Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar për tri ditë radhazi takime me liderët e partive politike në Kosovë.
Qëllimi i këtyre takimeve konsultative ishte diskutimi lidhur me konstituimin e Kuvendit, pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Takimet e para u zhvilluan me Kryeministrin në detyrë dhe njëherësh kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti; me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi; me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku; dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në ditët në vazhdim, Presidentja Osmani u takua me partitë e vogla politike, përfshirë edhe ato që janë pjesë e koalicioneve, si dhe me partitë e komuniteteve pakicë.
Gjatë këtyre takimeve, krerët e partive politike paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që, në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, të arrijnë sa më shpejt — por brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese — një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.
Ashtu siç ka theksuar edhe në deklarimet e mëparshme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja, të dala nga vullneti i qytetarëve të shprehur më 9 shkurt të këtij viti, dëmton vlerat demokratike dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përfitimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucionet publike,” thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Por, në rast se partitë politike nuk arrijnë të krijojnë institucionet e reja të Kosovës brenda afatit ligjor, cili është vendosur prej 30 ditë nga aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese, çfarë ndodh më pas dhe a ka kompetenca presidentja për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme?
Kompetencat e presidentes në këtë rast varen nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet përkatëse.
Në kushtet e moskonstituimit të institucioneve, presidentja ka të drejtën, sipas nenit 82 të Kushtetutës, të shpallë zgjedhje të reja të përgjithshme (të jashtëzakonshme), nëse nuk arrihet të konstituohet Qeveria brenda afateve ligjore.
Drenori: Presidentja duhet të përdorë kompetencat e saj

Lidhur me këtë çështje, analisti Xhavit Drenori në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se legjislatura aktuale ka dështuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit.
“Unë besoj se, pas skadimit të afatit prej 30 ditësh, me aktgjykimin që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk arrin të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, presidentja, duke e pasur parasysh faktin që kjo legjislaturë ka dështuar të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, presidentja duhet të përdorë kompetencat e saj ligjore.
“Ajo, në fakt, edhe me takimet që i ka mbajtur me krerët e subjekteve politike të përfaqësuara në Parlamentin e Republikës së Kosovës, besoj se ia ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Tani mbetet që të konsumohen edhe këto 30 ditë të mbetura, pra tri javë sa kanë ngelur. Unë shumë besoj se presidentja nuk është e “mbështetur për muri” dhe se, në kuadër të obligimit ligjor që ka për të mbajtur funksional institucionet e Kosovës, e në këtë rast legjislativën, ajo duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme. Sepse kjo legjislaturë, po e përsëris, ka dështuar të funksionalizojë, pra të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht ka bërë të pafat funksionimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, Drenori është pyetur nëse presidentja ka kompetenca për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Unë besoj se përgjigja e parë është po dhe në fakt nuk ka zgjidhje tjetër, nëse vetëm subjektet politike nuk arrijnë një marrëveshje, qoftë për konstituimin e Kuvendit, qoftë që vetë ata ta çojnë vendin në zgjedhje, duke konstituuar Kuvendin vetëm për ta shpërbërë atë”, ka shtuar ai.
Pas përfundimit të afatit 30-ditor/ Sadiku: Presidentja duhet t’i drejtohet Kushtetueses
Ndërkaq, analisti tjetër Arbnor Sadiku ka ngritur alarmin për pasojat kushtetuese që mund të rrjedhin nga mosrespektimi i afatit ligjor.

“Deputetët e Kuvendit bëjnë shkelje kushtetuese nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh; si rrjedhojë, duhet që edhe mandati i tyre të skadojë si deputetë të dalur nga zgjedhjet e fundit parlamentare,” ka deklaruar Sadiku.
Po ashtu, ai ka thekuar më tej rolin që i takon Presidentes së Republikës në këtë situatë.
“Në këtë rast presidentja t’i drejtohet Kushtetueses nëse mund, pas këtij afati 30-ditor, të dërgojë automatikisht vendin në zgjedhje të reja parlamentare”, ka përfunduar Sadiku.