shtetit aleat, si p.sh. Izraeli ishte aleat i SHBA-së, por insistoi ta ndalonte luftën me Iranin, madje të arrijnë marrëveshje paqësore edhe me Palestinën, sepse gjatë kësaj periudhr konflikti, SHBA-ja gjykon se ka harxhuar tejmase nga buxheti shtetëror duke financuar Izraelin.
Kështu që, ekziston mundësia që edhe konfliktin Kosovë-Serbi ta definojë me ndonjë marrëveshje konkrete mes palëve”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.