41 dështime radhazi – A duhet të ndërhyjë SHBA për të zhbllokuar Kuvendin?

Politika

41 dështime radhazi – A duhet të ndërhyjë SHBA për të zhbllokuar Kuvendin?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 3 korrik 2025 Në ora: 16:16
Kuvendi i Kosovës

Situata e bllokimit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të mbetet e pandryshuar, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për konstituimin e organeve udhëheqëse të legjislaturës së re.

Në këtë kontekst, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka kërkuar ndërhyrjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dalë nga kriza institucionale. Ai ka theksuar se mbështetja e SHBA-së ka qenë historikisht vendimtare për Kosovën dhe se edhe tani roli i saj mund të jetë kyç për të zhbllokuar procesin politik.

Megjithatë, SHBA-të kanë deklaruar kohë më parë se nuk synojnë të ndërhyjnë drejtpërdrejt në zhvillimet e brendshme politike të Kosovës, duke inkurajuar liderët vendorë që të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e ngërçit.

Ndërkohë, afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt përfundimit, ndërsa si skenar i mundshëm përmendet edhe mundësia e shpërndarjes së legjislaturës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Hajdaj: Në këtë rast edhe SHBA, do të krijonte një traditë të keqe për shtetin tonë për shkak se partitë tona do të konsideroheshin si të paafta për zgjidhjen

Image
Kujtim Hajdaj

Anëtari ngs Lëvizja Guxo, Kujtim Hajdaj në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se aktualisht, konstituimi i Kuvendit të Kosovës mbetet i bllokuar, pa ndonjë përparim konkret.

Sipas tij, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë ndërmarrë përpjekje për të gjetur zgjidhje me partitë opozitare, por pa rezultat. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve afat 30-ditor për të arritur konsensus. Nëse kjo nuk ndodh, opsioni më i mundshëm janë zgjedhjet e parakohshme.

“Sa i përket pyetjes tuaj për situatën aktuale të bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, fatkeqësisht ende nuk po ka lëvizje pozitive në këtë drejtim. Unë e vlerësoi angazhimin e Presidentes Vjosa Osmani për të ndihmuar në këtë proces, e gjithashtu edhe angazhimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili kohë më parë i ka bërë LDK-së një propozim për bashkëqeverisje, e po ashtu edhe takimin tjetër që e organizoi para do ditëve me kryetarët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët të pranueshme për të dy anët, LV-GUXO-ALT si koalicion fitues dhe partitë e krahut tjetër, për të dal nga kjo krizë politike. Por fatkeqësisht, nuk patë progres nga këto takime. Por, është mirë që Presidentja po vazhdon të kërkojë nga deputetët e të gjitha partive që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dal nga kjo krizë institucionele.

Siç e dini, edhe Gjykata Kushtetuese është deklaru në raport me këtë situatë dhe u ka japë deputetëve 30 ditë afat që të gjejnë një konsensus të përbashkët për konstituimin sa më të shpejtë e organeve udhëheqëse të kuvendit. Tash çka mund të ndodhë pas 30 ditëve është vështirë të parashihet, por një gjë është e sigurtë se nëse vazhdohet kështu me këtë situatë bllokimi, opsioni i fundit mbetet zgjedhjet e parakohshme”, shprehet ai.

Tutje, Hajdaj shton se SHBA ka deklaruar se nuk dëshiron të ndërhyjë më në proceset politike të partive në Kosovë, ndryshe nga rasti i mëparshëm kur ndihmoi në zgjidhjen e krizës për zgjedhjen e Presidentes Jahjaga.

Ai theksoi faktin se ndërhyrja e saj sot mbetet e pasigurt, por çdo ndërmjetësim i jashtëm do të dëmtonte pavarësinë politike të Kosovës.

“Kurse se sa i përket asaj, se si e sheh SHBA këtë situatë të bllokimit të konstituimit të kuvendit në Kosovë, jo larg është dhënë një prononcim nga vet SHBA, se ajo "nuk dëshiron më të ndikojë në proceset politike të partive politike në Kosovë..."

Sigurisht, SHBA ka luajtur një rol vendimtar edhe me rastin e krizës së kaluar politike, e bllokimit të zgjedhjes së Presidentit/Presidentes, me ç'rast u patë gjetur zgjidhja për zgjedhjen e Atifete Jahjaga për Presidente të Kosovës.

Tash a mund të ndërmjetësojë SHBA edhe me rastin e kësaj situate bllokuese të konstituimit të kuvendit, nuk e di…, por çka mund të them është se çdo ndërmjetësim i faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizave politike, në këtë rast edhe i SHBA, do të krijonte një traditë të keqe për shtetin tonë, për shkak se partitë tona do të konsideroheshin si të paafta për zgjidhjen e problemeve të mbrendshme politike të Kosovës.

Të mbesim më shpresë se në fund do të mbretërojë arsyeja e shëndoshë e të gjithë deputetëve për të dal bashkërisht nga kjo krizë bllokuese politike”, deklaron ai.

Ramabaja: Zgjatja tej mase e krizës sigurisht se mund ta dëmtojë dhe minojë imazhin e Republikës sonë

Kurse, njohësi i çështje politike, Sadri Ramabaja e sheh bllokimin e Kuvendit si shenjë të një “gjendjeje kome” për demokracinë në Kosovë, duke e lidhur atë me papjekurinë politike, ndikimin e luftës hibride ruso-serbe dhe kontrollin e oligarkëve mbi opozitën e paszgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Image
Sadri Ramabaja

“Bllokimi i Kuvendit tashmë ka sjellë këtë institucion që do të duhej të ishte një lloj Tempulli i demokracisë sonë të re, në gjendje kome.

Në pikëpamjen time kjo gjendje është sa produkt i papjekurisë politike dhe naivitetit deri në ekstrem të forcave tona parlamentare, po aq edhe i luftës hibride ruso-serbe.

Asesi nuk mund ta lëmë anash rolin në rrite dhe herë-herë vendimtar në skenën tonë politike të asaj shtrese oligokratëve dhe olhokratëve që mbajnë peng opozitën, respektivisht humbësit e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025”, thotë ai.

Ramabaja kritikon deputetin Alban Zogaj si përfaqësues të një mendësie të vjetruar politike, që nuk e ka kuptuar fundin e Rendit Liberal dhe lindjen e një Rendit të Ri global.

Ai thekson se SHBA tani synon ta shkëpusë Rusinë nga ndikimi i Kinës, për të mos lejuar që Rusia të bëhet satelit i saj. Ky rikonfigurim gjeopolitik do të ndikojë fillimisht në Ukrainë, por edhe Ballkani nuk do të mbetet pa tronditje.

“Deputeti me moshë të re i LDK-së Alban Zogaj, pavaërsisht se vije në Parlament si prurje e re, për fat të keq, në formimin e tij politk, i përket shkollës së vjetër.

Kjo kategori ende nuk e kanë kuptuar se Rendi Liberal që kishte kontribuar në Lirinë e Kosovës tashmë ka vdekur, ndërkaq Rendi i Ri që po vjen nuk ka lindur ende.

Kisinxheri gjithë doktrinën amerikane në raportet brenda superfuqive në epokën e tij, e kishte përqëndruar në përafrimin e Kinës me SHBA-të me qëllim që ta shkëpusnin nga ndikimi i Rusisë.

Këtij qëllimi edhe ia kishte arritur.

Aktualisht, në prologun e Rendit të Ri ka një përmbysje të këtyre interesave gjeopolitike.

SHB-të janë orjentuar, natyrisht duke përlogaritur në interesat e tyre kombëtare, ta shkëpusin ndikimin e Kinës ndaj Rusisë, duke mos toleruar që ajo të shndërrohet në Satelit i Kinës.

Në këtë proces ndikimi i këtij pozicionimi do të ndjehet në radhë të paër në Ukrainë, por edhe Ballkani vështirë se do të mbetet i patrazuar”, shprehet ai.

Në fund, profesori SHBA dhe BE e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokraci të pjekur, gjë që është pozitive. Mbështetja e tyre është e nevojshme, sidomos për të frenuar ndikimin serbo-rus dhe për të ndërgjegjësuar politikanët, veçanërisht në LDK.

Tutje, shprehet se kriza aktuale, megjithëse shqetësuese, nuk është e pazakontë as në demokracitë europiane dhe mund të sjellë leksione të vlefshme për të ardhmen. Edhe shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të hapin rrugë për dialog të ri dhe konsolidim institucional.

“SHBA-të dhe BE-ja në ndërkohë e trajtojnë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe demokraci në moshën e maturimit.

Ky qëndrim do të duhej të na gëzonte.

Natyrisht ne kemi nevojë për mbështetje edhe nga ana e SHBA-ve e edhe nga ajo e BE-së. Ne pretendojmë t'i përkasim pikërisht sferës së interesit Perendimor, familjes euroatlantike.

Ndihma për t'I vënë zap oligarkët që janë peng i shërbimeve serbo-ruse dhe ndërgjegjësimi i politikanëve, me theks të LDK-së, për këtë fenomen, do të ishte ndihma më e madhe e aleatëve tanë strategjik [SHBA & BE].

Zgjatja tej mase e krizës sigurisht se mund ta dëmtojë dhe minojë imazhin e Republikës sonë. Por probleme disi të ngjashme kanë pasur edhe demokracitë e etbluara në Europë {Belgjika, Italia, madje edhe Gjermania...] kanë kaluar muaj ët tërë, madje edhe vite derisa ia dilnin të krijonin Qeveritë.

Kjo krizë që po kalojmë jam i bindur se do të prodhojë edhe leksione me peshë në lëmin e së drejtës dhe praktikës parlamentare, që në të ardhmen e afërt mudn t'i shërbejë shumë etablimit politik.

Edhe këtë Aktgjykimin e fundtit të Gjyakatës Kushtetuese jam i prirë ta shikojë në këtë prizmë.

Fundja "djekgia" e kësaj legjislature dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, me gjasë pas atyre lokale, nuk d.t.th se do të prodhojë farë kataklizme politike. Përkundrazi, mund të prodhojë frymë të komunikimit të ri politik, nevojë imediate për bashkëpunim mes partive parlamentare dhe konsolidim të Republikës”, - përfundon Ramabaja për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat