Përpjekja e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për të ndërmjetësuar një zgjidhje në drejtim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk dha rezultat.
Pavarësisht angazhimit të saj për të afruar qëndrimet e partive politike, mungesa e konsensusit ndërmjet tyre vazhdon ta mbajë të bllokuar jetën institucionale të vendit.
Edhe seanca e mbajtur të shtunën në mbrëmje, dështoi.
Lidhur me këtë çështje, opinionisti Albert Ramadani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se partitë politike duhet të gjejnë konsensus.
“Mendimi im lidhur me ftesën e presidentes për të gjetur një gjuhë përbashkët dhe për të zbatuar vendimin e Kushtetueses. Takimi nuk e ndryshon fare qëndrimin e partive politike, por partitë politike duhet të gjejnë konsensus, dhe pa konsensus nuk mund të shkohet as në zgjedhje”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, nëse ka vullnet nga politikanët, procesi mund të përfundojë shpejt.
“Nëse ka vullnet, për 7 minuta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe për 7 minuta të tjera e shpërndajnë Kuvendin dhe e çojnë vendin në zgjedhje”, ka shpjeguar ai.
Megjithatë, Ramadani është skeptik për zhvillimin e zgjedhjeve, duke parashikuar një zgjidhje tjetër.
“30 ditëshi do t’i ofrohet, por mendimi im është që vendi nuk do të shkojë në zgjedhje, por do të krijohet një qeveri deri në mars-prill 2026, kur edhe presidentes i skadon afati”, ka shtuat ai
Në këtë kontekst, ai ngriti një pyetje të rëndësishme për rolin e presidents.
“Por presidentja, a do ta çojë vendin në zgjedhje, apo do të dalë me një parti të re, vetë presidentja?”, ka pyetur Ramadani.
Ramadani përfundoi me një mesazh të qartë për të ardhmen politike të Kosovës.
“Një ta kemi të qartë që Kosovën e presin shumë punë dhe nuk do të ketë qeveri njëpartiake. Por Kosova kësaj here do të ketë qeveri me gjysmë mandati, por me vendime shumë të rëndësishme”, ka përfunduar Ramadani.