“Bota serbe”, po përkrahet në Maqedoninë e Veriut dhe këtë shqetësim po e ndan edhe Parlamenti Evropian.
Për këtë çështje pritet të diskutohet edhe në Strasburg javën e ardhshme në një draft- rezuolutë të Parlamentit Evropian.
‘Bota serbe’ vazhdon të shkaktojë përplasje mes maqedonasve dhe bullgarëve.
Kjo vjen një javë pasi mediumi bullgar ‘Bgnes’ paralajmëroi se në draft-rezolutën e Parlamentit Evropian, përgatitur prej eurodeputetit Thomas Weitz, ka vërejtje serioze për ‘botën serbe’ në Maqedoninë e Veriut.
I pari kishte qenë korrespodenti i këtij mediumi në Bruksel, Dimitar Ruskov, i cili njoftoi për shqetësimet e ngritura në raportin e eurodeputetit austriak.
Sipas mediumit bullgar, drafti i këtij raporti – për të cilin do të diskutohet në Strasburg më 8 korrik – shpreh shqetësime se projekti për ‘botën serbe’ vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.
Në një vend tjetër, raporti për Maqedoninë e Veriut ka kërkuar distancimin e vendit nga e kaluara e vet komuniste përmes hapjes së arkivave.
Në këtë raport, të paktën në draftin e tashpërtashëm, është ngritur shqetësimi edhe për avancimin e narrativave të caktuara.
“Maqedonia e Veriut mbetet cak i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj, përfshirë përpjekjet për të përçarë fabrikën sociale të vendit dhe shfrytëzuar sentimentin antievropian, veçanërisht përmes tabloideve dhe mediave në gjuhën serbe që funksionojnë si amplifikuese rajonale të narrativave të Kremlinit.”
Në raport është përkujtuar se Maqedonia e Veriut ka dëbuar 13 diplomatë rusë mes viteve 2018 dhe 2023 për veprime që nuk ishin të përputhshme me statusin e tyre diplomatik, çka sugjeron praninë e rrjeteve për ndikim të fshehtë.
Aty është ngritur shqetësimi se edhe Kina po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj përmes kontrollit të informacionit, diplomacisë së investimeve, dhe klauzave shtrënguese për sa u përket marrëveshjeve për hua në infrastrukturë.
Në anën tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të mërkurën ka hedhur poshtë pretendimet për ndikimin e botës serbe.
“Nuk e kam parë këtë raport. Kur ta shoh, do ta komentoj. Unë absolutisht e hedh poshtë një gjetje të tillë dhe nuk besoj se këtë e përmban një raport zyrtar i Bashkimit Evropian, për shkak se do të ishte shumë naive,” ka thënë Mickoski.
Ai ka shtuar se nga kontaktet që ka me përfaqësues të lartë të BE-së nuk ka asgjë të përbashkët me ‘botën serbe’.
“Nëse dikur ishte një nismë e quajtur ‘Ballkani i hapur’, sot nuk ka një gjë të tillë. Kuptimi i saj ka humbur,” ka thënë më tej Mickoski.
Ndërsa, analisti shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani, thotë se tendenca serbomadhe ka dalë me zv/km Stoilkoviq, i cili ftoi politikanin kontravers serb Milorad Dodik në Shkup.
Sipas tij, edhe përkundër përpjekjes së Mickoskit që të distancohet nga kjo gjuhë e Dodikut, Parlamenti Evropian nuk u bind.
“I zbehtë ka qenë, por edhe aktualisht s’ka fuqi në tonalitet, zëri kundër “botës serbe” e cila ditë e më shumë është e pranishme në jetën politike të Maqedonisë së Veriut. Të specifikojmë qysh në fillim “bota serbe” është dorë e zgjatur e asaj ruse. Janë terminologji që po përdoren së fundmi për të mos thënë Serbia e madhe apo Rusia e madhe, nocione këto tashmë të penalizuara nga bota përparimtare civilizuese që për të madhe e merr vetëm paqen. Në RMV doli në pah tendenca serbomadhe kur përfaqësuesi i ideologjisë në fjalë zv/km Stoilkoviq ftoi politikanin kontrovers serb Millorad Dodik në Shkup në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb. Dhe i njëjti, po nga Shkupi me tone të ashpra, nga Shkupi dërgoi porosi drejt Brukselit. Edhe përkundër tentativave që KM i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të distancohet nga kjo gjuhë e Dodikut, kjo gjë nuk e ka bindur Parlamentin Europian që në raport të shpreh shqetësimin e prezencës së botës serbe në Maqedoninë e Veriut”, deklaron Sulimani.
Sipas tij, po tentohet të bllokohet rrugëtimi eurointegrues në Ballkan.
“E njëjta frymë po tenton mjeshtërisht të shfrytëzojë skepticimin e Shkupit zyrtar drejt Bashkimit Europian dhe për momentin të bllokuar në rrugëtimin eurointegrues në Ballkan e ke vetëm Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet analisti.
Në anën tjetër, sipas Sulimanit, opinion shqiptar komenton sjelljet e liderëve shqiptarë dhe nuk merret me kanosjet reale.
“Opinioni shqiptar këtu, së fundmi është më i prirur të komentojë sjelljet e liderëve shqiptar- të Edi Ramës dhe Albin Kurtit, përball partive të këtushme, sesa kanosjeve reale që i imponon një frymë dashakeqe anti perëndimore e instaluar në qeveri. Sjelljet e politikanëve tanë edhe nuk i marrë seriozisht, sidomos kur për bazë kanë inatet dhe hatërmbetjet personale ndaj njëri tjetrit. Prandaj mendoj se nuk duhet kushtuar vëmendje dhe të harxhohet energji, sepse adresa e kundërshtarit politik është diku tjetër”, shton Sulimani.
Serbia ishte vënë në mbështetje të Maqedonisë së Veriut kur Sofja zyrtare kishte vënë veto në negociatat për anëtarësim në BE.
Edhe analisti bullgar Vladimir Vladimirov kishte vlerësuar se Bullgaria tashpërtash nuk gëzon kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut.
“Serbia ka një ndikim të madh në vend”, kishte thënë ai duke veçuar se ky ndikim është edhe në nivelin social, politik dhe ekonomik.