Pas vendimit të Kushtetueses, ngërçi politik pa zgjidhje – shpresa te Presidentja

Politika

Pas vendimit të Kushtetueses, ngërçi politik pa zgjidhje – shpresa te Presidentja

Nga: A.M. Më: 2 korrik 2025 Në ora: 20:58
Foto nga takimi i Presidentes Osmani me kryeministrin në detyrë, njëherësh kyetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Kriza politike në Kosovë vazhdon të jetë e thelluar edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritej të shërbente si pikë kthese për daljen nga bllokada institucionale. As takimi i liderëve politikë nuk solli ndonjë përparim të dukshëm.

Në këtë kontekst, e vetmja shpresë për zgjidhjen e ngërçit mbetet ndërhyrja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka nisur një raund të ri takimesh me liderët partiakë në përpjekje për të lehtësuar një dialog gjithëpërfshirës.

Të mërkurën, Presidentja Osmani ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Takimet do të vazhdojnë edhe të enjten, ku pritet që Presidentja të konsultohet me liderët e partive të tjera, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje të përbashkët nga kriza

Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se situata aktuale në Kosovë pasqyron mungesën e vizionit politik dhe mbizotërimin e interesave afatshkurtra partiake.

Image
Fahredin Majkovci

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe takimi i liderëve politikë duhej të ishin një pikë kthese drejt përgjegjësisë së përbashkët.

“Kjo situatë reflekton mungesën e një vizioni të qartë politik dhe dominimin e logjikës së përfitimeve afatshkurtra partiake, në vend të interesit shtetëror dhe institucional. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe takimi i liderëve politikë duhej të shërbenin si pikë kthese drejt dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur, dhe kjo tregon se politika në Kosovë ende nuk është zhvilluar deri në atë pikë ku interesi i Republikës vendoset mbi gjithçka tjetër”, ka thënë ai.

Më tej, Majkovci ka paralajmëruar se nëse vazhdohet me bllokada, kompromisi do të vonohet dhe pasojat do t’i paguaj qytetari.

“Kompromisi në politikë është gjithmonë i mundur, por vetëm nëse ekziston vullnet i sinqertë për të gjetur zgjidhje që mbrojnë interesin e përbashkët dhe afatgjatë të vendit, jo vetëm kalkulimet elektorale. Nëse situata vazhdon me këtë ritëm të bllokadave dhe delegjitimimit të ndërsjellë, kompromisi do të vonohet dhe çmimin për këtë, për fat të keq, e paguan qytetari”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Majkovci ka treguar se cilat janë disa nga pengesat kryesore për arritjen e marrëveshjeve politike në Kosovë.

“Mungesa e besimit të ndërsjellë: Partitë politike nuk kanë besim tek qëllimet apo tek gatishmëria e njëra-tjetrës për të respektuar marrëveshjet.

Presioni elektoral dhe populizmi: Liderët politikë shpesh hezitojnë të tregojnë fleksibilitet, nga frika se do të humbasin përkrahjen e elektoratit.

Trashëgimia e krizave të mëparshme: Shembujt si dështimi i bashkëqeverisjes mes VV dhe LDK kanë krijuar precedentë që e bëjnë edhe më të vështirë ndërtimin e një besimi të ri”, ka vlerësuar ai.                                                                                

Po ashtu, Majkovci ka vlerësuar se roli i faktorit ndërkombëtar, mbetet i rëndësishëm për dialogun politik, por angazhimi i tyre nuk është më në nivelin e mëparshëm.

“Faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht BE-ja, SHBA-ja dhe shtetet kyçe të QUINT-it, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e dialogut politik, por duket se angazhimi i tyre nuk është më në nivelin e dikurshëm. Kjo për Kosovën është një sinjal se nuk mund të mbështetemi vetëm në ndërkombëtarët.

Shteti ynë duhet të prodhojë alternativa të brendshme edhe në kohë krizash. Është momenti të dëshmojmë se bashkë me konsolidimin institucional, edhe politika ka arritur një nivel më të pjekur demokratik”, ka deklaruar ai.

Në fund, Majkovci shpreson se Presidentja Osmani do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues për tejkalimin e ngërçit politik, duke ndihmuar në lehtësimin e dialogut ndërpartiak.

 “Unë kam shpresë se Presidentja do të luajë rolin e saj kushtetues në tejkalimin e këtij ngërçi, duke kontribuar në lehtësimin e dialogut ndërpartiak. Nëse kjo ndodh, Kosova mund të dëshmojë se ka kapacitetin ta zgjidhë krizën përmes mekanizmave të vet demokratikë”, ka përfunduar Majkovci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat