“Urat nuk ndajnë – i lidhin njerëzit”: Reagimi ndaj deklaratave të BE-së për projektet mbi Ibër

Politika

“Urat nuk ndajnë – i lidhin njerëzit”: Reagimi ndaj deklaratave të BE-së për projektet mbi Ibër

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 korrik 2025 Në ora: 11:04
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zyrtarë të dy komunave të Mitrovicës dhe disa ministra të kabinetit, ka vendosur të martën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër. Ky projekt, i cilësuar si bashkëpunim ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, vjen në një kohë kur çështja e urës kryesore mbi Ibër ende mbetet e ndjeshme dhe e pazgjidhur.

Qeveria thekson se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar: ura kryesore duhet të hapet për qarkullim të plotë. Por ndërkohë që ndërtimi i dy urave të reja mund të shihet si hap drejt përmirësimit të lëvizjes dhe komunikimit ndërmjet jugut e veriut të Mitrovicës.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka dalë haptazi duke thënë se nuk është as i përfshirë, as i njoftuar për këtë projekt. Madje e ka quajtur të domosdoshme që vendime të tilla për ndërtim infrastrukture mbi Ibër të merren në mënyrë gjithëpërfshirëse – me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve që preken.

Kjo nënkupton që BE-ja po e sheh me rezervë qasjen e Qeverisë së Kosovës, ndoshta edhe si veprim të njëanshëm në një zonë me ndjeshmëri të lartë politike.

Meha: Ka shumë vite që ura kryesore mbi Ibër është e hapur pjesërisht dhe është e mjaftueshme për qarkullim

Image
Xhevat Meha

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha në një përgjigje për “Bota sot”, me në bazë të marrëveshjeve ura kryesore deri tani duhej të ishte e hapur, por sipas tij, ka moszbatim të marrëveshjeve.

“Është e vërtetë se ura kryesore mbi Ibër, në bazë të marrëveshjeve, do të duhej të ishte e hapur deri tani. Ka moszbatim të marrëveshjeve. Sugerimet e institucioneve ndërkombëtare janë që të shtyhet hapja e urës kryesore. BE dhe ambasada e Gjermanisë kanë sugjeruar që të mos merren veprime të njëanshme, me arsyetimin se mund të rrisin tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë edhe në të kaluarën veprime që kanë shpërfillur sugjerimet e ndërkombëtarëve që të mos ketë veprime të njëanshme. Kjo ka rezultuar në prishjen e marrëdhënieve të qeverisë me aleatët tanë. Kjo prishje e marrëdhënieve ka shkuar deri në nivele të ndërmarrjes së masave kundër Kosovës, që kanë dëmtuar dhe janë duke dëmtuar Kosovën”, thotë Meha.

Tutje, vuri theksin të raportet me ndërkombëtarët, i cili shprehet se edhe kjo nismë mund të dëmtojë edhe më tepër marrëdhëniet me aleatët tanë.

“Hapja nga qeveria e dy urave të reja mbi Ibër do ta rëndojë edhe më tepër marrëdhënien e prishur me aleatët tanë, dhe me këtë edhe rritjen e dëmeve ndaj Kosovës. Ka shumë vite që ura kryesore mbi Ibër është e hapur pjesërisht dhe është e mjaftueshme për qarkullim. Nuk arsyetohet rritja e dëmit ndaj Kosovës me diçka që nuk rrit ndjeshëm qarkullimin mbi Ibër”, potencon ai.

Maraj: Dy ura mbi lumin e Kosovës

Analisti Milazim Maraj kritikoi ashpër reagimin e zyrës së BE-së për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër në Kosovë, duke e cilësuar si të pakuptueshëm dhe të padrejtë.

Ai potencoi se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka pse të kërkojë leje apo të koordinohet me Serbinë për projekte të brendshme. Marrëveshjet janë bërë me kryetarët lokalë dhe të miratuara nga Qeveria e Kosovës.

Ai e akuzon BE-në se po përkëdhel Serbinë, një shtet që historikisht ka kryer krime në Kosovë dhe nuk ka interes për t’u anëtarësuar në BE, ndërkohë që po vonon procesin e integrimit të Kosovës, e cila ka përmbushur kriteret.

Image
Milazim Maraj

“Mjaft i pakuptueshëm reagimi i zyrës së BE për ndërtimin e urave. Kërkohet marrëveshje gjithëpërfshirëse. Çka nënkupton kjo? Të pyetet Serbia çka të ndërtohet në Kosovë? Janë ura që po ndërtohen mbi lumin Iber, në Kosovë. Bisedat janë ligjërisht të kryera më kryetarët e këtyre dy komunave. Për këto ka vendos Qeveria e Kosovës. Kosova është e pavarur. Nuk ka nevojë që të bisedohet më Vuçiqin apo Petkoviqin ku të ndërtohet apo ku mos të ndërtohet ura në Kosovë. Ç’ është ky motivim për të vazhduar krimet që i behet Serbisë? Çka pretendohet të bëhet më këto veprime. Një shtet armiqësor që nga viti 1990 ka krijuar mbi 100.000 viktima të pafajshme. Në vend që të dënohet përkëdhelet dhe përkrahet nga BE. Ky shtet që nuk ka interesime fare për të u anëtarësuar në BE. Lutet si një fëmijë hiperaktiv apo çmendur me çka nxisin të vazhdojë me veprimet e veta kriminale. BE po vonohet me Kosovën edhe pse Kosova ka plotësuar kushtet për të u anëtarësuar më shumë se edhe shumë shtete që janë tani anëtare të BE”, shprehet ai.

Maraj shpreh zemërim dhe shqetësim të thellë për tolerimin ndërkombëtar ndaj shantazheve dhe agresionit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ai thekson se Serbia, edhe pas luftës, ka larguar mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre në veri dhe për këtë nuk është ndëshkuar. Përkundrazi, reagimet e BE-së dhe KFOR-it shpesh i sheh si të njëanshme dhe në favor të Serbisë.

Ai denoncon se Kosova është viktimë e një lufte hibride nga Serbia dhe aleatët e saj, si Rusia, Irani dhe Turqia, që po dëmtojnë identitetin dhe sigurinë e kombit shqiptar. Serbia glorifikon kriminelët, nxit dhunë, sulmon ushtarët e KFOR-it, ndërsa Kosova ndëshkohet për veprimet legjitime.

“Shantazhet e Serbisë u toleruan edhe nga KFOR-i 13.000 shqiptarë i larguan nga shtëpitë dhe tokat e tyre në veri të Mitrovicës. Për këtë nuk u ndëshkua. Për shkak të shantazheve të Serbisë Kosova ka humbur shumë që 26 vite pas lufte. Kosova është e sulmuar më luftë hibride nga Serbia, Rusia, Irani, Turqia që po shtojnë ndikimin e tyre në Kosovë në forma të ndryshme dhe po dëmtojnë këtë komb arbëror deri në shpirt. Sulmohet Kosova nga paramilitarë të Serbisë, nën mbikëqyrjen e ushtrisë kriminale serbe. Serbia mbanë ditë zie për kriminelet, i quan heroi dhe nuk ndëshkohet, nuk kushtëzohet për të i dorëzuar kriminelet por lutët që ta bëjë këtë. Ndërsa për shkak të jetësimit të vendimeve që Serbia i ka nënshkruar më parë, nxitë serbet të rebelohen, sulmojnë ushtarët e KVORIT, i lëndojnë dhe gjymtojnë ata por për këtë ndëshkohet Kosova. Vuçiq dhe Petkoviq për çdo ndërtim në Kosovë ankohen se Kosova po shpërngul serbet nga Kosova. Menjëherë reagon zyra e BE dhe ambasadat e akredituara në Kosovë. Për heqjen e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc heshtët. Pse kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve? Pse nuk na përkrahni neve që duam të jemi në Evropë. Që jemi shtet demokratik, kemi kulturë të Evropës, kemi ndikuar në zhvillimin e shkencës dhe arritjes në BE dhe botë. Pse na përdorni si dhuratë për kusuritje me Serbinë? Ky shtet artificial që BE ia sheh sherrin që sa herë duke krijuar lufta dhe masakra që sa shekuj. Urat mbi lumin Ibër nuk janë për të shpërngulur qytetarët e Komunave xhuxhe, por për të siguruar kushte dhe standard jetësor më të mirë. Qarkullim të lirë nga veriu në jug dhe anasjelltas. Në këto ura nuk do të ndalën serbet për të mos kaluar në jug. Këto ura mund të prishin ëndrrën e Serbisë për të ndarë Kosovën. Për këtë ankohen kriminalet serb. Por çudi është, pse nuk reagohet drejt dhe njëherë e mirë të i tregohet se Kosova nuk ishte kurrë pjesë e Serbisë. Ishte e okupuar dhe për këtë rezistenca shqiptare në Kosovë nuk ka pushuar kurrë përkundër shumë viktimave dhe masakrave që ka përjetuar”, shpejgon ai.

Gjithashtu, analisti kërkon hapjen e urës qendrore mbi lumin Ibër, duke theksuar se mbyllja e saj nxit Serbinë për krime dhe tensione ndëretnike.

Ai kritikon reagimet e njëanshme ndërkombëtare që heshtin për armatosjen dhe provokimet serbe, ndërsa kundërshtojnë mbrojtjen legjitime të Kosovës. Serbia po rrit ndikimin rus dhe anti-evropian në rajon, përfshirë Kosovën, përmes fesë, korrupsionit dhe propagandës. BE duhet të mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit dhe stabilitetit, jo ta pengojë atë me standarde të dyfishta.

“Ura qëndrore tani e ndaluar për qarkullim do të hapet, qëndrimi i saj i mbyllur nuk kuptim apo efekt pozitiv; përkundrazi ka efekt negativ që Serbinë e joshë për vazhdimin e krimeve dhe presioneve. Krijimit të konflikteve ndëretnike, sulmin ndaj policisë së Kosovës, dëmtim të kanalit Iber-Lepenc, vrasje dhe dislokim të vazhdueshëm të armeve, sulm të qytetarëve civil të Kosovës sikur ndodhi ditët e fundit. Serbia vazhdon të armatosët, krekoset dhe kërcënohet me armatim, ndërsa reagon kundër armatimit të ushtrisë së Kosovës dhe vajton se do të frikësohen serbet në Kosovë. Serbët në Kosovë nuk janë sulmuar asnjëherë nga ushtria e Kosovës edhe pse kanë pas mjaft arsye. Shqiptarët me këto armë do të mbrohen nga ushtria dhe kriminelët serbë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Ndikimi i Serbisë për botën ruse, po rritët jo vetëm në Mal të Zi dhe Maqedoni, por çdo kund ku ka mundësi të depërtojë. Këtë po tenton ta bëjë edhe në Kosovë, andaj çdo zhvillim në Kosovë ajo e sheh si rrezik. BE, Kosovën duhet ta përkrah në rezistencën e saj të vazhdueshme dhe shumë të kulturuar. Rusia, Irani, Turqi po shtrijnë ndikimin e vet në Kosovë dhe BE më objekte fetare, korrupsion dhe kërcënime dhe propaganda. BE nuk e pranon Kosovën në KE dhe strukturat tjera të sajë. Në këtë gjendje ku venitet besimi dhe nuk shihet perspektiva ndikimet janë shumë më të lehta. Duhet të ndërtohen ura, bashkëpunime, mirëkuptime dhe zhvillime ekonomike pa pengesa nga Serbia apo dikush tjetër që pretendon të shtri ndikimin e vet antinjerëzor në këto tokë dhe mbi këtë popull liridashës” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat